Evdal Nuri: Dy 17-marset e Besim Nurit                                                 

395
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Me rastin e 101-vjetorit të letrës drejtuar Presidentit Wilson dhe 86-vjetorit të vdekjes .     

Çdo 17 Mars, por në vite të ndryshme, do t’na kujtohet  Besim Nuri . Ajo e 17 Marsit 1920, datë  me rëndësi  historike  për letrën që i dërgoi Presidentit  të SH.B.A. Wilson , e cila  e përjetësoi si një patriot  largpamës.  E dyta, 17 Mars 1935, kur ndërroi jetë  në moshën 52 vjeç, i  pavlerësuar  dhe  i persekutuar nga regjimi në fuqi! Vetëm 45 ditë nga përfundimet e punimeve të Kongresit të Lushnjes.  Besim Nuri  ndërmori një akt patriotik që askush s’e kishte menduar . Ai duke besuar në drejtësinë e ndihmën nga SH.B.A. i dërgon Presidentit Wilson një letër. Letra është e shkruar me dorë,( me pendë a stilolaps) .Meriton vëmendjen e mëtejshme të studiuesve. Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipëria, quhet Mëmë dhe dhimbja për Kosovën dhe Çamërinë për tokën dhe detin.  Kush tjetër veç Besim Nurit e ka ndërmarrë   këtë  akt  kaq  patriotik ?  Ç’thotë Besim Nuri në letër ?


Letra e Besim Nurit drejtuar Presidentit Amerikan Wilson

17 mars 1920.
Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikës
I shteteve të Bashkuem Vashington
Shqiptarët që kanë mbështetun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.
I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike . Nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.
Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike.
Kryetari Katundaris së Lushnjës
Lushnjë, më 17.3.1920 .
Në fillim të vitit 1920, Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre, duke thënë se “populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten”. Wilsoni i fuqishëm refuzoi, siç tha vet Ai, “padrejtësinë” ndaj popullit shqiptar. Ai prej njerëzve vlerësohet, që vet i dha fund idesë së ndarjes dhe një mandati italian, që ka qenë në zemër të negociatave në Versajë. Bile, edhe në atë kohë, përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën ‘Në York Times’ të 11 marsit: ‘Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Një komb mirënjohës , ju falenderon për atë ç’ka keni bërë për Shqipërinë. Edhe pse ka kaluar një shekull, shqiptarët nuk e harrojnë mirësinë e dinë t’a vlerësojnë. Kjo u konkretizua me ngritjen e Bustit në një nga sheshet kryesore të Tiranës. Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson?  Po kush e përktheu?  Ai ishte Besim Nuri, patriot, një ndër figurat më të shquara të viteve  20 -të .

Kush ishte Besim Nuri?

Besim Nuri u lind në Berat në muajin gusht të vitit 1883.  Mësimet e para me shkrim i mori në gjuhën fetare, arabisht. Shkollën e mesme e kreu në Berat, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në Itali dhe Stamboll. Besimi Nuri fliste rrjedhshëm disa gjuhë: Turqisht, Italisht, Arabisht, dhe Frëngjisht. Në vitin 1907, erdhi familjarisht në Lushnjë. Këtu ai u shqua për veprimtari atdhetare. Në janar të vitin 1909, e gjejmë në krye të një demonstrate, bashkë me shumë patriotë lushnjarë për të kundërshtuar vendimet e pa drejta të administratës osmane në kurriz të popullit lushnjar.  Besim Nuri u vu në krye të veprimeve  të komunitetit   myzeqarë e më gjerë. U  arrestua me akuzën si shkaktar i “turbullirave”. Në burg ai torturohet barbarisht, por shpirtin i tij luftarak dhe etjen për drejtësi, osmanët nuk e mposhtën dot. Besim Nuri ishte një mbështetës i flaktë i Kuvendit të Vlorës dhe vendimeve të tij. Në dhjetor të vitit 1919 në kohën kur po bëheshin përgatitjet e fundit për thirrjen e Kongresit në Lushnjë, Besim Nuri mbante postin e Kryetarit të Bashkisë. Marrja përsipër e zhvillimit të Kongresit në Lushnjë ishte një përgjegjësi e madhe. Kjo mund t’i kushtonte dhe jetën, por dashuria e madhe për Atdheun, e çuan atë të merrte parasysh kërcënimet . Këtë detyrë e realizoi më së miri. Ai deklaronte: “Për nder e liri u bëm  ball bajonetave të huaja, e kemi thirr këtu (në Lushnjë) vëllezërit në besë që sot është Shqipnia e liberueme”. Besim Nuri ,si beratas   nxiti e përkrahu Memorandumin e Beratit me vendimin  :” Shqipëria nën Mandatin Amerikan”. Ky Memorandum u firmosur nga  21 beratas  patriot me emër, s’i avokatë, direktorë arsimi, sekretarë të drejtësisë, tregtarë e tjerë, u  firmos dhe nga K. Kota që në të ardhmen krehu  dy herë  detyrën e Kryeministrit në qeverinë e Zogut, por më vonë i persekutuar deri në vdekje nga Diktatura! Memorandumi  iu  dërgua Konsullit Amerikan, më 30-04-1919. Besim Nuri   në vitin 1925, burgoset nga regjimi i kohës. Si rezultat i protestave të popullit të Lushnjës  lirohet nga burgu. Vdiq në Lushnjë, më 17- Mars 1935. Jetoi  vetëm 52 vjeç, shumë pak në kohën që Atdheu kishte shumë nevojë për të.  Sipas dëshmive, Besimi u varros në dalje të qytetit të Lushnjës në vendin e quajtur“Kodra e Kalifas”, aty ku dhe ai kishte lënë amanet.  Vonë, shumë vonë, vetëm  më datë 27 shkurt 2014, pas 79 vjetëve u arrit   të gjendej varri i tij. Në gurin e varrit shkruhej: “Velhac Ylbaki. (Osmanisht). Pastaj vijon në shqip: “Qëndro o ti që para kës. fle Besim Nuri”. l. 8. 1883 vd. 17. m. 1935. Më saktë, shkrimi është: “Qëndro o ti që para kësaj fle Besim Nuri”.  Vlen të përmendim se sipër mbishkrimit gjendet i skalitur një yll me gjashtë cepa, por që ruhen vetëm tre prej tyre.

Besim Nuri ishte për Republikë Parlamentare, duke përkrahur Qeverinë Demokratike të Fan Nolit.         
Regjimi  i Zogut , si kundështarë e arestoi. Ai gjithë  jetën ishte në krahë të vegjëlisë. Është interesante që kur vegjëlia e Lushnjes mësoi se do  gjykohej në Tiranë, ashtu si ishte i  lidhur  mbi  një kalë e shoqëroi në  këmbë deri në Tiranë. U akuzua për vrasje e u dënua me vdekje.  Kjo akuzë  nuk u provua dhe pas shtatë muaj  doli nga burgu.  Gjatë  rrugës  për Tiranë , por dhe nga kushtet e këqia në burg, kishte marrë të ftohtë,  deklaron mbesa  e tij Liljana. Të kuptohemi , unë tek ky artikull kam shkruar ,ç’kam lexuar e dëgjuar, por sa aktivitete të tjera ka ky patriot i shquar?! Është detyra e historianëvë që t’i zbulojnë e mbi bazën e kontributit  t’i pasqyrojnë  me vërtetësi  kontributin e  të vlerësohet figura e këtij patrioti largpamës, trim e guximtar.  Ky  ishte Besim Nuri, i lënë në  haresë në atë, por dhe në  këtë kohë !