“Suedia mund të ketë mposhtur COVID-in dhe të ketë arritur imunitetin e tufës, duke mos e izoluar vendin”

279
Sigal

Covid-19 mund të jetë mposhtur në Suedi, duke u arritur imuniteti i tufës.

Suedia është i vetmi vend në Europë, që nuk mori masa të rrepta kufizuese në fillim të pandemisë së koronavirusit.

Sipas profesorit, Kim Sneppen, fakti që Suedia nuk u izolua, mund ta ketë ndihmuar kombin skandinav, të shmangë një valë të dytë infektimi, pasi vendi vazhdon ende të shënojë numrin më të ulët të rasteve të reja që nga muaji mars, me vetëm 28 të infektuar për 100 mijë banorë.

Daily Mail shkruan se ky numër është sa gjysma e shkallës së infeksionit të Britanisë së Madhe, e cila shënon 69 të infektuar për 100 mijë banorë.

Sneppen, i institutit Niels Bohr në Kopenhagë, deklaroi se Suedia mund ta ketë mposhtur pandeminë.

“Ka disa prova që suedezët mund të kenë krijuar një shkallë të caktuar imuniteti ndaj virusit, shtoi kësaj edhe përpjekjen e qeverisë për të ndaluar përhapjen e tij, mendoj se është e mjaftueshme për të kontrolluar sëmundjen”, u shpreh ai.

Në fillim të pandemisë Suedia u kritikua për masat e marra, pasi vendi regjistroi një numër të lartë viktimash si pasojë e koronavirusit, duke shënuar një numër pesë herë më të madh se Danimarka dhe dhjetë herë më shumë se Norvegjia e Finlanda.