Grid Rroji: Shqiptarët, i shpëton nga ‘Rrethi i Ferrit’ përmbysja e Parisë së Tiranës

776
Grid Rroji, Studiues i tranzicionit demokratik në një intervistë për gazetën “Telegraf” pohon se, shqiptarët nuk përfituan dot demokracinë që ëndërruan dhe dëshiruan, pasi përmbysën pushtetin komunist, sepse Paria e Tiranës, instaloi në këto vite “Rrethin e Ferrit”, duke instaluar një kapitalizëm pa norma dhe pa kode. Ndaj, pohon Gril Rroji situata politike është në një pikë vlimi dhe e ardhmja e shqiptarëve është në një udhëkryq vendimtar. Grid Rroji thotë se, që të vijë ky ndryshim demokratik për shqiptarët, duhet të ndryshohet sistemi elektoral aktual dhe populli me votën e vet të përfaqësohet në parlament dhe jo ta përfaqësojë Paria e Tiranës. Së fundi, Gril Rreji pohon se, në këtë udhëkryq vendimtar historik për shqiptarët, domosdoshmërisht duhet “Organizimi i ri shoqëror për Shqipërinë”, duke analizuar dhe zbërthyer konkretisht edhe se çfarë duhet të bëjmë gjithsecili, për të ndërtuar demokracinë e vërtetë në Shqipëri. 
Sigal

– Zoti Rroji, si do t’i cilësonit alegorikisht 25 vitet e pasdiktaturës komuniste në Shqipëri?

– Së bashku me shumë kolegë e analistë si Prof. Shenasi Rama, Dr. Valbona Karanxha, Ledian Prifti, Edlira Gushta, Fadil Lepaja, Arbenc Prokopi, Eduard Gjokutaj, Adem Gashi,Ylber Lili, Artian Gjataj, Majlinda Sinani Sulaj, etj. u angazhuam për t’u dhënë shqiptarëve një analizë profesionale të vërtetë e të papërpunuar nga propaganda e palëve të parisë, në këto vite postkomuniste. Ndaj u shkruajt edhe “Rrethi i Ferrit”, të cilat japin një tablo të qartë profesionale dhe shumë dimensionale të gjendjes në prag të katastrofës, parashikuan me përpikëri zhvillimet midis palëve të parisë, analizuan dhe parashikuan sjelljen e individëve dhe grupimeve shoqërore të cilat janë përgjegjëse për këtë situatë si dhe shtjelluan rrugëdaljet e duhura për të rikthyer shpresën tek shqiptarët. E plotësuar edhe me analiza, vëzhgime dhe përjetime të mëvonshme, kjo përmbledhje e kontributeve të mia tek ‘Rrethi i Ferrit’ synon t’i paraqesë lexuesit nga pikëvështrimi im gjendjen aktuale të Shqipërisë, arsyet e dështimeve të njëpasnjëshme të parisë së Tiranës dhe rrugëdaljen e duhur nga qorrsokaku i parisë. Paria e Tiranës në konceptin tim është një grup njerëzish me përvojë në sistemin e kaluar të plotësuar nga disa intelektualë të përdorur atëherë e më vonë nga shumë anë për ta shndërruar sistemin monist në një kapitalizëm pa norma e kode. Ndryshimi që zbatoi paria u ka mundësuar atyre dhe grupeve që i mbështesin të shndërrohen në borgjezinë e re dhe të ruajnë pozitën sipërore ekonomike, politike dhe shoqërore sipas hierarkive të sistemit të kaluar. Sistemi demokratik i përzgjedhjes së udhëheqësve ka qenë për ta një zgjedhje e detyruar nga jashtë prej faktorit ndërkombëtar dhe nga brenda nga Lëvizja Studentore Shqiptare. Por në thelb, kjo zgjedhje duhej vetëm për të krijuar mirazhin e një shtet-kombi.

– Pse e botuat në këtë periudhë librin? 

– Situata në Shqipëri është në një pikë vlimi. Paria e Tiranës që ka drejtuar vendin që prej 25 viteve ka dështuar së ndërtuari një sistem të qëndrueshëm politik dhe shoqëror. Kacafytja politike është e përhershme dhe përplasja sistematike e radhës duket shumë e afërt. Me pak fjalë, e ardhmja e shqiptarëve është në një udhëkryq vendimtar. Libri ka objektiv t’u japë përgjigje disa pyetjeve që mundojnë qytetarët si: Cilat janë arsyet e gjendjes së vajtueshme, ku gjendet shteti shqiptar dhe humbjen e shpresës të qytetarëve shqiptarë? Kush janë aktorët e tanishëm në lojën politike, cilat janë synimet e tyre dhe vlerat që mbartin? Kush ndër ta punon për shqiptarët? Cilat janë rrugëdaljet dhe politikat e duhura? Argumenti im në këtë përmbledhje është se, shoqëria moderne shqiptare duhet organizuar në bazë të eksperiencave të kombeve të tjera të zhvilluara si një bashkësi kombëtare, me një shtet të konsoliduar demokratik, duke respektuar liritë dhe të drejtat individuale të secilit qytetar brenda kontekstit të shtetit dhe duke ushqyer vlerat kombëtare shqiptare. Teza ime qendrore është si më poshtë: shtresat që duhet të ishin elitat e kombit shqiptar pas ndërrimit të sistemit në vitet 90-të kanë shfrytëzuar mendësinë katundare për të kapur shtetin dhe për t’i imponuar shqiptarëve një oligarki kleptokratike me vlera të zvetënuara, e cila ka kriminalizuar shoqërinë dhe mbytur shpresën e shqiptarëve. Si pasojë, paria e Tiranës në bashkëpunim me paritë katundare lokale ka mënjanuar interesin kombëtar dhe ka penguar dhe sabotuar me vetëdije të plotë ndërtimin e strukturave të shtetit, ka nxitur zvetënimin e shoqërisë nëpërmjet promovimit të padënueshmërisë së pushtetarëve megjithë rotacionet e pushtetit, ka grabitur burimet kombëtare të vendit, duke i shitur interesat kombëtare tek interesa private dhe të huaja, ka shpërdoruar burimet e diasporës dhe e ka mënjanuar krejtësisht rolin e saj në jetën publike, dhe vendosur një sistem oligarkiko hajnor të kriminalizuar në çdo qelizë. Pra, paria e Tiranës sillet si një klasë sunduese, palët e së cilës konkurrojnë për pushtet dhe për të grabitur të ardhurat që vijnë nga shteti, por pa cenuar monopolin që kanë së bashku mbi sistemin. Paria e Tiranës ka punuar dhe punon kësisoj kundër interesave të shtetit dhe shqiptarëve. 

– A ka dështuar sistemi politik në Shqipëri dhe cila do ishte sipas jush rrugëdalja?

– Sistemi i instaluar nga paria e Tiranës ka dështuar, tanimë është bërë e qartë për të gjithë. Palët e parisë së Tiranës nuk kanë shprehur kurrfarë koherence ideologjike dhe asnjë interes për të punuar për shqiptarët për shkakun e thjesht se interesi i tyre nuk është zhvillimi i Shqipërisë në një rrugë normale brenda mundësive të saj, por sundimi dhe pasurimi i shpejtë i tyre dhe klaneve kriminale që i mbështesin. Paria ka përdorur metoda të shfrytëzimit të mendësisë së ngushtë katundare për të ruajtur pozitat e veta të privilegjuara. Koncepti i katundarisë që përdoret këtu është i bazuar në literaturën socio-politologjike mbi elitat, rolin që ato luajnë në shoqëri dhe shfrytëzimin që i bëjnë në raste të caktuara mendësisë rurale. Literatura e specializuar bën dallimin konceptual midis fshatit dhe katundit. Ndërsa fshati përcaktohet mbi baza gjeografike, katundi ka një etnos shoqëror të vetin, i cili është kryekëput në kundërshtim me etnosin e kombit dhe shtetit. Ndaj edhe sjellja katundare e parisë së Tiranës përcaktohet jo në baza prejardhjeje gjeografike, por si mendësi, e cila, në rastin shqiptar ka prodhuar klane, çeta, truste dhe banda kriminale të cilat sundojnë së bashku si një oligarki e konsoliduar kleptokratike. Më tej, paria punon sistematikisht për ta keqpërdoruar etosin e katundarit të ndershëm shqiptar në shërbim të interesave të veta. Kësisoj, prirja e shqiptarit të ndershëm për të ruajtur fytyrën, nderin e dinjitetin përdorohet për t’i imponuar lidhjet me gjithfarë demagogësh, udhëheqësish të përhershëm, interesash e klanesh thjesht për të mbijetuar në një sistem të kriminalizuar. Nuk ka dallime mes palëve, këta janë te gjithë pjese e strukturave kriminale, oligarkike dhe kleptokratike. Realiteti i ndërtuar prej tyre që e konsideron shqiptarin si skllav të kufizuar nga konturet e sistemit të imponuar nga paria, sundohet nga kriminelë me pushtet të cilët nuk preken nga ligji edhe kur ndodhin rotacione politike. Paria nuk ka ngurruar të përdorë si kërbaçin ashtu edhe kulaçin, për t’i mbajtur nën thundër shqiptarët dhe për ta shfrytëzuar popullin për qëllimet e veta meskine. Dy janë rrugët e mundshme. Vazhdimi i rrugës së parisë drejt konsolidimit të vlerave kriminale e mafioze dhe shfrytëzimit të shqiptarëve si kavie për një eksperiment të dështuar që në gjenezë, ose ndryshimi dhe kthesa drejt një shoqërie normale, demokratike, me një shtet të konsoliduar në mbështetje të interesave kombëtare, i cili të garantojë nderin dhe dinjitetin e çdo shqiptari kudo që jeton. 

– Kush janë aktorët kryesorë të këtij realiteti, sipas jush dhe cilat janë përgjegjësitë e tyre?

– Aktorët kryesorë të kësaj vjedhjeje të madhe të organizuar mbi kurrizin e shqiptarëve dhe dështimit të ndërtimit të strukturave të duhura të shtetit janë kryetarët e klaneve të kriminalizuara të parisë; si Sali Berisha, Edi Rama, Lulzim Basha, Fatos Nano, Skënder Gjinushi, Jozefina Topalli, Gramoz Ruci etj. si dhe veglat që përdorin. Ata janë përgjegjësit e gjendjes katastrofike të Shqipërisë dhe arkitektët e sistemit të zvetënuar kriminal që ka ndërtuar paria. Me pak fjalë, asnjëra nga palët e parisë dhe veglave që u shkojnë nga mbrapa nuk punon për shqiptarët dhe për të ardhmen e tyre. 

– Si ka arritur kjo klasë politike të ruajë pushtetin në një sistem demokratik? 

– Sistemi jonë është pro demokratik, me tipare të theksuara oligarkike dhe kleptokratike. Me fjalë të thjeshta, këta janë të gjithë banda, truste e klane të cilat funksionojnë në bazë të mendësisë kriminale. Ato ndërtojnë dhe përdorin dasitë për të ushtruar ‘devizën divide et impera’, për t’i përçarë dhe sunduar shqiptarët. Shembulli më i qartë i përdorimit të dasive kundër interesave kombëtare është dasia komunist-anti komunist. Duke e reduktuar artificialisht qerthullin ideologjik në dy këto palë të supozuara “armiqsh për vdekje”, paria kërkon të ndërtojë perceptimin fals se 1) këto kategori ekzistojnë në formë të pastër konceptuale; 2) ato i përshkruajnë shqiptarët në mënyrë ekskluzive; dhe 3) se për këtë shkak nuk ka zgjedhje tjetër përveç palëve të parisë të cilat vetëpërcaktohen subjektivisht të njërës apo tjetrës anë. Me këtë dasi paria i siguron vetvetes monopolin ideologjik mbi popullin shqiptar. 

– Ju keni ardhur në Shqipëri në kuadër të Forumit Intelektual “Rrethi i Ferrit”. Cilat janë objektivat tuaja? A do të ndërtoni një parti të re politike? 

– Argumenti i paraqitur nga ne, e thyen monopolin ideologjik që kërkon të krijojë artificialisht paria. Evidenca e paraqitur provon se shqiptarëve u është mohuar qëllimisht dhe me vetëdije të plotë nga paria, rruga e duhur e ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit-komb modern. Analizat paraqesin idenë e shtetit-komb si një alternativë ideologjike dhe synojnë të promovojnë një botëkuptim kryekëput të ndryshëm nga ai i parisë. Pikërisht këtë nuk mund ta lejojë paria për shkak se ndërtimi i shtetit përkthehet në mbarimin e privilegjeve të tyre dhe sundimit mbi shqiptarët. Mirëpo, objektivi kryesor i palëve të parisë ka qenë dhe mbetet pasurimi i shpejtë, dhe për ta arritur atë, ato nuk ngurrojnë ta paraqesin realitetin e zvetënuar që kanë krijuar si normalitet i modernitetit kapitalist. Përkundër këtij pretendimi, argumenti jonë dëshmon se paria ka mbërritur gjatë kësaj periudhe t’i imponojë popullit shqiptar mendësinë e burgut, një udhë pa rrugëdalje, sepse siç thotë një shprehje famëkeqe e parisë “kaq meritojnë këta pisa”. E vërteta është krejt ndryshe. Fajin për rrënimin e shoqërisë shqiptare nuk e kanë shqiptarët, të cilët kanë treguar se në kontekste normale në perëndim e kudotjetër dinë të sillen dhe jetojnë të begatë si individë dhe në grupe shoqërore. Fajin për zvetënimin dhe gjendjen katastrofike të shoqërisë shqiptare e ka paria e Tiranës, e cila me veprimet e veta ka treguar se i urren shqiptarët dhe i sheh ata si skllevër modernë duke i detyruar të jetojnë në një shtet pa atributet e duhura, dhe duke ju imponuar ‘Rrethin e Ferrit’ si realitet normal shoqëror. Për sa i përket objektivit tonë, ne jemi angazhuar intelektualisht për të hedhur një hap të domosdoshëm, thënien e të vërtetës ashtu siç është përtej altoparlantëve të parisë. Mirëpo ne jemi studiues dhe nuk merremi me politikë. Paria e Tiranës kërkon që çdo lëvizje që i heq asaj monopolin ideologjik ta përkthejë në popull si lëvizje politike, sepse kësisoj e ka më të lehtë për ta kornizuar, anatemuar e demaskuar. Mirëpo shqiptarët duhet ta dëgjojnë të vërtetën dhe duhet të ndërgjegjësohen për ‘Rrethin e Ferrit’, ku na ka çuar Paria e Tiranës. 

– Çfarë mendoni për protestën e Opozitës? A i përfaqëson PD idealet e Lëvizjes Studentore Shqiptare? 

– Gjendja është shumë e rënduar dhe qytetarët e ndiejnë peshën e dështimit të të gjitha palëve. Sistemi politik është i dështuar, ekonomia në rrënim, vendi është i mbytur në borxhe, të rinjtë ëndërrojnë të ikin pasi janë të pashpresë. Trajtimi i këtyre problemeve duhet të ishte shtylla e një opozite reale. Mirëpo. cila opozitë? Ne nuk kemi opozitë, kemi palë të parisë në pushtet, dhe palë kundërshtare të parisë në pritje të trashjes së zullumit qeveritar deri aty sa ata të shndërrohen në të keqen më të vogël. Pra megjithë tensionin e pritshëm, protesta e nesërme do shërbejë si mburojë për interesat hajnore dhe kriminale të atyre që ishin deri dje në pushtet. Pra edhe protesta e nesërme është pjesë e kësaj farse mesazhesh të ndërsjella dhe nuk do ndikojë në përmirësimin e jetës së shqiptarëve e as shndërrimin e sistemit. Ju po e trajtoni problemin teorikisht, a ka populli shqiptar zgjidhje në realitet? Pjesë themelore e argumentit tonë është shtjellimi i zgjidhjeve të duhura në përputhje me veçantinë e shoqërisë shqiptare dhe sipas praktikave të shteteve me realitete të ngjashme. Në gjykimin tim, analiza e dukurive të tranzicionit dhe e aktorëve të parisë provon pa mëdyshje se zgjidhja e vetme për shqiptarët është një fillim i ri me mendësi të re dhe njerëz të rinj. Kjo klasë e re politike duhet të përbëhet nga brezat e rinj të edukuar në universitetet më të njohura në botën e zhvilluar, nga ata që kanë fituar eksperienca të vyera në Perëndim, duke u afirmuar në dhe të huaj dhe nga shtresa e intelektualëve të rinj, të cilët nuk e pranojnë si të pandryshueshëm llumin që ofron paria e Tiranës. Këto grupime duhet të punojnë për ndërtimin dhe konsolidimin e strukturave të shtetit-komb. Pikësëpari nevojitet rishkrimi i kushtetutës në bazë të parimeve të shtjelluara më sipër. Më tej, nevojitet reformimi i sistemit politik duke krijuar një strukturë institucionale këshillimore ku një pjesë e drejtuesve aktualë të kenë mundësinë e pensionit të qetë politik pa patur mundësinë për të ndërhyrë në strukturat e reja apo në qeverisjen e vendit. Sistemi i ri politik duhet të përfshijë të gjitha burimet shqiptare, duke inkurajuar dhe nxitur brezin e ri të edukuar brenda dhe jashtë vendit, sidomos ata që e kanë fituar eksperiencën e sistemeve të konsoliduara brenda kornizave ligjore të vendeve përkatëse. Në këtë këndvështrim duhet të vendoset një sistem zgjedhor proporcional dhe një administratë zgjedhore profesionale, e cila respekton vendimet e popullit dhe nuk vendoset në shërbim të palëve konkurruese. Së treti, duhet krijuar një strukturë e veçantë për dënimin e krimeve të kryera nga individë në poste pushteti. Nuk mund të ketë drejtësi shoqërore, pa u evidentuar krimet që janë kryer nga pushtetet në vite ndaj shqiptarëve si komb. Së katërti, duhet reformuar rrënjësisht sistemi i drejtësisë në mënyrë që shteti të japë drejtësi për të gjithë qytetarët dhe ta vendosë veten përkundër interesave kriminale e jo të jetë palë me to. Funksionarët e drejtësisë nuk mund të kenë opsionin e fshehjes pas imuniteteve dhe pavarësisë së gjyqësorit për të mbushur xhepat e tyre. Së pesti, duhet të ndërmerret modernizimi dhe forcimi i forcave ushtarake shqiptare, të cilat përbëjnë një nga kolonat kryesore të shtetit. Ndonëse anëtare e NATO-s, Shqipëria nuk i ka sot kapacitetet për të mbrojtur territorin e vet kundrejt agresionit të mundshëm. Modernizimi, stërvitja dhe pajisja e forcave të sigurisë, qoftë në aspektin ushtarak apo civil përbën një nga atributet kryesore të një shteti të konsoliduar dhe duhet të përbëjë prioritet madhor të shtetit. Së gjashti, të studiohen burimet kombëtare dhe të krijohet një strategji ekonomike afatgjatë e cila të nxisë prodhimin vendas, punësimin dhe të garantojë mirëqenien e qytetarëve brenda mundësive tona. Në këtë pikëvështrim, është e nevojshme të rikthehet mendësia e nevojës së punimit të tokës sepse Shqipëria nuk i ka kushtet dhe burimet për të qenë një fuqi industriale parësore, e cila e garanton punësimin e shumicës së popullsisë në kontekstin urban. Së shtati, interesat e shqiptarëve në tokat shqiptare dhe në mërgim të vendosen në qendër të agjendës shtetërore duke krijuar strategji afatmesme dhe afatgjata me konsensus të plotë politik. Së teti, të reformohet rrënjësisht sistemi arsimor për të pasqyruar dhe nxitur mendësinë e re, kryekëput të ndryshme nga etnosi i parisë. Sistemi i ri arsimor duhet të reflektojë jo vetëm historinë kombëtare por edhe të mbrujë brezat e rinj me dashurinë për kombin dhe njohuritë e duhura për t’i shërbyer sistemit shqiptar. Së nënti, të reformohet thellësisht sistemi shëndetësor për të garantuar shërbimet minimale për të gjithë popullatën dhe për të garantuar një mjedis të ndershëm konkurrence midis sipërmarrjes shëndetësore private dhe publike. Së dhjeti, të krijohet një strategji për ripopullimin e zonave malore e të thella të cilat lëngojnë nga zbrazja e njerëzve, një fenomen që paria e ka nxitur dhe justifikuar djallëzisht me lirinë e lëvizjes. Shteti i shqiptarëve duhet t’i dojë shqiptarët dhe t’i trajtojë ata jo si skllevër apo si bezdisës të pushtetit, por si pasuri e kombit.

Organizimi i ri shoqëror për Shqipërinë

Organizimi i ri shoqëror duhet t’i përmbahet këtyre parimeve: 1) të mbështetet pa diskutim dhe pa dallim tek ideologjia e shtetit komb; 2) të adoptojë sistemin demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të shtetit, duke vendosur shtrëngesa të forta e të pakapërcyeshme për abuzuesit e pushtetit në të gjitha nivelet; 3) të ndërtojë dhe promovojë një politikë të jashtme të bazuar tek interesat kombëtare; 4) të ndërtojë një sistem drejtësie të pakorruptueshëm, i cili të luftojë pa kompromis krimin; 5) të ndërtojë një administratë shtetërore moderne me rregulla drastike të mbështetur në ligj; 6) të krijojë një ekonomi tregu, e cila mbështet dhe favorizon prodhimin vendas në mënyrë strategjike brenda mundësive tona reale; 7) të krijojë pritshmërinë e luftës pa asnjë kompromis ndaj krimit dhe të keqes në çdo nivel të shtetit e shoqërisë, edhe brenda llojit; 8) të kultivojë një klimë shoqërore dhe vlera reale të një bashkësie të shëndetshme kombëtare e cila i kundërvihet pa asnjë luhatje të keqes dhe kriminales; 9) të kultivojë e ushqejë një shoqëri civile efektive e cila të shërbejë si shtrëngesë kyçe kundër keqpërdorimit të pushtetit dhe instalimit të së keqes në shoqëri; 10) të ndërtojë dhe promovojë struktura komunitare dhe shtetërore në mbrojtje të shtresave më të dobëta të shoqërisë për të garantuar mbarëvajtjen e shoqërisë dhe balancën shoqërore. Për ta arritur këtë nevojiten të ndërmerren disa hapa kyç.