Hyqmet Zane: Sa do të doja për … kauzën e Çamërisë!

1125
Sigal

Nga Hyqmet Zane

Të shpresosh tek e ardhmja, është një ndjesi pozitive e njerëzve që e duan jetën dhe kanë motiv në jetën e tyre. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një kauz që është më shumë se një dëshirë. Kështu e mendoj veten, kështu e kuptj jetën time dhe këtë ia dedikoj edhe prindërve të mi, edhe rrethit tim familjar dhe miqësor. Ia dedikoj këtë edhe trashëgimisë sime nga Çamëria. Kam lindur si shpresë për familjen time dhe u rrita që kështu ta shikoj jetën. Sot e kuptoj dhe e mendoj, po aq sa e dëshiroj që të jem njeriu që të kontribuoj me shpresë për kauzën e Çamërisë. Gjithnjë e mendoj që këtë kauzë do ta realizojnë ata që janë me gjak bij të nënave çame që janë ushqyer përmes qumështit të gjirit të nënave të tyre që të duan e të luftojnë për një kauzë që është e shenjtë dhe e madhe. Pa paragjykuar askënd në këtë pikë, mandej edhe shumë e shumë bij nënash shqiptarë me gjak e moral do të ishte mirë që të kontribuonin, siç edhe kanë kontribuar për kauzën e Çamërisë. Këtë e dëshiroj shumë. Kur kanë kaluar 75 vite nga ai gjenocid grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, amanet të atyre që lanë kockat në Çamëri në vatanin që e deshën dhe nuk ikën dhe greku i vrau me pabesinë e tij të njohur. Ata qëndruan jetë në rrugëtimin e e tyre për të shpëtuar jetët njerëzore nga shfarosja gjakatare greke. Amanet të prindërve tanë që na rritën me aq përkujdesje e dashuri për Çamërinë dhe ikën nga kjo botë me brengën e madhe të moskthimit në Çamëri dhe mosdhënien e të drejtave të njeriut . Do të doja që e gjithë kjo kauzë të ishte e institucionalizuar jo vetëm nga komuniteti çam, por edhe nga shteti shqiptar që duket se më shumë ka qëndruar në hije se sa ka bërë protagonizëm. Institucionalizimi i çështjes çame detyrimisht është një moment që kërkon mendje burrash që u dhemb për këto punët e kombit. Sa do të doja që gjtihë ata Prof. Dr. me tituj shkencorë të ishin të konsideruarit në këtë institucionalizim të kauzës së Çamërisë. Duke qenë gjithnjë në korent të këtyre angazhimeve, kam marrë statistika se brenda komunitetit çam gjenden jo pak Profesorë e Doktorë Shkencash që po të institucionalizoheshin do të krijonin Akademinë e Çamërisë në fusha të ndryshme të kësaj çështjeje. Sa do të doja që këta burra e gra duheshin konsideruar si intelektualë të niveleve të larta dhe emra me njohje në opinionin publik. Megjithëse në këtë vendin tonë këta të nderuar akademikë dhe institucioni i tyre janë përdhosur nga pushtetarë që sillen si enveristë me ta. Ndoshta kështu ka qenë sjellja edhe ndaj këtyre personaliteteve të shkencave të ndryshme që janë injoruar nga mendjet e pavlera që si Enver Hoxha kërkojnë të eliminojnë elitën intelektuale, të mos e mbajnë pranë vetes se nuk i duan si njerëz që dinë dhe kanë se çfarë thonë. E kemi fjalën për kauzën e Çamërisë. Do dëshiroja gjithashtu që në krah të këtyre Profesorëve dhe Doktorëve me tituj shkencorë, të qëndronin ata, profesorët e vërtetë të njohur si të tillë dhe që thirren me këtë titull ,edhe pse nuk e kanë marrë atë si një vlerësim për rrethana të ndryshme. Nuk janë pak me orgjinë nga Çamëria, por edhe shumë miq e profesorë të tjerë që kanë lidhje të ngushta me këta personalitete çam. Dhe si për dëshirë të argumentuar do të doja që për kauzën e Çamërisë të ishin në një linjë edhe publicistët dhe gazetarët që e kanë spikatur trajtesën e çështjes çame dhe që me artikujt dhe punët e tyre medatike kanë dhënë kontribute të mëdha, jo vetëm pse kanë trajtuar këtë kauzë, por edhe sepse kanë mbajtur të ndezur kauzën dhe kanë ngritur pishtarin e emrit “Çamëri”.Sa do ndjehesha mirë që një ditë këta burra e gra, këta personalitete të ishin në një tavolinë të institucionalizuar për të biseduar dhe menduar, për të dhënë alternativa dhe platforma dhe një njeri që pretendon se ka më shumë merita për kauzën e Çamërisë, t’i dëgjonte, t’i vlerësonte, të mbante shënime për të hartuar atë të shkretën strategji të zgjidhjes së çështjes çame që për fatin e e keq ka munguar prej kohësh edhe pse është premtuar herë pas here. Sa do të doja, se kështu kam dashur, kështu jam munduar të punoj e të shkruaj për kauzën e Çamërisë dhe kam bindjen se kjo dëshirë është mirëkuptuar, por edhe është injoruar nga ata që me mendjemadhësinë e tyre kanë treguar mungesë respekti për punën jo thjesht timen, por të këtyre akademikëve të shkencave të ndryshme, të këtyre profesorëve dhe analistëve, publicistëve dhe gazetarëve. Po përse kështu? Ka shumë e shumë hamendëso që fliten e diskutohen në rrethe të ndryshme tavolinash me intelektualë që flasin e flasin dhe gjithçka ka mbetur në “kalendat greke”. Dhe kur ndodh kështu, ndjen një dhimbje të madhe që të bën të protstosh dhe të thuash atë që duhet se nuk bëhet fjalë për një çështje personale, por për një kauzë që duket sikur është futur në një shishe e për ta hedhur në det që ndonjëherë ta gjej ndonjë peshkatar e të mendoj se na ishte një herë Çamëria. Shopenhaueri, ky filozof i madh gjerman ka thënë: “Inteligjenca, potenca intelektuale manifestohet jo vetëm në veprat origjinale, por dhe në sjelljen, shkrimet, vlerësimet ndaj të tjerëve. Një intelektual i vërtetë dallohet dhe nga qëndrimi miqësor e vlerësues ndaj veprave të të tjerëve, bashkëkohës ose jo”. Edhe pse të gjithë shqiptarët ndjejnë se punët e këtij vendi po shkojnë keq e më keq, kjo nuk do të thotë që të harrohen, të shkelen me këmbë apo të tjetërsohen kauza të tilla madhore që fqinjët tanë ballkanikë shquhen për antishqiptarizëm, i ruajnë të shenjta se e duan kombin dhe vendin e tyre, edhe pse manifestojnë shovinizëm. Do të doja që këtë institucionalizim të dëgjonin dhe ta vlerësonin ata që quhen shtetarë dhe qeveritarë, diplomatë dhe institucione të çështjes kombëtare se është nder për ta që të jenë pjesë e një kauze të madhe si kauza e Çamërisë. Po kush, cilët, si e qysh, lindin pyetjet. Po me Akademinë e Shkencave, me institutet e historisë dhe me të gjithë ato organizime që paguhen për çështjen kombëtare dhe harrojnë të rëndësishmen dhe atë që dhemb dhe kullon gjak e lot nga dhimbja e madhe 75-vjeçar. Sa do të doja që një ditë të ishim bashkë siç erdhëm dikur bashkë dhe u bëmë bashkë, e donim njeri–tjetrin, e ndihmonim dhe kishim dëshirën të takoheshim e të bisedonim etj. Eh, sa do të doja shumë për …kauzën e Çamërisë.