Drejtori për Evropën dhe Azinë/ Dr. Elez Biberaj: VOA siguron lajme të paanshme dhe të sakta për zhvillimet në Shqipëri, garantoj integritetin

592
Sigal

Drejtori për Evropën dhe Azinë i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj: VOA siguron lajme të paanshme dhe të sakta

Kryeministri Rama në Twitter: Erdhi dita që “Zëri i Amerikës” të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë

Etiketimi si kazan nga kryeministri Rama për mediat nuk është kufizuar vetëm në Shqipëri. Kjo nuk ka lënë pa prekur as “Zërin e Amerikës” që u përball me sulmin e kryeministrit pas publikimit të lajmit të abuzimeve me punësimin e militantëve në administratën e burgjeve. Drejtori për Evropën dhe Azinë i “Zërit të Amerikës”, Elez Biberaj, garantoi se ky investigim është i saktë ashtu si të gjitha lajmet e publikuara nga kjo media. Pas konsideratës negative të shprehur dhe të përsëritur për mediat shqiptare duke i etiketuar dhe me termin ‘kazan’, Kryeministri këtë herë iu përvesh edhe “Zërit të Amerikës”, pas publikimit të përgjimeve, ku deputetë socialistë, por edhe vetë kryeministri flisnin nëpërmjet telefonit me ish-Drejtorin e burgjeve, Arben Çuko, duke ndërhyrë për disa vende pune në administratën e burgjeve. Kryeministri Rama në Twitter: Erdhi dita që “Zëri i Amerikës” të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie.

Elez Biberaj, Drejtori për Evropën dhe Euroazinë i “Zërit të Amerikës” në lidhje me hetimin e kryer dhe deklaratën e Kryeministrit. Biberaj garantoi se ky publikim është i saktë. Biberaj: Shërbimi shqiptar i “Zërit të Amerikës” ka siguruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe unë garantoj plotësisht integritetin dhe gjykimin e lajmit. Shërbimi shqiptar vijon me krenari misionin e prodhimit të gazetarisë së vlerave në mbështetje të demokracisë dhe lirisë dhe t’i sigurojë audiencës së tij lajme dhe informacione të sakta, objektive dhe të balancuara në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjet e duhura. 

VOA/Shqipëri: Shkarkimet e padrejta thellojnë dëmin në buxhet

Shpenzimet për ekzekutim të vendimeve gjyqësore për largim nga puna shënuan vlera të larta gjatë vitit 2018 në Shqipëri. Të dhënat nga portali joqeveritar “Open.Spending.Albania”, që i referohen pagesave të kryera nga Thesari i Shtetit pranë Ministrisë së Financave, flasin për 2,595 transaksione të kryera nga janari i 2018 deri në fund të dhjetorit në vlerën e rreth 13,8 milionë dollarëve. Shpenzimet u përkasin institucioneve shtetërore dhe njësive të qeverisjes vendore dhe u përgjigjen pagesave për zyrtarë që kanë fituar gjyqet pranë Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës për shkarkim të padrejtë nga puna. Vitit 2018 shënoi një rënie të lehtë të shpenzimeve për këtë kategori në raport me vitin 2017, gjatë të cilit u shpenzuan rreth 14,4 milionë dollarë. Në pesë vitet e fundit të dhënat flasin se vetëm për shkarkimet e padrejta nga puna nga Ministria e Financave janë paguar mbi 102 milionë dollarë. Rekordin e shënon viti 2014 që pasoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 në Shqipëri kur nga Buxheti i Shtetit u paguan për vendimet gjyqësore rreth 32 milionë dollarë. Analistët e pavarur vlerësojnë se në vend ekziston ende hendeku midis kuadrit ligjor e politik dhe zbatimit të tij në administratën publike. Sipas analistëve, administrata publike vijon të karakterizohet nga karriera jo të qëndrueshme, shkallë e lartë e ndryshimeve që pasqyrohet në përvojën e pakët të punonjësve civilë dhe kohë pas kohe shfaqen praktika të këqija, si pagimi ryshfeteve për vende pune, abuzimi me pushtetin dhe ndikimi i politikës partiake në emërimet që nga nëpunësit më të thjeshtë deri tek zyrtarët e lartë.