Skandali/ Si i fyeu dhe ironizoi Rama dy mjekët e njohur Sulçebe dhe Mezini

299
Sigal

Paraqitja e mbrëmshme në Open e Edi Ramës nuk do të mbahet mend vetëm për përqeshjet fëminore që u bëri gazetarëve, por sidomos dhe mbi të gjitha, për fyerjet dhe sulmet që u beri dy prej mjekëve më me reputacion të vendit.

Dihet që Rama nuk pranon dot asnjë njeri që ka mendim të ndryshëm me të, por mjekët Arjan Mezini (foto djathtas poshte) dhe Genc Sulçebe nuk janë as media kazani, as presidenti i luajtur mendsh, as opozita e rrugës, pra nuk janë as armiq të pushtetit të tij absolut dhe as të reshtuar politikisht. Faji i tyre i vetëm është se janë aq profesionistë sa të guxojnë ti artikulojnë idetë e tyre.

Mjeku pneumolog Arjan Mezini që punon në spitalin “Shefqet Ndroqi” pati shprehur shqetësimin e tij në lidhje me ambientin ku qëndrojnë të sëmurët. Rama në emisionin “Open” u vu përballë kësaj deklarate ku pohohej: “Ne kemi në dhoma nga 4-5 pacientë. Mund të kishim hapur edhe covid-3 dhe covid-4 që të kishim ngarkesë virale më pak”.

Thjesht kaq sugjeronte mjeku, por kjo qe e paparanueshme për kryeministrin.

“Ky mua më kujtoi një gazetar sportiv, ky flet si trajner i pavlerësuar i Realit të Madridit. Menaxhimi nuk është punë e tij. Ai është një mjek që mund të jetë i mirë, por aty foli kot. Mbi të gjitha ajo që tha është një marrëzi më vete. Ne i pamë spitalet në Francë, Itali dhe Gjermani dhe ne nuk e kemi parë gjëkundi këtë që thotë ai. Ai flet jashtë diturisë dhe profesionit të vet. Për të dhënë mend le të japë si mjek jo për menaxhimin”.

Nga ky delir i një njeriu me shkollë vizatimi për të gjykuar edhe diturinë e mjekëve apo profesorëve nuk shpëtoi as Genc Sulçebe.
Po me të njëjtën arrogancë, se ai si kryeministër di më shumë se një doktor shkencash, profesor në imunologji dhe përgjegjës i Shërbimit universitar të imunologjisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” , u përgjigj Rama edhe këtë radhë.

Vërejtja e Dr. Sulçebe ishte se koncesionari i laboratoreve nuk mund të pushojë personelin në këtë kohë pandemie. Përgjigjja qe e ulët ironike dhe fyese: “Profesor Sulçebe nuk është ekspert menaxhimi në strukturat spitalore. Në një ndeshje ka sulmues ka mesfushor, ka mbrojtës. Ashtu si edhe në bluzat e bardha, dikush është ekspert për syrin, dikush për veshët, një tjetër për zemrën. Një mjek për veshët nuk jep dot mend për syrin” tha Rama, duke lënë të kuptohet se ai dhe ekspertët e rilindjes dinë më shumë se mjekët dhe profesorët më të mirë të vendit.

Natyrisht, kjo nuk e cënon aspak imazhin e këtyre profesionistëve të nderuar. Aq më tepër kur dihet se kjo është taktika që lideri autokrat përdor me gjithëkënd që nuk mendon si ai.

Kur studentët u ngritën në protesta, i quajti ngelsa, kur aktorët mbrojtën teatrin, i shpërfilli si fosile të patalentuara të soc realizmit, madje dhe kur futbollistët bënë grevë u tall duke thënë se s’jane në gjendje të vrapojnë, por vetëm ecin në fushë. Prandaj kjo sjellje donkishoteske prej njeriu që ka i vetëm monopolin e së vërtetës, më tepër sesa dëmton figurën e dy mjekëve dëshmon se sa të principta janë sulmet e Ramës ndaj kujtdo që i cenon sadopak imazhin idilik te pushtetit te tij propagandistik. Lapsi.al