Çunat e Londrës apo të Tiranës ? Amnistia fiskale ligjëron praktikën me dy standarte, që Reforma u zotua t’i luftonte

97

Amnistia fiskale ligjëron pikërisht praktikën e standardeve të dy dhe shumëfishta, që Reforma ishte zotuar t’i luftonte.Të paktën formalisht, shteti shqiptar sot ka disa nga ligjet më të rrepta për evazione fiskale në nivele të ulëta

Sigal

Kur filluan diskutimet e para për Reformën në Drejtësi, thuajse tetë vite më parë, justifikimi kryesor për të ishte i thjeshtë: një shoqëri ku padrejtësia dhe korrupsioni ishin kthyer në standard jetese nuk mund të zhvillohej ekonomikisht.

Megjithëse jo i plotë si argument – ndikimi i politikës në gjyqësor ishte një element që diskutimet e atëhershme e anashkalonin në mënyrë të vazhdueshme – themelet e tij ishin të shëndosha. Historia e zhvillimit politik dhe ekonomik ka treguar qartësisht se rrugë të shkurtra drejt suksesit nuk ka.

Shoqëritë e zhvilluara nuk janë ato që gjejnë burime pasurimi të shpejtë, por vetëm ato që sigurojnë të drejta të barabarta dhe të qëndrueshme për të tërë. Jo rastësisht, publiku shqiptar fillimisht e mirëpriti Reformën, me shpresë se standardet e dyfishta nuk do ishin karakteristika dalluese e sistemit politiko-ekonomik shqiptar.

Por vjen nisma e qeverisë për amnistinë fiskale, si akti më i fundit për të bindur edhe skeptikët e mbetur, se dëshira për të ndërtuar një shoqëri të drejtë nuk ishte kurrë e vërtetë. Amnistia fiskale ligjëron pikërisht praktikën e standardeve të dy e shumëfishta, që Reforma ishte zotuar t’i luftonte.

Të paktën formalisht, shteti shqiptar sot ka disa nga ligjet më të rrepta për evazione fiskale në nivele të ulëta. Të shumtë janë gjyqtarët e larguar nga sistemi i drejtësisë, pa përjashtuar edhe ata që nuk justifikojnë shifra thuajse qesharake.

Në po të njëjtën frymë, shteti shqiptar ka kriminalizuar veprime pothuaj të pafajshme, si rindërtime banesash, në pritje të një leje formale. Nga ana tjetër, po kjo qeveri sot ka pranuar se është e gatshme të shfajësojë çdo lloj pasurie të vendosur jo thjesht në mënyrë korruptive, por edhe kriminale.

Kjo jo vetëm është një tallje me të gjithë përpjekjen e deri sotme për të ndërtuar një shtet ligjor, por është edhe një ftesë e hapur për të vazhduar aktivitetet kriminale, që po gërryejnë shoqërinë tonë.

Le të jemi të qartë për diçka: kjo nuk është rruga e pasurimit të Shqipërisë, as e kapërcimit të ndonjë krize ekonomike. Çdo ide, fabul apo narrativë që vazhdon të përmendë pastrimin e pasurisë, pa përjashtuar atë kriminale, si një hap normal në zhvillimin e një vendi është tërësisht e gabuar dhe aspak e bazuar në eksperiencat e shoqërive të zhvilluara.

E kundërta është e vërteta. Shoqëritë që nuk e kanë luftuar krimin dhe korrupsionin janë shkatërruar prej tyre. Ato janë shoqëri ku askush nuk ka arsye për të investuar apo për të prodhuar, për t’u arsimuar apo për të sjellë risi.

Shoqëritë e kriminalizuara janë ato ku të rinjtë e talentuar largohen, sapo gjejnë një mundësi. Iluzioni se zhvillimi i Shqipërisë mund të ndodhë nëpërmjet mënyrave të tilla, duhet të marrë fund njëherë e mirë.

Mbi të gjitha, kjo nismë, me shumë gjasa, do të ketë një përdorim tjetër fundor: pastrimin e parave të korrupsionit në nivelet e larta të politikës shqiptare, pikërisht atëherë kur shoqëria priste dënimin e tij.

Megjithëse formalisht, ligji është paraqitur si një nismë për të formalizuar pasuri, qoftë edhe kriminale, të krijuara kryesisht në emigracion, praktikisht akti shuan mundësinë për të ndjekur paratë e krijuara nga aktivitete të ndryshme, edhe në brendësi të vendit.

Duke mënjanuar nevojën për të deklaruar burimin e pasurisë, politikanë dhe funksionarë të lartë të administratës publike sot kanë një rrugë tejet të thjeshtë dhe ligjore për të formalizuar pasuritë e tyre nëpërmjet kontakteve përtej familjes së ngushtë. Asnjë akt i ligjit nuk garanton se këto lehtësi nuk mund të përdoren nga personat në fjalë. E kundërta është më e mundshme: ligji është menduar pikërisht për këtë arsye.

Një ligj i tillë, nëse do miratohej, do krijonte efekte shkatërrimtare afatgjata për ekonominë dhe politikën shqiptare.

Ligji do zhdukte përfundimisht çdo lloj iluzioni se shoqëria shqiptare mund të kthehet në një ekonomi moderne, e bazuar në konkurrencën e barabartë, ku vlerësohet puna dhe sipërmarrja, e ku fëmijët rriten që në moshë të hershme, me modele suksesi të shëndosha.

Me këtë ligj, ekonomia do krijonte një varësi kronike ndaj parave të pista. Për këdo që kërkon një pasqyrë të problemeve që kjo do krijonte, nga Kolumbia në Afganistan, modelet janë të shumta.

Akoma më e zymtë është perspektiva politike e vendit me këtë ligj. Pikërisht atëherë kur shoqëria shqiptare duket se po fillon të artikulojë, gjithmonë e më shumë, nevojën për një ndryshim të sistemit në elitën e politikës shqiptare, pastrimi i parave të korrupsionit do prodhonte efektin e kundërt.

Klasa politike aktuale, jo vetëm që nuk do largohej, por do çimentohej gjithmonë e më fort në pozitat e saj nëse do ishte e lirë të përdorte haptazi pasurinë e saj. Ideja se Shqipëria do kthehej në një shtet europian, me të drejta të plota, i integruar politikisht dhe ekonomikisht, duke i afruar mundësi qytetarëve të saj, do merrte fund përfundimisht.

Për këtë arsye, kjo çmenduri duhet të ndalet sa më shpejt. Pak rëndësi ka nëse nisma do të favorizonte më shumë “çunat e Londrës” apo të Tiranës. E humbura e madhe do të ishte shoqëria shqiptare./Monitor