Eglantina Gjermeni:“Politika të jetë e para që të zbatojë ligjet!”

360
Sigal

INTERVISTA/Eglantina Gjermeni, deputete e PS-së: “T’u japin qytetarinë institucioneve të negocimit dhe kompromisit”

PS-ja, ditët e fundit organizoi një tryezë bashkëbisedimi për shqetësimin e madh të ditës, të  fenomenit të përhapjes së dhunës në familje dhe kundër grave. Deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni, një nga aktivistet e reagimit shoqëror dhe politik kundër dhunës në familje dhe kundër grave, në intervistën për “Telegraf”, analizon shkaqet sociale që ushqejnë këtë dhunë dhe, njëkohësisht, ngre shqetësimin që të gjithë ne, si individë, si shoqëri, por edhe politika duhet të reagojmë, së pari duke ndryshuar shoqërinë shqiptare, e kjo, sipas zonjës Gjermeni, kërkon kontributin e secilit/secilës.

 –  Zonja Gjermeni, kemi arsye të besojmë, se politikbërja do të ndryshojë, në të mirë pas zgjedhjeve?

Politika edhe aktorët politikë në një shoqëri kanë një ndikim të konsiderueshëm në krijimin, ndryshimin, reformimin, apo imponimin e modeleve të qeverisjes dhe prej këtu edhe në modelin e qytetarit/qytetares, bashkëveprimit me qytetarët e tjerë, krijimin e kulturës qytetare dhe politike të shoqërisë. Politika në Shqipëri duhet të mësojë t’u japë qytetarinë institucioneve të negocimit, të aleancave, të kompromisit, të dorëheqjes, të zgjidhjes së problemeve përmes bisedimeve,  argumenteve, larg gjuhës së personalizimit edhe urrejtjes. Gjithçka, që ju përmendët, polarizimi, apo mungesa e bashkëpunimit, kanë krijuar një ndjesi mosbesimi tek opinioni publik dhe mendoj se, humbja e besimi të qytetarëve ndaj politikës është notë e merituar për çka politika shqiptare ka bërë apo nuk ka bërë në këto 20 vite. Uroj dhe besoj që  përmes votës së lirë qytetarët shqiptarë të votojnë alternativën më të mirë për ta edhe për të ardhmen e tyre, duke e ndryshuar politikën, duke e bërë atë më të mirë dhe më të përgjegjshme.

– Mendoni se elektorati, me votën e tij do të vërë përpara përgjegjësitë shkaktarët e frenimit të integrimit?

– Mbase mund të mos ketë pasur reagimin e duhur humbja e statusit të vendit kandidat, po ajo që mund ta them me siguri është se të gjithë qytetarët shqiptarë, megjithëse duan të bëhen realisht pjesë e BE-së, janë të ndërgjegjshëm se, jemi shumë larg standardeve të vendeve anëtare të BE-së. Për të gjithë shqiptarët është shumë e rëndësishme të jenë të lirë, të gëzojnë të drejtat e tyre, të jetojnë në një vend të sigurt, të kenë arsimim, punësim, shërbime sociale dhe shëndetësore, shkurt të ndjehen realisht europianë në shtëpinë e tyre. Mendoj se, qytetarët  shqiptarë e njohin shumë mirë realitetin, pasi e jetojnë çdo ditë atë, përballen me të gjitha problemet e pasigurisë, varfërisë, papunësisë, korrupsionit dhe për më tepër mungesës së shpresës. Në këto kushte, do dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur përmes votës së tyre në 23 Qershor.

– Kemi bërë hapa regresive në konceptim e emancipimit si shoqëri, derisa dhuna në familje dhe kundër gruas shfaqet më shpesh dhe me një barbarizëm jo të denjë për një shoqëri demokratike?

Është e vërtetë që përmasat edhe makabriteti i rasteve të krimit dhe dhunës, sidomos i  dhunës ndaj gruas, janë jo të denja për një shoqëri demokratike. Jo vetëm që nuk konsiderohen të denja, por konsiderohen shkelje të të drejtave të njeriut, konsiderohen krim të gjitha këto akte dhune edhe dënohen si të tilla. Këtu dua të theksoj se ne si shoqëri nuk jemi tamam demokratike, demokracia  nuk është ajo që duam të ndërtojmë, por që realisht jemi larg të të qënit të një demokracie reale dhe funksionale. Dhuna në përgjithësi edhe dhuna ndaj gruas në veçanti, janë rezultat i shumë faktorëve socialë, kulturorë, ekonomike të cilat ekzistojnë edhe në shoqëri të tjera, por kushtet specifike në të cilat jetojmë në Shqipëri, i kanë dhënë përmasa të tilla këtij problemi të mprehtë. Për sa kohë që vajza apo gruaja të konsiderohet si pronë edhe të trajtohet si e tillë nga babai, bashkëshorti, si dashuri, apo edhe një i panjohur, ky problem do të vazhdojë te jetë gangrenë për familjen edhe shoqërinë shqiptare.

– Edhe pse dhuna në familje  dhe kundër gruas, po merr një përmasë në progres gjeometrik, disa mundohen që ta ndalin në kuadrin penal. Sa na intereson që të gjejmë shkaqet sociale, shoqërore të këtij fenomeni?

Dhuna ndaj gruas është një problem kompleks, që përfshin më shumë se sa një akt në vetvete në marrëdhëniet personale mes burrit dhe gruas. Është një problem social me përmasa të gjera që i ka rrënjët në qëndrimet historike ndaj gruas dhe marrëdhënieve martesore, trajtimi i gruas si pronë edhe diskriminimi gjinor mbështetet nga patriakalitetit i shoqërisë sonë. Viktimizimi i grave nga bashkëshortët e tyre përforcohet nga gjendja ekonomike, varfëria papunësia, mungesa e shpresës, niveli i lartë i stresit, mentaliteti dhe tradita, ndërgjegjësimi jo i mjaftueshëm i njerëzve mbi dhunën në familje, por edhe agresiviteti i jetës në Shqipëri, nisur nga agresiviteti edhe i politikës dhe modeleve që transmetohen prej saj. Pikërisht, ky kompleksitet faktorësh, shkaqesh që e lindin apo mbajnë gjallë këtë dhunë, na bën të mendojmë që përqasja më efikase për ta parandaluar edhe luftuar këtë dhunë, është përqasja e integruar. Hartim, miratimi dhe zbatimi i ligjeve është një hap i rëndësishëm, por jo i vetmi. Masat ligjore duhen koordinuar dhe bashkërenduar me masa të tjera parandaluese të tilla si: ndërgjegjësimi lidhur me dhunën si shkelje e të drejtave të njeriut, programe zhvillimi dhe punësimi, që synojnë fuqizimin e grave edhe vajzave; ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës dhe sidomos riintegrimi i tyre, etj.. Doja që të theksoja që gati një vit më parë janë realizuar ndryshime në Kodin Penal, me nismën e shoqërisë civile, por edhe me mbështetjen e kolegeve deputete e Komisionit të Ligjeve,  Vasilika Hysi dhe Ermonela Felaj, që ashpërsojnë dënimin për rastet e dhunës, por problemi sërish nuk qëndron tek gatimi i ligjeve, por tek zbatimi i tyre.

-Nuk duam, nuk mundemi, apo ka shkaqe të tjera?

Problemi i dhunës në familje është një problem që prek të gjitha shoqëritë njerëzore, por sërish unë mendoj që faktorë specifikë të realitetit tonë të tillë si: mos zbatimi i ligjeve, kultura e pandëshkueshmërisë, nevoja për reforma në sistemin e drejtësisë, kushtet e vështira ekonomike, niveli i lartë i stresit, etj., ndikojnë drejtpërdrejtë në intensitetin edhe frekuencën e saj.  Vullneti politik për ta parandaluar edhe luftuar dhunën në familje edhe dhunën ndaj gruas, nuk mund të shprehet vetëm në ligje, apo dokumente politikash, por në zbatimin e ligjeve edhe politikave, në koordinimin e përpjekjeve të të gjitha aktorëve nga shteti, në sigurimin e burimeve financiare për t’i realizuar praktikisht programet parandaluese edhe trajtuese. Shteti në respekt të Kushtetutës, konventave ndërkombëtare edhe legjislacioni shqiptar, është përgjegjës për garantimin e të drejtës së jetës së çdo individi, prandaj duhet të marrë të gjitha masat për ta garantuar këtë të drejtë.

– Cilat janë përgjegjësitë  dhe detyrimet e secilit, pastaj, si bashkësi, si shoqëri, në mënyrë që të aktivizohemi dhe të bëhemi pjesëtarë të zhvillimeve dhe përcaktues të tyre?

– Mendoj se, ndryshimi në shoqërinë shqiptare kërkon kontributin e secilit/secilës. Unë besoj se, shoqëria jonë ka nevojë të jetë më e ndërgjegjësuar, më aktive në çështjet që e prekin më shumë shoqërinë. Kemi nevojë, edhe besoj se është kthyer në domosdoshmëri, reagimi qytetar, përmes votës apo edhe përmes çdo mjeti demokratik, duke kërkuar të drejtat, duke kërkuar një jetë më të mirë e një të ardhme më të sigurt për ne, edhe për fëmijët tanë. Pjesëmarrja e qytetarëve edhe aktivizimi i tyre, jam e sigurt, që do të sjellë një qeverisje më të mirë, si edhe një politikë më të përgjegjshme.

– Çfarë duhet që politika ta bëjë këtë pjesë të aksionit të saj, shkaqet e rritjes së dhunës në familje dhe kundër gruas?

Politika mund, edhe duhet të bëjë shumë për të parandaluar edhe trajtuar dhunën në familje, edhe dhunën ndaj gruas. Në radhë të parë politika ka detyrimin t’u shërbejë qytetarëve, në radhë, të garantojë jetën e tyre, gëzimin dhe respektimin e lirive edhe të drejtave të tyre, si dhe sigurimin e një shoqërie, ku të ketë kohezion social dhe mirëqenie sociale. Politika vetëm mund të japë modelin e para, si respektuese edhe zbatuese e ligjeve, duke rikthyer besimin dhe duke imponuar respektin ndaj ligjit edhe sigurimin e zbatimit të tij. Duke qenë se politika, përmes agresivitetit që përçoi, ndikon në përhapjen e dhunës në shoqërinë shqiptare, mund të luajë një rol proaktiv në modelimin e qëndrimeve konstruktive, tolerante, konstruktive edhe bashkëpunuese, që janë vlera e parime të shoqërisë europiane, pa të cilat vështirë të konsiderojmë shoqërinë tonë si të tillë… Vullneti politik, jo vetëm në hartimin e ligjeve, por edhe në monitorimin e zbatimit të tyre, është një element tjetër, ku politika duhet të kontribuojë thellësisht. Politika të integruara, të cilat e adresojnë problemin e dhunës në kompleksitetin e vet, edhe për më tepër koordinimi i përpjekjeve të të gjithë aktorëve mbetet sfidë tjetër e politikës.

– Faleminderit!