‘Duhet arbitrazh’/ Mesazhi i ambasadorit britanik për Reformën Zgjedhore

279
Sigal

Britania e Madhe mbështet marrëveshjen politike të 5 qershorit dhe nëse do të ketë vazhdimësi të reformës, ajo duhet të jetë transparente dhe me konsensus. Kështu u shpreh nga Shkodra, ambasadori Duncan Norman.

“Ne ishim mbështetës të ndryshimeve që u bënë në 5 qershor, një marrëveshje që u dakordësua nga të gjithë dhe mendimi ynë është që ajo nuk duhet të ndryshojë. Nëse do të kishte vazhdimësi të reformës, ajo duhej të bëhej në mënyrë sa më transparente dhe me konsensusin e duhur”, tha ambasadori.

Norman beson se në Shqipëri mund të zhvillohen zgjedhje të lira: “Unë besoj realisht se nëse do të ekzistonte vullneti politik, Shqipëria do të mund të ketë zgjidhje të lira dhe të ndershme. Kjo është diçka që mund të arrihet”.

Por në kohën kur palët janë futur në një ngërç për shkak të ndryshimeve kushtetuese, Norman propozoi një arbitrazh për këtë çështje.

“Është detyrë e Këshillit Politik për të gjetur një konsensus dhe unë shpresoj qe kjo gjë të bëhet e mundur por në rast se kjo gjë nuk do jetë e mundur do duhet të gjendet një mënyrë arbitrare mes palëve për të arritur një konsensus,” tha ai.

Kujtojmë se opozita ka kërkuar arbitrimin e OSBE/ODIHR, por mazhoranca ka refuzuar.