Edhe Rakip Suli drejt arrestimit, si Tushe?

981
Sigal

Ka vjedhur 300 milionë lekë me Bujar Muratin që u prangos nga SPAK për tenderin në Lushnje

Kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli, ka lidhje klienteliste dhe korruptive me Bujar Muratin, hajdutin e regjur që u arrestua dje nga SPAK. Suli i ka dhënë Muratit miliona euro tendera me paracaktim dhe pazar në tavolinë, duke ndarë më pas paratë, si në rastin e Lushnjes. Pjesë e klanit, edhe oktapodi i tenderave, Shkëlqim Kupa. Kanë nisur të lëvizin paratë e vjedhura nga frika. Bujar Murati nga Bulqiza, është biznesmeni që u kap nga SPAK, duke vjedhur paratë në Bashkinë e Lushnjes, në bashkëpunim me kryebashkiakun Fatos Tushe dhe 9 bashkëpunëtorë të tij. Murati dhe Tushe u kapën duke vjedhur 240 milionë lekë, përmes tenderit korruptiv për rehabilitimin e një kanali uji, pa garë dhe me paracaktim, duke ndarë më pas paratë sipas rolit, një skemë kjo klasike, që funksionon sistematikisht në 61 bashkitë e vendit. Nga 240 milionë lekë që ishte tenderi, sipas dosjes, ata do vidhnin 200 milionë lekë. Bujar Murati është një ‘ujk i vjetër’ tenderash, i skeduar  si hajdut i fondeve publike, gjithnjë në bashkëpunim me pushtetarët. Ne vitin 2009, Bujar Murati është arrestuar për aferën me tenderet e uniformave të policisë, por meqenëse në atë kohë nuk kishte drejtësi, jo vetëm i shpëtoi dënimit, por kërkoi edhe dëmshpërblim për paraburgimin. Pasi doli nga qelia, Murati vijon avazin e vjedhjeve, deri kur u kap këtë herë nga SPAK, investimi më i madh i SHBA-BE në Shqipëri, për të shembur perandorinë e korrupsionit në Shqipëri. Këtë herë, Murati nuk do t’i shpëtojë dënimit, burgut dhe konfiskimit të pasurive, por ende SPAK nuk po arreston pushtetarët e tjerë që kanë ndarë paratë publike me hajdutin e madh nga Bulqiza. Dokumentet tregojnë se ‘Peshku i madh’ nuk është në fakt Fatos Tushe, por kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, i cili ka ndarë dhe po ndan miliona euro me Bujar Muratin, me tendera korruptivë, me paracaktim në tavolinë, me ofertë fituese sa fondi limit, me garë fiktive etj., identik si tenderi për kanalin e ujit në Lushnje. Aktualisht, Rakip Suli dhe Bujar Murati po ndajnë paratë e tenderit për rikonstruksionin e kopshtit “Kamza e Re”. Disa javë më parë, Rakip Suli ka organizuar një garë fiktive, duke shpallur me paracaktim kompaninë “EURO-ALB” të Bujar Muratit fituese të tenderit me vlerë 300 milionë lekë për rikonstruksionin e kopshtit. Oferta fituese e Muratit është aq sa fondi limit. Ky është vetëm tenderi i fundit. Për të krijuar idenë e garës, në tender kanë marrë formalisht maskën e  Shkëlqim Kupa, me kompaninë e tij “Kupa’ shpk”, bashkë me kunatin e tij Ramazan Kalia me kompaninë “Liqeni VII”. Shkëlqim Kupa është një nga duart e zeza të “Klanit” në vjedhjen e dhjetëra milionë euro në buxhetin e shtetit, me anë të tenderave. Në vijim do të japim detaje për të gjithë çunat problematikë që marrin tendera korruptivë, pra që vjedhin dhe ndajnë paratë e shqiptarëve. Shkëlqim Kupa është një nga klientët kryesorë të Sulit në vjedhjet masive me tendera, ashtu si Bujar Murati. Lekët tek oligarkët kalojnë me çanta cash ose në formë kontratash, për ndërtim vilash me kosto të ulët, për t’i shpëtuar arrestimit. Banda me në qendër në Tiranë, vepron në të gjithë Shqipërinë, ndërsa janë të përfshirë zyrtarët më të lartë në Shqipëri deri tek Babloku, biznesmenë, oligarkë, sekserë etj. SPAK mjafton të ndjekë se ku i çon paratë Kupa pasi merr një tender korruptiv me vlerë të lartë, me ofertë sa fondi limit, me paracaktim, me dokumente false etj. Pas arrestimit të Fatos Tushes, banda ka nisur frikësohet dhe të lëvizë paratë nga banesat, nga frika e ndonjë kontrolli të befasishëm me urdhër të SPAK. (Marrë me shkurtime nga ‘Pamfleti’ )