Fatjon Veizaj: Akti Normativ për kompensimin e kompanive publike dhe Harta e re Gjyqësore, si shembuj  dështimi të qeverisë

208
Sigal

Parlamenti shqiptar ka kohë që është kthyer në një mekanizëm të qartë spekulimi, për shkak të hipokrizisë me të cilën ndan e mbështet përparësitë politike të pozitës. Në parim, Akti Normativ nr.10, datë 18.5.2022, në pamje të parë duket i aryeshëm. Kompensimi i kompanive që kryejnë punë publike, në kushtet e reja të rritjes së çmimeve, do të dëshmonte përgjegjshmëri në rrethana të tjera. Kemi parasysh domosdoshmërinë e ruajtjes së ritmit të punimeve, shmangien e proceseve të falimentimit me gjithë pasojat që sjell kjo, mbrojtjen e investimeve publike, etj. Por kjo nuk është rrethana që diskutohet,  kjo është vetëm një pjesë e saj, mbi të cilën po spekulohet, për më tepër, kur nga të gjithë njihet grupi i të privilegjuarve, që kane marrë gjitha kontratat publike. Sufiçiti i shtetit shqiptar sot është 170.5% , pra shteti me taksat e vendosura  po fiton ndërsa nga ana tjetër jemi para faktit të varfërimit të shtetasve shqiptarë. Ka një thënie të famshme që po e citoj:  Kush pasurohet në luftë është spekulant. Te ne sot spekulanti më i madh që po pasurohet në kohë luftë është vetë shteti shqiptar.Fitimi shumë i madh prej 170.5 %, përbëhet nga paratë, që i merr taksapaguesve shqiptarë me të cilat ai mund të blinte për nevojat e tij më shumë ushqime të shportës si, miell, oriz, vaj, makarona, vezë, mish etj. Kjo qeveri duke shfrytëzuar luftën  në Ukrainë dhe krizën e shkaktuar prej saj, nxjerr akte administrative (Akti Normativ ne 10 datë 18.05 2022) ku favorizon klientët e saj dhe vet qeverinë. E drejtë do të ishte të miratohej një akt normativ për të rishikuar kontratat e punëve publike gjatë vitit 2020, kur çmimi i lëndëve të para u ul në mënyrë drastike për shkak të bllokimit të ekonomive botërore nga COVID-19. Pse nuk indekson pagat dhe pensionet qeveria me nivelin real të inflacionit, por miraton akt-normativ për kontratat e punëve publike? Përse i ka ulur pagesat e ndihmës sociale?

Qeveria dhe sot nëntë vjet pas ardhjes në pushtet, nuk ka aktivizuar nenin 95 të ligjit për sektorin e energjisë elektrike, VKM për miratimin e kritereve dhe procedurave për miratimin e statusit të klientit në nevojë. Edhe VKM-ja e famshme nr. 8/2015 që përmendet nëpër studiot televizive si mbrojtje e klientëve në nevojë,  faktikisht lidhet me kompensimin prej 648 lekë/muaj të çmimit të energjisë elektrike për shkak të heqjes së fashës së konsumit deri në 300 kËh. Kemi të bëjmë kështu me një vendim të marrë për të kompensuar dëmin që vetë qeveria i shkaktoi klientëve në nevojë, duke ju rritur cmimin e energjisë nga 7.7 në 9.5 dhe jo për të mbrojtur shtresat në nevojë, sic përcaktohet nga ligji.

Një tjetër shqetësim është ngritur kohët e fundit mbi hartën e re të gjyqësorit. Harta e re vlen të analizohet me kujdes, jo vetëm mbi domosdoshmërinë e informimit publik mbi të, përkatësisht të pasojave që do të ketë herët a vonë në jetën e çdo qytetari të Republikës së Shqipërise, por edhe mbi nevojën për të kuptuar se çfarë e prodhon projektin si mendësi, në rrafshin politik, legjislativ, administrativ, moral e social.

Së pari të bën përshtypje, interpetimi në mënyre mekanike që përshkon projektin. Kriteri, numër çështjesh për numër gjyqtaresh e cilëson a-priori në një regjistër uniform natyrën e çështjeve për gjykim, e cilëson aktin e gjykimit si një proces krejtësisht të parashikueshëm dhe pa dhënë asnjë argument mbi strukturën optimale të procesit, pra mbi cilësinë e gjykimit dhe mbi tërësinë e rrethanave që krijojnë parakushtet për cilësinë. Pa asnjë të dhënë apo argument mbi shembujt e mirë apo dështimet e vërtetuara, vendoset arbitrarisht një raport numerik, që fshin realitetin konkret të dhënies se drejtësisë në të gjithë përbërësit e vet. Çështjet për gjykim nuk janë një fakt numerik pa përmbajtje – natyra e tyre, vlera e seancave të zhvilluara, arsyetimi funksional i vendimeve, koha e nevojshme e procedurës ligjore, të gjitha këto ky projekt i fshin duke, e ngurtësuar aktin e gjykimit. Nga ana tjetër projekti është kontradiktor në vetvete. Niset mbi premisën e kriterit gjyqtar/çështje dhe rrëzon po vetë propozimin e tij. Është e çuditshme shkaku i mbylljes së Gjykates së Apelit në Vlorë, e cila shqyrton më shume çështje se të gjitha Gjykatat e tjera te Apelit. Nëse mbyllja e gjykatave të apelit do të mbështetej mbi këtë kriter (pavarësisht rastit te Vlorës që është shkelje e qartë e kriterit të propozuar nga KLGJ-ja), sërish do të krijohej një gjendje absurde. Gjykata e Apelit, Tiranë, sot, nëse do të krijohej me gjithësej të 25 gjyqtarët e mbetur në sistem,  është e detyruar të trajtojë afërsisht 11.375 çështje në vit, me një rendiment sipas referencës së pranuar 455 çështje në vit.  Por, në Gykaten e Apelit Tiranë, ngarkesa vetëm për vitin 2021 ka qene 20.350 çështje!!!  Duke shtuar edhe ngarkesën e mbartur, numri i çështjeve shkon në 39.882. Në rast se projekti do të zbatohet, mbi të dhënat e derisotme për numrin e gjyqtarëve të Apelit, Tiranë, çështjet e vitit 2021 do të zgjateshin të paktën deri në vitin 2024. Barra e kohës që krijon ky projekt është e papërballueshme. Ajo që të bën përshtypje në projekt është mungesa e plote e vëmendjes mbi objektet e gjykimit, qytetarët. Harta gjyqësore në tërësinë e saj mban parasysh reduktimin e kostove të shtetit, por në asnjë element nuk llogarit kostot e një procesi gjyqësor për individin, që është element mjaft i rëndësishëm për garantimin e aksesit në gjykatë. Është analizuar largësia në kilometra nga pika më e largët e Shqipërisë, deri në Tiranë, për Gjykatën e Apelit, dhe nuk është llogaritur kostoja e transportit, kostoja e humbjes së ditës së punës, kostoja e përfaqësimit, kostoja e shtyrjes së seancave të tjera gjyqësore në gjykatat e shkallës së parë për mungesë të avokatit, kosto të gjitha këto që rëndojnë mbi qytetarin. Duhet të ishte llogaritur se kostoja e një gjykimi nuk është vetem distanca në km, por pala dhe përfaqësuesi respektiv përveç kostove të transportit, humbasin edhe ditën e punës, kurse avokati do të shtyjë seanca të tjera gjyqësore në gjykatat e shkallës së parë, duke sjelle pasoja që të zvarriten gjykimet në shkallët e para. Ngado që ta kthesh, harta e re gjyqësore, është shembull i një dështimi të pashmangshëm, nëse nxitësit e mbështetësit e projektit do ta shpien aventurën e tyre deri ne fund.