Qeveria rrit pensionet mujore, baraz me 1 kg limon

400
Sigal

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka detajuar në një njoftim të saj të fundit efektin financiar që do të ketë në buxhet indeksimi i pensioneve që nis nga ky muaj i miratuar me një vendim qeverie një ditë më parë. Sipas Financave janë rreth 670 mijë pensionistë që përfitojnë nga kjo politikë indeksimi teksa shuma që zë në buxhet kjo politikë në total është 2.1 miliardë lekë dhe pjesa më e madhe prej 1.73 miliardë lekësh shkon për pensionet e qytetit.

“Këshilli i Ministrave miraton indeksimin e pensioneve të pensionistëve dhe kategorive të tjera që trajtohen financiarisht me pensione ose të ardhura që jepen nga sistemi i sigurimeve shoqërore. Kjo masë, megjithëse merret në një situatë të veçantë, është një përpjekje e qeverisë për të mbuluar sa më mirë nevojat ekonomike të kësaj shtrese të popullatës.

Efektet financiare nga zbatimi i këtij vendimi parashikohen në masën 2.1 miliard lekë dhe, bazuar në përllogaritjet e shtesës së indeksit të çmimeve për vitin 2019 ndaj 2018-s, projekti parashikon rikuperimin total të efekteve negative të rritjes së çmimeve të mallrave e shërbimeve të shportës së pensionistëve.

Evidentojmë faktin se, ndërsa ndryshimi i indeksit mesatar të çmimeve për gjithë popullatën është 1,4 %, indeksimi i pensioneve është bazuar në ndryshimin e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të shportës të pensionistëve, ku pesha specifike më e madhe i adresohet zërit ushqime dhe pije jo alkoolike.

Nga zbatimi i këtij vendimi do të përfitojnë mbi 669 500 pensionistë, mbi 12 mijë nëna të cilat janë të vetëpunësuara në sektorin bujqësor e që përfitojnë barrëlindjen dhe 14 mijë përfitues të ardhshëm, duke e çuar në total numrin e përfituesve në 682 800.

Pagesat me shtesat e rritura do të nisin të përfitohen menjëherë që në muajin prill të këtij viti.

Ky vendim i Këshillit të Ministrave plotëson detyrimet ligjore për indeksimin e pensioneve për shkak të ndryshimit të indeksit të çmimeve dhe është i mbështetur në filozofinë e zbatimit të politikave të rritjes së të ardhurave të shtresave të caktuara të popullsisë, sipas politikave buxhetore të miratuara.

Më poshtë paraqiten detajimet për efektet financiare në buxhetin e shtetit:

Efekti financiar për 543.500 individë që marrin pension qyteti është 1.73 miliardë lekë;

Shuma që shtohet nga buxheti për 121.200 pensionistë në fshat është 214.3 milion lekë;

Shtohen në buxhet 3.2 milion lekë për 2.600 pensione sociale;

Shtohen 10.3 milionë lekë për rritjen e shpërblimeve të nënave me leje barrëlindje në fshat;

Shtohen 117.7 milionë lekë për rritjen e pensioneve të parakohshme dhe suplementare të ushtarakëve, policisë, ish- punonjësve të minierave, industrisë së naftës dhe metalurgjisë, një pjesë e të cilëve janë në proces të llogaritjeve dhe të marrjes së përfitimeve për shkak të zbatimit të ligjit nr. 29/2019, për përfitimet e punonjësve të profesioneve të vështira .

Rritjen 2.3% e përfitojnë të gjithë personat që marrin pension invaliditeti, familjar, të parakohshëm dhe ata që kanë punuar në punë të vështira e industri të rënda” sqarojnë Financat.