Draft raporti, EUObserver: KE rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë

655
Komisioni Europian pritet të deklarojë se Shqipëria dhe Maqedonia duhet të fillojnë bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndërkohë që abuzimi me të drejtat e njeriut në Turqi nënkupton që për këtë të fundit bisedimet e anëtarësimit të mbeten pezull, shkruan sot EUobserver.
“Në bazë të progresit të arritur, Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë”, pritet të deklarojë nesër ky komision në raportin e tij vjetor për zgjerimin, sipas një drafti të parë nga EUobserver.
Edhe për Maqedoninë, ky projektdokument ka të njëjtën formulë.
Ky është rekomandimi i parë për Shqipërinë.
Ai vjen 15 vite pasi Shqipëria nënshkroi paktin e stabilizim-asocimit me BE-në dhe pothuajse 10 vite pasi shteti i Ballkanit Perëndimor, që dikur ishte diktaturë komuniste, u anëtarësua në NATO.
Ndërkohë, Maqedonia ka qenë gati për fillimin e bisedimeve që në vitin 2005.
Por, vendet e BE-së nuk kanë pranuar asnjëherë ta bënin këtë sepse Greqia vendosi veton pasi emri i Maqedonisë përfaqëson një pretendim territorial në lidhje me një rajon grek me të njëjtin emër.
Rekomandimi, që publikohet nesër, vjen në kuadër të shpresave të BE-së se Shkupi dhe Athina janë mjaftueshëm pranë gjetjes së një zgjidhjeje duke i mundësuar Këshillit të BE-së të hapë bisedimet me Maqedoninë në fund këtij viti.
Ai gjithashtu vjen edhe në kuadër të një strategjie të re të Komisionit për të përshpejtuar zgjerimin.
Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të diskutojnë sot gjithashtu për Ballkanin Perëndimor në Luksemburg.
“Pritet që ata të rikonfirmojnë angazhimin e tyre për të lehtësuar dialogun mes Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve dhe diskutimin e çështjeve të sigurisë në rajon”, sipas një diplomati të BE-së.


Sigal