Edi Rama: Do të çojmë në burg “peshkaqenët” e korrupsionit

455
Sigal

Kryeministri Edi Rama vlerëson “pozitive” 100- ditëshin e qeverisjes së kabinetit të tij

Kryeministri Edi Rama mblodhi një grup studentësh të ekselencës, me të cilët bashkëbisedoi për temat më të nxehta politike dhe qeverisjen e tre muajve. Rama garantoi se qeveria do të jetë gjithmonë në mbrojtje të studentëve. Kryeministri Edi Rama u ka dhënë fund të gjitha dilemave: Shqiptarët do t’i nënshtrohen taksimit progresiv, por realist. Por Kryeministri ka lënë ende mister vlerën e taksimit për çdo kategori, ndërsa ka rrëzuar si të pavërteta të gjitha tabelat e publikuara në media ditët e fundit. Në bashkëbisedimin me të rinjtë Rama veç sfidave e problemeve të ekonomisë ka analizuar probleme të drejtësisë, arsimit, deri te çështje të jetës së përditshme. Rama garantoi se Qeveria do të jetë gjithmonë në mbrojtje të studentëve. Kreu i qeverisë tha se kabineti i tij do ta çojë përpara praktikën e ndjekur nga qeveria paraardhëse për mbështetje me bursa të maturantëve ekselentë që zgjedhin universitetet europiane për të studiuar.

Universitetet nuk do të shërbejnë si fabrika diplomash

Sistemi i arsimit të lartë nuk ka konkurrencë, tha Kryeministri Rama, duke shprehur angazhimin e tij për të mos pasur më universitete private që funksionojnë si fabrika diplomash.

Tabela e taksës progresive,  nuk është zyrtare, por do bazohemi tek taksimi i ndershëm

Sistemi ynë i taksave do të bazohet tek taksimi i ndershëm. Tabelat që ju i referoheni, dhe kanë ngjallur jo pak shqetësim, nuk janë të vërteta, nuk janë zyrtare. Ne sot jemi në një moment të vështirë të ekonomisë sonë, por nuk mundemi që barrën e kësaj vështirësie t’ua kalojmë atyre që janë më të dobët.

Skuadra e qeverisë e ka përballuar ashtu si duhet sfidën ne 2 muaj qeverisje

Për këtë periudhë kohe, skuadra e qeverisë sipas mendimit tim e ka përballuar ashtu si duhet sfidën. Ajo çka unë dua është që ne të punojmë si një skuadër dhe në këtë aspekt ne kemi ndryshuar gjithë metodën e punës, duke lënë mënjanë metodën tradicionale dhe duke vënë në jetë një metodë të re pune që bazohet në komunikimin e brendshëm mes gjithë anëtarëve të qeverisë në takimet e përjavshme. Anëtarët e qeverisë janë në lartësinë e duhur dhe po e kryejnë detyrën me përkushtim dhe zotësi.

Punësimi i të rinjve, kryefjalë e programit tonë

Kryefjala e programit tonë, dhe e shqetësimit sot në Shqipëri është punësimi. Por nuk është një nga ato arritje që mund të shënohen në 100 ditë. Punësimi është një arritje që do të shënohet hap pas hapi, pasi të kemi kaluar një periudhë të mandatit. Sot punësimi caktohet si obligim i sektorit publik dhe kërkohet që ta plotësojë shteti, ndërkohë që motori kryesor i punësimit, është sektori privat, dhe biznesi.

Peshqit e mëdhenj të korrupsionit,  do të çojmë përpara drejtësinë

Ju siguroj që ne do të çojmë përpara drejtësinë për sa na takon si qeveri të gjitha rastet ku do të konstatojmë nga auditi i së shkuarës, arsye për ndjekje penale, pa kursyer askënd në asnjë nivel. Këtë do ta bëjmë duke e ndarë me publikun dhe do të kërkojmë që prokuroria dhe gjykata të marrë përgjegjësinë. Por nuk duhet ta harrojmë që nuk jemi as prokurori as gjykatë, por mund t’i bëjmë të funksionojnë ato më mirë përmes reformave.

Statusi kandidat nuk është rrugë jashtë shtetit, por është udhëtim brenda vetes

E rëndësishme është që ne të jemi të gjithë të angazhuar dhe të vetëdijshëm që integrimi evropian nuk është udhëtim për diku. Nuk është rrugë jashtë shtetit që përfundon në Bruksel, por është udhëtim brenda vetes, për të ndërtuar vlerat dhe parimet e Europës së bashkuar në shoqërinë tonë dhe mbi këto vlera e parime të ndërtojmë Shqipërinë këtu.

Vendimi më i vështirë i qeverisë, refuzimi i armëve kimike

Sigurisht që ka qenë vendimi për armët kimike. Një vendim që erdhi për tu marrë në një kohë kur sapo kishim filluar punën. Një nga ato vendime shumë të vështira që kjo punë t’i nxjerr përpara. Në kushtet kur Shqipëria ka marrë një rrugë të qartë në orientimin e vet euroatlantik, është anëtare e NATO-s, e angazhuar në procesin e integrimit evropian, është në një fushë veprimesh dhe ndërveprimesh ku jo gjithçka është zgjedhje e lirë. Shqipërisë ju kërkua të merrte përsipër një rol që i kalon përmasat e një vendi të vogël dhe e kthen një vend të vogël në një qytetar global. Fatkeqësisht nuk u përmbushën të gjitha kushtet që ta kishim bërë këtë vendimmarrje pozitive dhe kështu vendimi që u mor ishte ai që të gjithë e dimë dhe që ishte plotësisht edhe më dëshirën e pjesës më të madhe të popullit që u shpreh përmes një proteste që ishte në fakt pjesë aktive e një debati dhe e një procesi vendimmarrës. Mospërputhja e dëshirës me mundësitë në mungesë të kushteve për t’i përputhur këto të dyja, solli vendimin dhe ai ishte realisht i vetmi për t’u marrë në ato kushte