Edi Rama: Reformat, rruga e zmbrapsjes së korrupsionit

569
Sigal

TIRANË – Kryeministri Rama përmes rrjetit social “Twitter” ka paralajmëruar edhe zhvillimin e Forumit Kombëtar kundër Korrupsionit.

“Paraditja sot e gjitha kushtuar antikorrupsionit me bindjen se modernizimi permes reformave eshte rruga e zmbrapsjes se korrupsionit! LiveTV” – shkruan Rama në Twitter.

Në këtë konferencë të organizuar nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore dhe Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, Bledi Çuçi, Ministrat e kabinetit qeveritar do të shpalosin një bilanc të arritjeve dhe punës së bërë për të luftuar fenomenet korruptive.

Ministrat do të raportojnë përpara qytetarëve shqiptarë dhe dialogojnë me ta, mbi aksionet e ndërmarra në 12 muajt e fundit si dhe reformat afatgjata të cilat po projektohen dhe që kanë si qëllim final shërbime më cilësore për qytetarët, një shtet të modernizuar dhe tërësisht transparent.

Përveç kryeministrit ERama dhe ministrave të qeverisë. Të pranishëm në këtë aktivitet janë edhe Ambasadori Florian Raunig, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Znj. Zineb Touimi-Benjelloun, Përfaqësuese e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, përfaqësues të trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile etj.

Beqaj:  Masa për mjeket nëse japin në receta ilaçe më të shtrenjta
Në forumin kundër korrupsionit, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj deklaroi se ndo të ketë kontrolle ndaj mjekëve dhe nëse rezulton se kanë dhënë në receta më tepër se 40% të barnave me çmime më të shtrenjta do të gjobiten. Gjithashtu ai shtoi se falë ligjit të ri të miratuar në parlament janë ulur cmimet e barnave dhe me të njëjtin buxhet spitalet janë furnizuar me më tepër ilaçe.

“Para 13 muajsh jemi angazhuar për të luftuar korrupsionin, do të ulim çmimin e barnave, luftë kundër korrupsionit. Ne perceptonim se të paktën 20 mln $ rrinin te distributorët dhe nuk shkonin të përdoruesit. Për këtë çështje kam ftuar edhe ambasadorë. Kemi ulje të barnave me 25 % por edhe më tepër deri në 63%. Ajo çfarë miratuam me ligjin e ri, tregon se kishim të drejtë. Me të njëjtin buxhet do të furnizojmë më tepër spitalet me barna. Masa ndëshkuese për mjeket nëse japin më tepër se 40 % në receta ilace më të shtrenjta” – tha Beqaj.

Kodheli: Korrupsioni kishte denigruar imazhin e MM dhe FA 
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u shpreh se që në fillim të marrjes së detyrës ka pasur si synim luftën ndaj korrupsioni që kishte denigruar imazhin e institucionit që ajo drejton  dhe Forcave të Armatosura.

“Në Shqipëri korrupsioni ka arritur në nivele alarmante. Një nga drejtimet kryesore pas marrjes së detyrës, ka qenë lufta ndaj korrupsionit që kishte denigruar imazhin e MM dhe FA. Të bindur se përmes planifikimit do të ofronim eficenë.  Krijuam njësinë antikorrupsion. Ndryshuam procedura që synojnë kufizimin e vendimeve individuale, u ndryshua procedura e rekrutimit, gradimit dhe dërgimit të FA në misione.”- tha Kodheli.

Më tej ministrja e Mbrojtjes përmendi edhe masat e marra ku bie në sy kallëzimi penal për 17 persona, largimi nga puna të 14 ish-titullarëve apo edhe rikthimi i 220 mln lekëve të kthyera, gjithashtu edhe zhvillimin e ankandeve të hapura për herë të parë.

Çuçi: Problem të dhënat e statistikat, nga janari aplikacione të reja
Ministri për Çështjet Vendore dhe Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, Bledi Çuçi gjatë forumit për kundër Korrupsionit u shpreh se në muajin janar do të vihen në veprim aplikacione të reja të cilat do të ndihmojnë në krijimin e të dhënave apo statistikave për rastet e korrupsionit.

“Në çdo kohë do të kemi një statistikë të vërtetë se sa raste ka pasur dhe sa raste janë gjykuar. Më në fund me të shtypur një buton do të publikojmë një sistem të harmonizuar, nuk kushton asgjë. Personave përgjegjës u lehtësohet puna.”- u shpreh ministri Bledi Çuçi

Më tej Çuçi theksoi se pa vendosur besimin te qytetarët nuk do t’ia arrijnë objektivit në luftën kundër korrupsionit.

“Kemi 20 vjet që përpiqemi të rivendosnim besimin te qytetarët. Pa rivendosur këtë besim nuk do ia dalim të arrijmë objektivin.”- tha Çuçi.

OSBE, Raunig: Deri me tani ne Shqiperi, asnje zyrtar i larte i denuar per korrupsion
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig tha se pavarësisht se numri i rasteve të regjistruara të korrupsionit njeh rritje në gjysmën e parë të vitit 2014, ende asnjë zyrtar i lartë nuk është dënuar për këtë vepër penale. “Sipas të dhënave nuk ka raste të identifikimit dhe dënimit të zyrtarëvë të nivelit të lartë dhe perceptimi i korrupsionit mbetet i lartë”, tha Raunig.

Gjatë fjalës së tij në Forumin Kombëtar kundër Korrupsionit, kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë shprehu vlerësim dhe mbështetje ndaj reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në këtë aspekt, por shtoi se korrupsioni nuk është luftë që mund ta fitojë një institucion i vetëm.

“Ende nuk ka raste të identifikimit dhe dënimit të zyrtarëve të niveleve të larta. E gjithë  gama e politikës, nga ajo qendrore e vendore shoqëria civile duhet të luftojnë korrupsionin në sektorët e politikës. Është parakusht thelbësor për një luftë efektive kundër korrupsionit. Shqipërisë i nevojiten qëndrime më të harmonizueshme në luftën kundër korrupsionit. OSBE i ka dhënë mbështetje qeverisë në hartimin e strategjisë kundër korrupsionit. Strategjitë në vetvete nuk sjellin shumë rezultat nëse institucioneve nuk i jepen instrumentet e duhura për të parandaluar këtë fenomene Institucionit duhet të kenë nivelin e nevojshëm e autoritetit, burimet dhe të jenë të mbrojtura nga ndikimi politik. Nuk ka asnjë vend pa korrupsion, dhe kjo na ndikon të gjithëve negativisht. Korrupsioni i dënon grupet e cënueshme me dobësi, sjell paqëndrueshmëri të lartë sociale madje edhe konflikt”, tha Raunig.

Ambasadori Raunig paralajmëroi se javën e ardhshme OSBE do të fillojë një iniciativë të re kundër korrupsionit, përmes përmirësimit të kapacitet të administratës publike si dhe organizimit të një fushatë sensibilizuese për të rinjtë. Sipas tij, 11% e PBP-së është përdorur nga publiku për të paguar ryshfet.