Detaje nga vendimi i Qeverisë: Çfarë përfshin reciprociteti ndaj Serbisë dhe shfuqizimi i taksës

380
Sigal

Ka hyrë në fuqi, mesnatën e së mërkurës, vendimi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, për heqjen e tarifës prej 100 për qind në produktet serbe dhe boshnjake dhe zëvendësimi i saj me reciprocitet. Qeveria, si është bërë e ditur, ka vënë masat e reciprocitetit me Serbinë, por jo edhe Bosnjën.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim që nga sot të heqë tarifën 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke aplikuar masën e reciprocitetit me Serbinë.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se vendimi detyron që në marrëdhëniet me Serbinë, emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe dokumentet tjera përcjellëse si dhe në certifikatat veterinare dhe dokumentet e tjera përcjellëse të përdoren në​ përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës.

“Vendimet e miratuara janë të obliguara t’i zbatojnë policia kufitare, dogana, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe institucionet e tjera përgjegjëse”.

Qeveria e Kosovës ka bërë me dije se ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor.

“Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor, me ç’rast ne do ta bëjmë një vlerësim të gjithmbarshëm të asaj se si ka ecur mbarëvajtja e këtij vendimi sa i përket zbatimit, pra sa i përket implementimit. Me këtë rast, nuk do të mjaftohemi vetëm me vlerësimin e gjithmbarshëm më 15 qershor, por pika 3 e këtij propozim-vendimi thotë që zbatimi dhe përshtatshmëria e këtij vendimi do të rishikohen së paku një herë në muaj. Pra në mënyrë periodike, por së paku një herë në muaj, do të rishikohen duke mbledhur të dhënat nga zyrtarët tanë doganorë se si eci puna e reciprocitetit”.

Kurti ka thënë se ashtu siç është premtuar, së pari është bërë gjesti i vullnetit të mirë për heqjen e tarifës 100 për qind në lëndën e parë, për të vazhduar me zëvendësimin e tarifës 100 për qind me reciprocitetin me Serbinë, duke e bërë këtë zëvendësim të sigurt dhe gradual.

“Në ketë rast ne i referohemi vetëm reciprocitetit me Serbinë që do të thotë me Bosnje e Hercegovinën e heqim tarifën 100% pa asnjë shtesë tjetër”.

Kush është i detyruar ta zbatojë vendimin e Qeverisë?

Vendimi obligon që në marrëdhëniet me Serbinë  emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe dokumentet tjera përcjellëse si dhe në certifikatat veterinare dhe dokumentet tjera përcjellëse të përdoren në​ përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi,

Vendimin e miratuar sot janë të obliguara ta zbatojnë policia kufitare, dogana, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

“Zbatimi i këtij vendimi do të rishikohet së paku një herë në muaj. Po nga ky vendim shfuqizohen vendimet e Qeverisë nr. 01/76 i 21 nëntorit 2018 dhe nr. 06/82 i 28 dhjetorit 2018. Vendimi do mbetet në fuqi deri më 15 qershor 2020, kur do të bë​het vlerësimi i zbatimi të tij.

Qeveria vlerëson se masat e reciprocitetit janë instrument i marrëdhënieve mes shteteve sovrane i njohur nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare përmes marrëveshjeve të​ ndryshme ndërkombëtare, si:

-Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregti (GATT) e vitit 1947, e ndryshuar më 1994;

– Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA) e vitit 2007

-Traktati i Komunitetit të Transportit, i nënshkruar nga Bashkimi Evropian, Serbia dhe Republika e Kosovës, krahas vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor;

“Politika Tregtare e Kosovës, miratuar nga Qeveria më 2009, synon që përfitimet nga liberalizimi i tregtisë të jenë më të larta dhe më të qëndrueshme. Mirëpo Serbia ka vendosur një sërë barrierash tregtare jotarifore ndaj Republikës së Kosovës, duke përfshirë barrierat në transit, barrierat teknike dhe barrierat politike. Kështu, që nga hyrja në fuqi e CEFTA-s, Serbia ka dëmtuar eksportuesit dhe importuesit nga Republika e Kosovës dhe kanë shkaktuar një deficit të lartë tregtar për Republikën e Kosovës. Këto janë arsye të mjaftueshme që Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ta miratojë këtë vendim”.

Vendimit të Qeveria ia ka bashkangjitur edhe propozimin për masa të reciprocitetit për të rregulluar tregtinë me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, parashtruar nga Grupi Punues për Barrierat Tregtare i Ministrisë.

Haradinaj: Kurti ia humbi Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksë

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqje të tarifës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Bashkëpunimi rajonal është kyç ashtu si është tregtia e lirë, në një kohë krize si tash me përballjen me COVID-19”, tha ai në Twitter.

Ndërkaq, ish- kryemistri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se heqja e taksës 100% për Vuçiqin e Serbisë e Dodikun e Republikës serbe të Bosnjës, është nënshkrim i dhënë për të lejuar ripushtimin ekonomik e tregtar serb në Kosovë.

“Me këtë mashtrim, Kurti ia humbi përfundimisht Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksën 100%, i cili ishte dizajnuar të përdoret në këmbim të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai në Facebook.

Kurse në Doganen e Kosovës kanë thënë janë të gatshëm të zbatojnë çdo vendim të Qeverisë së Kosovës.

“Normalisht, Dogana zbaton masat që merr Qeveria e Kosovës. Normalisht edhe vendimin për reciprocitet dhe secilin vendim të Qeverisë së Republikës se Kosovës,Dogana do të respektojë në maksimum”.

Taksës 100 për qind e kishte vendosur qeveria e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018.

Taksa 100 për qind për importet nga Serbia ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet.

Kundër kësaj takse, që nga vendosja e saj, ishin deklaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi që nga ajo kohë, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë.

Një masë reciprociteti ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar edhe në korrik të vitit 2011.

Ky reciprocitet në atë kohë ishte marrë pasi që Serbia për tre vite pas shpalljes së pavarësisë, kishte bllokuar mallrat nga Kosova për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.