Donald Lu në Prokurorinë e Përgjithshme, takon Arta Markun

625
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Donald Lu pritet të shkojë në Prokurorinë e Përgjithshme për të zhvilluar një takim me Kryeprokuroren e Përkohshme Arta Marku.
Pas takimeve që pati dje me krerët e opozitës Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, Donald Lu do takojë edhe kryeprokuroren Arta Marku. Nuk dihet tema e takimit mes Lu dhe zonjës Marku, por me sa duket ambasadori amerikan do të tregojë mbështetjen për kryeprokuroren e re. Ka qenë vetë zonja Marku e cila priti diplomatin e SHBA-ve në hyrje të Prokurorisë, duke i uruar mirëseardhjen.
Theksojmë se ky është takimi i parë që ambasadori Lu ka zhvilluar me kryeprokuroren e përkohshme, pas zgjedhjes së saj në këtë detyrë por edhe takimi i parë i Markut me diplomatë të huaj. Ndërsa për kryeprokuroren e re kjo është dita e tretë e punës.
Ambasadori Lu është shprehur haptasi pro një Kryeprokurori të Përkohshëm me gjithë kundërshtimet e opozitës. Si ai ashtu edhe ambasadorja e BE kërkuan që parlamenti të vijonte punën për të zgjedhur një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm pas mbarimit të mandatit të Adriatik Llallës.
Ditën që u zgjodh mes protestave të opozitës jashtë dhe brenda parlamentit, Kryeprokurorja Arta Marku, ambasadori Lu deklaroi se komisionet e Vetingut do të kenë së shpejti rezultatet e tyre të para. “Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur. Së shpejti do të shohim krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së, të cilat do hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë. Qytetarët shqiptarë presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë”, u shpreh Lu më 18 dhjetor.
Sigal