Moisi Dalipi: Muhedin Targaj, kapiteni lab i “Dinamos”

857
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ish futbollisti i njohur Muhedin Targaj , në garderobën e  tij personale mban si një vlerë të çmuar dhe tepër të  vecantë tre uniforma sportive. E para është  uniforma  e skuadrës së tij  të parë kur nisi futbollin  në vitin 1971 “Minatori” të Memaliajt. E dyta  fanella më e dashur  që i qëndroi  besnik dhe shkroi  një histori sportive në vitet  1973-1987  ajo e” Dinamos” . Por këtyre nuk mund t’ju  qëndrojë e shkëputur  fanella   e ekipit tonë kombëtar  , që siç  thotë Mujo (  kështu  i flasin shokët dhe tifozët) e ka bërë krenar si  futbollist dhe kapiten  skuadre në stadiumet evropiane. Të tre këto fanella sportive  qëndrojnë  aty tërë  kohën bashkë  në garderobën e tij  dhe kanë vazhdmisht kujdesin  e bashkëshortes, Irmës. Shpesh herë   Mujo Targaj ju bën nga një “vizitë”  vlerave të tij ,duke i marrë  në dorë e  puthur dhe  ndihet i kënaqur  nga  ngjyrat dhe  aroma e tyre.-“Këto tre fanella sporti  gjithëçka  për mua . Ato janë  biografia ime sportive e përjetuar në çdo ndeshje. Mua më duket se ato mbajnë  ende erën e djersës të trupit tim nëpër vitet  e karrierës  sportive” ,– thotë me shumë  nostalgji Targaj.b Por jo vetëm kaq. Ato tre fanella simbol krijojnë  një  mjedis të jashtëzakonshëm shpesh  herë  në festat  familjare të familjes  Targaj . Fëmijët e të dy vajzave , mbesat  e bukura si kukulla dhe nipi i vogël  i veshin ato , duke i  dhuruar gjyshit të tyre të  dashur Muhedinit  surprizat  më të këndëshme. Dhe këtë gjetje kaq interesante ata  pritën t’ia dhurojnë  gjyshti  të dashur përsëri edhe sot që ai feston  66 vjetorin e lindjes.

Dashuria për futbollin dhe “Minatori” i Memaliajt
Sot këto detaje natyrshëm  që  e rrisin nostalgjinë dhe bëjën që mosha e kujtimet e kapitenit  legjend   të lëvizin   drejt atyre viteve kur Muhedin Targaj  nisi të  luajë futboll  me shokët e fëmijërisë në rrugicat  dhe sheshet e lagjes , atje   në qytetin  e tij të dashur të Tepelenës. Nuk  mund t’i harrojmë , ato ndeshje të bukura futbolli  që zhvillonte së  bashku  me shokët   e  lagjes dhe qytetit  në  oborrin e shkollës “Abaz Shehu”, por  dhe  ato  që luheshin  në stinën e verës buz  lumit Vjosë. Që në  ato vite kur ishte  ende pa i mbushur 16 vjeç , trajnerët e njohur të   futbollit  Karafil Asllani dhe Partizan Hila  do ta  bënin  pjesë të skuadrës së tyre të  “Minatorit “ të Memaliajt, këtë  djalosh  shtatlartë  që futbollin e dashuronte fortë . Mungesa  në ato vite të një ekipi dhe fushe futbolli në Tepelenë, bëri që  ky pinjoll i familjes me  7 fëmijë të ekonomistit  të nderuar Neki Targaj ta pranojë pa hezitim  kërkesën e skuadrës nga Memaliaj. Rugën prej disa kilometra  Tepelenë –Memaliaj  dhe kthim  shpesh herë ai  e ka bërë dhe  në këmbë, për të mos  munguar në  asnjë seancë stërvitje dhe ndeshje. Në skuadrën e “Minatorit “ të Memaliajt në  vitet 1971-1973  , përveç mbrojtësit Muhedin  Targaj  do bënin pjesë dhe  futbollistët cilësor si Vladimir Shehu ( sot trajner futbolli),Reshat Sala dhe Mehdi Malka ( sot aktor teatri). Skuadra e tyre pjesë  Kategorisë  dytë  ishte një kundërshtare e fortë për    skuadrat e  Përmetit , Sarandës ,Delvinës, Himarës , Ersekës ,Skraparit, Librazhdit e të tjera ekipe  që kanë pranuar dhe  humbjen në fushën e lojës. Në çdo ndeshje që zhvillonte  në fushën e tij “Minatori” i  Memaliajt, grupi i tifozave nga Tepelena  të drejtuar  nga kryetifozi  Ibrahim Selimi  do ishin të pranishëm   përqark fushës  sportive në mbështetje të djaloshit tepelenas Muhedin Targaj . Dhe pas çdo ndeshje që do fitonin ,  kur ktheheshin ata së bashku  me idhullin e tyre  do festonin gjatë  në rrugët e qytetit të tyre: Tepelenës . Në muajin  maj  të vitit 1973 , në ndeshjen “Minatori “ Memaliaj  me  “Shkëndin e “Tiranës, specialisti i njohur i futbollit dinamovit  Skënder Jareci ka pikasur  si  të përzgjedhur  të tij,  qëndërmbrojtësin e skuadrës vendase Muhedin Targaj. Drejtusit dhe shokët  e skuadrës  të Memaliajt u ndien keq , që do të largohej nga rradhët e ekipit të tyre ky djalosh i fuqishëm që e vuri  talentin  , dhe  të gjitha  energjitë   në shërbim të  futbollit .

Me  “Dinamon” 14 vjet futboll plot vlera dhe suksese
Në verën e vitit  1973  të gjithë shokët e skuadrës dhe tifozët e shumtë i uruan fat dhe suksese Muhedin Targajt  tek ekipi  i kryeqytetit “Dinamo”. Tek kjo skuadër  cilësore   për mbrojtësin Muhedin Targaj  ,filloi  udhëtimi i bukur  në botën e  bukur të  futbollit.Tek “Dinamo “  ai  gjeti  me të gjitha përmasat  e saj  përqëndrimin , stërvitjen profesionste  dhe disiplinën  sportive për çdo  ndeshje . Pas  një faze përgatitore verore  të fortë  së bashku me shokët e skuadrës të “Dinamos “ të atyre viteve si portieri Rama , mbrojtësat  Mergjyshi,Gjinali , Ibershimi , Sejdini , mesfushorët Ciraku ,Xhafa Hysi ,Ceco , sulmuesin  golshënues Pernaska e të tjerë , mbrojtësi 19 vjeçar  MuhedinTargaj do të  rreshtohej menjëherë  në repartin e mbrojtjes . Ndeshja e tij e parë me  fanellën  blu do  të jetë  ajo kundër ish 17 “Nëndorit” më 25 gusht 1973 , për Kupën e “Shtypit Popullor “. Dhe skuadra e tij ,” Dinamo “ do fitonte me rezultatin 2-1 ,  duke i dhënë  kështu  mbrojtësit të ri   motivimin dhe kënaqësitë e para të karrierës sportive. Pas asaj  ndeshje trajneri Skënder Jareci  do ta përgëzonte fort për debutimin e suksesshëm  mbrojtësin premtues  Muhedin Targaj. Ndoshta është  koicidencë , por në  një farë  mënyre dhe zgjedhja e tij që ndeshja e parë karierës  ka nisur me bardheblutë e Tiranës , por dhe  ajo e lamtumirës me futbollin është  ndeshja e muajit Maj 1987   “Dinamo” –17 “Nëntori” e fituar nga dinamovitët me rezultatin 4-3. Dhe kështu pas atij  fillimi të mbarë nga ndeshja në ndeshje dhe nga sezoni në sezon për 14 vitet që  luajti futboll deri në moshën 32 vjeçare Muhedin Targaj i qëndroi besnik vetëm skuadrës së tij  të  dashur “Dinamos “.

Tre breza me futbollistë   ka pritur dhe përcjellë  ai  si futbollist dhe kapiten  në karrierën  e tij tek “Dinamo”, duke filluar tek ajo skuadër e vitit 1973 dhe  për të vazhduar  në  vitet më vonë me shokë skuadre Luarasin , Saren,  Dautin, Gjonin , Çoçolin, Gegën , Zërin , Ballgjinin , Bregun , Markon , Çobanin , Kuqin , Demollarin, Canaj,Vilën , e shumë e shumë të tjerë që i dhanë emër  kësaj skuadre. Dhe së  bashku të  gjithë janë gëzuar  për sukseset  dhe arritjet e  skuadrës së tyre, ashtu siç nuk janë ndier mirë kur nuk janë realizuar  objektivat  nga  “Dinamo” e tyre e  dashur. Në vitet që Muhedin Targaj  luajti futboll , të gjitha skuadrat  shqiptare  pësuan një rritje cilësore në mënyrën  etë luajturit dhe synimeve  që ato kishin  për të fituar trofe. “Partizani”, 17 “Nëndori “ ,”Vllaznia “ , “Flamurtari” ,” Besa “, ‘Labinoti”, por dhe “Lokomitiva” “Apollonia’ “Luftëtari” “Skënderbeu” e të tjerë, sa herë ndodheshin përballë ‘Dinamos “ do të përballeshin me tërë  potencialet e tyre sportive për të marrë rezultat pozitiv . Duke  kërkuar  të bëjë një vlerësim për sulmuesit me të cilët  Targaj ka pasur  më shumë punë  gjatë ndeshjeve , ai tregohet shumë i kujdesshëm dhe  e  përmbledh  gjithëçka  në  fjalët se :  “Në ato  vite që unë kam luajtur futboll, tek të gjitha skuadrat ka pasur sulmues që kërkonin vëmendje dhe kujdes”. Trajnerët  që kanë punuar me “Dinamon“ në vitet  1973-1987  si Skënder Jareci, Durim Shehu , Saimir Dauti Sabri Peqini , Stavri Lubonja dhe Fatmir Frashëri sa herë që do të duhej të bënin vlerësimin e futbollistëve të tyre , kur vinte rradha  për Muhedin Targaj,  ata do të rezervonin   gjithëmonë fjalët më të mira. Sa i ashpër “ dhe autoritar dukej Targaj në fushën e lojës  me kundërshtarin , po aq  miqësor  do  të  ishte  pas ndeshjes me të gjithë . Pikërisht  këtu merr spjegimin e tij dhe  fakti, që dhe sot  kur kanë kaluar shumë vite që janë larguar  nga arena e futbollit të luajtur ata kanë mbetur dhe janë miq dhe familjarë  të mirë me njëri –tjetrin . “Sporti i bashkon njerëzit” – thotë  Targaj, që  shpesh e gjen  në  shoqëri të  ngushtë me tiranas dhe partizanas , vlonjat dhe shkodran , korcar dhe  kavajas, fierak  e durrsak. Më  poshtë  kapiteni  dinamovit do të shtojë-”Kundërshtarë në fushë , miq të vërtetë  në jetë”. Kjo  ka qënë  si deviz motivuese  e brezit tonë që kemi luajtur futboll në ato vite”. Në harkun  kohor të  viteve  1973 -1987  me ekipin e  tij,  “Dinamos  mbrojtësi dhe kapiteni elegant  Muhedin Targaj numëron plot  507 ndeshje  për kampionat dhe Kupa . Në vitet 1980 -1987  për plot  7 sezone  futbollistike ai ka qënë  kapiten i skuadrës “Dinamo “.Një  futbollist  dhe kapiten me të vërtetë shembullor për të gjithë  në fushën e lojës , që nuk   është  ndëshkuar  asnjërë me karton të kuq. Ish gjyqtari i njohur në ato vite  Arsen Hoxha thotë” –Kam pasur rastin  ta gjykoj në shumë ndeshje të  rëndësishme dhe të vështira Dinamon e atyre viteve. Të them të drejtën kapitenin e  skuadrës dinamovite Targaj  e kam pasur ndihmesë për gjithëçka ..Ai ishte një shembull i vlerësuar  për  shokët e skuadrës së tij , kundërshtarët dhe për  ne gjyqtarët. Edhe pse  ishte mbrojtës ai luante futboll të kujdesshëm e të pastër , për të mos e dëmtuar sulmuesin kundërshtar. Një  mbrojtës dhe kapiten skuadre të tillë  si Muhedin  Targaj  shumë rrallë i vjen futbollit shqiptar”. Se  ishte i tillë  në fushën e lojës dhe jashtë  saj   ndaj me të drejtë dhe sot  ky  kapiten skuadre, si pak kush tjetër  ndihet  shumë krenar që me “Dinamon” e tij  ka  fituar  5 herë titullin  kampion kombëtar në sezonet  1974-1975 , 1975-1976, 1976 -1977,1979-1980 dhe 1985-1986 . Është dhe 2 herë fitues  i  Kupës të Shqipërisë në vitet 1974-1979 . Këtyre trofeve  ju bashkohen  bukur  po  2 herë të tjera  , sukseset  e “Dinamos “ si   fitues i  “Medaljeve të   Arta”  në Spartakiadat Kombëtare të viteve   1974-1979 . Të gjitha këto trofe të fituara , nuk  janë pak dhe si   askush tjetër  për karreirën e futbollistit  dhe kapitenit  të “Dinamos “,  Muhedin Targaj  i njohur  mirë  nga të gjithë si një lab i “butë”, Plot kredo sportive  dhe energjik  në fushën e lojës , miqësor  dhe përgëzues me tifozët e simpatizantët e skuadrës së tij  ai do   t’i  bënte  vend respektit  në çdo  qytet të Shqipërisë , ku shkonte për të luajtur futboll.

Aq i vërtetë është ky fakt   , sa  që  dhe sot e tregojnë në Tepelenë, se në  ato vite që luante futboll Targaj   me “Dinamon” . Thuajse të gjithë tepelanasit u bënë tifoza të “Dinamos”. Por siç tregojnë  tifozat  e këtij qyteti  nuk  janë mjaftur me kaq . Ata shumë herë kanë udhëtuar në ato vite  në Gjirokastër,Vlorë , Fier  dhe deri në Tiranë për të ndjekur  nga afër “Dinamon “ e kapitenit Targaj. Është fakt se ” Dinamo” e viteve  80-të ka luajtur ndeshje të bukura  , të ngarkuar me emocionet e futbollit bashkëkohor, jo vetëm në kampionatin shqiptar , por dhe në prezantimet për Kupat e Evropës. Me Targaj në mbrojtje , Markon, Zërin , Demollarin   në mesfushë dhe Pernaskën e Ballgjinin në vijën e sulmit,”Dinamo”  në vitet  1980 -1986  ka marr  pjesë   5 herë në Kupat e  Evropës duke u  ballafaqur me dinjitet  përballë  kundërshtarëve të fortë  në ndeshjet  me “Ajaksin”,” Karl – Zeizz Jena”, “Aberden”, “Harman “-Spartas , “Sprotig”- Lisbon  dhe “Beshiktas”. Edhe pse vetëm për  sezonin  1985-1986  të Kupës  U.E.F.A skuadra  e “Dinamos “ ka kaluar në turin e dytë  pasi në  turin e parë  eliminoi   maltezët e “Harmanit”  në   ndeshjet që zhvilloi në fushën e  ka  njohur  humbjen në rezultatin minimal  0-1 edhe pse përball ka pasur skuadra të nivelit të lartë evropian. Për këto ndeshje  kapiteni  Targaj spjegon:-“ Në këtë  periudhë ne  si skudër kemi zhvilluar   6 ndeshje për Kupat e Evropës. Por shorti nuk është siç po veprohet në këto vitet e fundit. Atëhere ballafaqoheshe që turin e parë me emër të mëdhenj dhe mundësia eleminimit ishte më e madhe. Gjithsesi unë dua t’i falendoroj shumë të gjithë  që në ato ndeshje kemi dhënë maksimumin dhe kemi treguar vlera  të futbollit   dhe përballë klubeve të mëdha evropiane”. Të gjitha këto, që ndryshe  vlerësohen dhe  si epoka e një futbollisti dhe kapiteni  legjend, i  sollën  labit  Muhedin Targajt shumë  keqardhje dhe   nostalgji atë ditë të majit  1987  , në ndeshjen “Dinamo” –“Tirana”, kur ai  në moshën 32 vjeçare  do t’i  jepte lamtumirën futbollit të luajtur me skuadrën e tij të  dashur. Rikthimi Targaj  në  vitet 2001-2005  në detyrën e drejtorit teknik tek “Dinamo “ erdhi si një detyrim për t’i shërbyer  skuadrës që i dha  gjithëçka  nga vitet e tij më të  mira të jetës dhe  mori prej saj emrin e një futbollisti  dhe kapiteni të madh  e të respektuar .

“Biografia” kuqezi e  kapitenit  Targaj
Më i plotë dhe tërheqës bëhet portreti i kapitenit –lab të “Dinamos” , mbrojtësit legjend Muhedin Targaj  me  kontributin që ai ka dhënë me ekipet kombëtare të Shqipëris ë. Dhe  gjithëçka  ka  filluar  me ekipin kombëtar  të U-21 të Shqipërisë ku ka zhvilluar  7 ndeshje. I veçantë  është   viti 1981 ,  ku Targaj së bashku me mikun e tij portierin Perlat Musta edhe pse ishin  mbi moshë  janë pjesë e  skuadrës të trajnerit Shyqyri Rreli që është  shpallur për herë të dytë në historinë e saj  Kampione Ballkani.  Finalet e këtij kampionati Ballkanik janë zhvilluar në Vollos të Greqisë. Në ndeshjen me Rumaninë  kuqezinjtë  21 vjeçarë  fituan  me rezultatin  4-1 . Në finale janë  përballë Bullgarisë ,që kishte ardhur me një grup lojtarësh të cilët pas një viti të gjithë ishin në Kombëtaren e Bullgarisë. Shqipëria fiton 3-1  me gola të shënuar nga  Roland Luci , Hasan Lika dhe Muhedin Targaj duke u shpallur me meriët fitues të Kampionatit  Ballkanik për  ekipet U-21 .Gjithsesi  këto ndeshje me kombëtaren e  U-21 janë  thjeshtë një “nxemje” për mbrojtësin dhe kapitenin Muhedin Targaj që   në harkun e viteve 1980-1985  do zhvillonte  22 ndeshje me ekipin kombëtar dhe  do të shënojë  3 gola me gjuajtjet e sakta  nga pika e penalltisë në ndeshjet kundër Filandës në 2.9.1981 , kundër  R.F.GJ. në 30.3.1983 dhe  Austrisë  më  8.6.1983 .E ka veshur për herë të parë fanellën kuqezi të ekipit kombëtar  si mbrojtës i majtë në  3 shtator1980 në  atë ndeshje të fituar 2-0  përballë Finlandës dhe e ka mbyllur  aventurën kuqezi më 30 tetor 1985 në ndeshjen Shqipëri –Greqi , ku dhe barazimi 1-1  kënaqi ambicjen sportive të  këtij kapiteni të shumë ndeshjeve të ekipit tonë kombëtar. Por në memorjen e tij  dhe sot  vijnë ndeshjet e vështira, por të bukura   si ato  ndaj R.F.GJ .Turqisë , Greqisë  , Austrisë , Polonisë dhe Belgjikës . E si mos ta kujtojmë sot , kapitenin Targaj dhe shokët e skuadrës atë  fitore   2-0 ndaj Belgjikës  më  22 dhjetor 1984 , në stadiumin “Qemal Stafa “, kur  gjithëçka në  Shqipëri mori  ngjyrat e bukura  kuqezi . Këto  ndeshje të  paharrura , si dhe shumë  të tjera si ato , i kanë  dhënë   Muhedin Targaj një vend të merituar  në  podiumin e artë të futbollit shqiptar.

Skeda e Muhedin Targaj
Lindur : Në Tepelenë më  17  mars  1955
Karriera  si futbollist: Në vitet 1971-1973  “Minatori” – Memaliaj, me 32 ndeshje të zhvilluara, në vitet 1973-1987  “Dinamo”-Tiranë, 507 ndeshje të zhvilluara. 1978- 1981 me ekipin kombëtar U-21  me 7 ndeshje të zhvilluara dhe 1 gol i shënuar  dhe 1980-1985 me ekipin kombëtar të Shqipërisë  me 22 ndeshje të zhvilluara  dhe 3 gola të shënuar.
Roli në skuadër: Mbrojtës krahu dhe  qendërmbrotjës si dhe kapiten skuadre  për 7 vite tek  “Dinamo”  për  5 vite  tek ekipi  kombëtar i Shqipërisë .
Trofe të fituara: 5 herë fitues i titullit kampion  kombëtar  me  “Dinamon” në sezonet 1974-1975 , 1975-1976, 1976 -1977,1979-1980 dhe 1985-1986.  2  herë  fitues  i  Kupës të Shqipërisë në vitet 1974-1979  dhe  po 2 herë fitues  i Medaljeve të Arta  në Spartakiada Kombëtare të viteve   1974-1979 . Kampion Ballkani në vitin 1981  me  ekipin kombëtar  U-21  të Shqipërisë .
Detyra të kryera në shërbim të futbollit:  Në vitet 2001-2005  është Drejtor Teknik i “Dinamos” dhe  vitet 2001-2017  për katër mandante rresht është antar  i  Komitetit Ekzekutiv të F.SH.F-së.
Vlerësime për karrierën: Fitues  6 herë i anketës “Sportisti më i mirë i klubit “Dinamo”  , fitues 2 herë i  anketave  kombëtare  “10 sportistët më të mirë të vitit”, “Mjeshtër i  Merituar Sporti”, “Nderi i Futbollit Shqiptar”, “Legjenda e  Futbollit “ . “Mjeshtër  i Madh”  dhe  “Qytetar Nderi” për  qytetet Memaliaj dhe Tepelenë.