Eduard Halimi: Ne dhamë këstin e parë dhe ka filluar i dyti, PS shpërbleu ekzekutorët

521
Sigal

Ministri Halimi deklaroi ditën e djeshme në Parlament se ligji për dëmshpërblimin është miratuar në vitin 2007, ndërkohë që janë depozituar mbi 20 mijë kërkesa për dëmshpërblim dhe ka përfunduar procesi për mbi 11 mijë prej tyre. Sipas zotit Halimi, që në ditët e para të krijimit të partisë së parë opozitare në vend, kërkesa e parë e saj ishte “lirimi i të përndjekurve politikë”. 2 vjet me vonë Partia Demokratike vendosi në themel të saj, rehabilitimin dhe një barazi sociale, shpërblim për këtë shtresë, në para dhe në pasuri, unik në rajon dhe në gjithë vendet ish komuniste. Programi  i saj ishte i qartë dhe i artikuluar saktë. Rivendosja e drejtësisë dhe dinjitetit shoqëror të të persekutuarve e të dënuarve politikë, duke dënuar krimet e regjimit totalitar komunist ka qenë dhe mbetet një ndër politikat bazë të programit të të kësaj maxhorance. Masat e ndërmarra, të cilat kanë qenë të shumta, si legjislative, administrative dhe financiare kanë pasur për qëllim krijimin e garancive për riintegrimin shoqëror të qindra e mijëra individëve të kësaj shtrese të popullsisë. PD njohu një borxh, për ata 20 mijë ish të burgosur e internuar politike dhe e ktheu atë në një pakete unike në rajon për shpërblimin e tyre.  Ministri Halimi shtoi se: “Një paketë që përfshinte shpërblime financiare, shpërblime në privatizime, banesa, ndërmarrje, fabrika, të drejta studimi, miratoi një paketë për 1 ditë pune me 18.6 dollarë, ose 20.000 lekë në ditë,  të gjitha këto unike në rajon dhe në ish vendet e bllokut. Nuk gjen në asnjë vend këtë. Siç nuk gjen në asnjë vend që ndonjë qeveri e ish- vendeve komuniste që të dëmshpërblejë diktatorët dhe persekutorët me miliona. Duke bërë bilancin dëmshpërblimeve që janë bërë nga qeveria aktuale për të dënuarit politikë ministri theksoi se: “Me ardhjen e saj në pushtet, u miratua ligji “Për statusin e ish të dënuarve politike” dhe pak muaj më vonë dhe aktet nënligjore ku të gjithë u dëmshpërblyen me letra me vlerë, para cash, banesa dhe kaluan në privatizimin e gjithë ndërmarrjeve. Gjatë ’92-’97 janë shitur  99 shoqëri aksionere, nga të cilat 89, ose 90% i kanë marrë ish të dënuarit. Janë privatizuar 2.751 objekte, të cilat u kanë kaluar ish të dënuarve politikë. U janë dhënë mbi 2.000 apartamente banimi”.

Mbi 100 milionë USD, u janë dhënë të përndjekurve

Ministri Halimi shtoi në fjalën e tij në Parlament se, “sipas Bankës së Kursimeve, sot Raiffazen  rezulton se, janë mbi 100 milionë USD që i janë dhënë ish të dënuarve dhe 63 milionë të tjera janë tek fondi anglo-adriatik. Janë dhënë12 mijë të drejta studimi deri në këtë vit dhe shumë e shumë të tjera duke i larguar nga taksat për arsim”. Ligji 9831/2007, i ndryshuar, vijoi më tej ai ka si objekt përcaktimin e përfituesve, masës, kritereve dhe procedurës së përfitimit të dëmshpërblimit financiar për ish të dënuarit politikë, të cilët kanë vuajtur persekutimin e drejtpërdrejtë në regjimin komunist, nëpërmjet kryerjes së dënimeve penale të padrejta, si burgim apo masa mjekësore të detyrueshme, si dhe dëmshpërblimin e familjarëve të viktimave, të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht për motive politike me ose pa gjyq, si dhe dëmshpërblimin financiar për personat e internuar ose të dëbuar, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991.  “Është krijuar një sistem modern dhe tepër funksional i dixhitalizimit të procesit të dëmshpërblimit, i cili përmban të gjithë dokumentacionin e paraqitur dhe dosjen individuale për çdo kërkesë të miratuar, të skanuar nga një strukturë e veçantë e Ministrisë së Drejtësisë” shtoi ministri.  Për 11.729 ish të dënuarëve politikë është miratuar dëmshpërblimi financiar me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Nga 11,729 dosje te miratuara, janë paguar të plota ose pjesore:

10016 dosje për këstin e I-re ose 85 % e dosjeve për këstin e parë.

1545 dosje, për këstin e II-te ose 13 % e tyre.

Deri tani janë paguar:

Këstin e parë për të gjitha kategoritë 4,779,883,048 leke dhe

këstin e dytë për ish të dënuarit politike që kanë moshën mbi 65 vjeç dhe që jetojnë 836,742,933 leke. Miratimi i projekt-ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 9831/2007, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar”, do të sjellë trajtimin e 4300 kërkesave (2300 internim tela me gjemba + 2000 kërkesa jashtë afatit), si dhe kërkesave eventuale nga ish të dënuarit politikë.

Në vitin  2009,  2 miliardë lekë,

Në vitin  2010, 1.4 miliardë lekë,

Në vitin  2011, 1.4 miliardë lekë,

Në vitin  2012, 1.7 miliardë lekë.

Pra, gjithsej  nga viti 2009 deri në dhjetor 2012 është miratuar fondi në total 6.5 miliardë lekë, apo 65 milionë dollarë.