Skandali/BB: Vetëm 2 kompani shqiptare me certifikata cilësie për eksport. Qeveria i pengon

214
Sigal

Diagnoza e Bankës Botërore për gjendjen e agrikulturës në Shqipëri nuk është aq pozitive sa ajo që bën Qeveria. Në një raport të publikuar në fund të qershorit, banka vëren se potenciali i këtij sektori në vendin tonë pengohet edhe prej politikave qeverisëse.

Sipas Bankës Botërore, mbështetja financiare e pakët, rritja e kostos së prodhimit të produkteve dhe shitja e tyre në tregje ku vlerësohen pak po dekurajon fermerët shqiptarë që të kultivojnë prodhime të agrikulturës.

Raporti thotë se fermerët shqiptarë po i shesin më lirë se kushdo në rajon produktet e tyre, edhe kur bëhet fjalë për produktet që eksportohen. Banka Botërore thotë se kjo lidhet me vendet ku eksportohen produktet shqiptare, që sipas të dhënave të INSTAT janë kryesisht vende të rajonit, si Serbia, Maqedonia e Veriut, apo Kosova e Bosnja.

Por, pse ky fenomen kur Banka Botërore thotë në raport se një pjesë e mirë e produkteve shqiptarë përmbushin cilësinë dhe standardet për t’u eksportuar në vendet e Bashkimit Europian? Raporti zbulon se arsyeja qëndron te certifikimi i kompanive eksportuese.

“Përpjekjet për të siguruar certifikata ndërkombëtare cilësie do të ndihmojnë fermerët që të kenë tregje më të gjera eksporti, sidomos për produktet e vlerësuara”,- thotë raporti.

Aktualisht në Shqipëri janë vetëm dy kompani që kanë certifikata cilësie për të eksportuar në tregjet e Bashkimit Europian produktet shqiptare. Si shembull, në tregun e agrikulturës Maqedonia e Veriut ka të certifikuara 14 kompani, që mund të eksportojnë në tregun e përbashkët europian.

Serbia rreth 60 kompani të tilla, ndërsa Shqipëria ka vetëm dy kompani, çka rrit mundësitë që të dyja këto kompani të funksionojnë në kuadër të një duopoli dhe të fiksojnë çmimet e blerjes së produkteve të fermerëve shqiptarë.

Për këtë arsye, Banka Botërore rekomandon që Ministria e Bujqësisë të ndihmojë fermerët me procedurat e certifikimit për në tregjet ndërkombëtare, qoftë përmes formës financiare, qoftë përmes ekspertizës dhe specialistëve të saj.