Dështon reforma territoriale/ 60 bashkitë e Rilindjes “fryjnë” administratën, punësuan 31 mijë militant partie më shumë në 6 vite

318
Sigal

61 bashki të vendit mbushën administrata e tyre me 11 mijë punonjës më shumë në 6 vite. Një raport i Co Plan flet për një rëndim të financave vedore për shkak të punësimit të këtyre njerëzve, ku vendin e parë e mban bashkia e Tiranës. Për 6 vite numri i punonjësve në 61 bashkitë e vendit rezulton të jetë rritur me më shumë se 11 mijë persona. Nga një analizë e Portës Vendore rezulton se në vitin 2015 sipas shifrave zyrtare raportoheshin 19 mijë e 625 të punësuar ndërkohë që gjashtë vite më vonë numri ka arritur në më shumë se 31 mijë. Kjo e shoqëruar natyrisht dhe me rritjen e buxhetit për pagat dhe sigurimet shoqërore. 20% të të punësuarve në total i përkasin Bashkisë së Tiranës, ndjekur më pas nga ajo e Durrësit me 6%. Shqipëria ka hyrë në vitin e gjashtë të zbatimit të reformës administrativo-territoriale, e cila u miratua në vitin 2014, me qëllim rikompozimin e ndarjes administrative dhe reduktimin e numrit të institucioneve. Arsyeja kryesore e kësaj reforme lidhje me mosefiçencën e komunave dhe bashkive për kryerjen e shërbimeve por sigurisht edhe vlera financiare e kursyer do të ishte e konsiderueshme. Në një raport të Co-Plan lidhur me analizën e të punësuarve në 61 bashkitë e vendit, është konstatuar fakti se numri i të punësuarve po rëndon financat vendore. Brenda një harku kohor të 4 viteve, buxheti i bashkive që shkon për paga e sigurime është rritur nga 18.5% në 23.6% brenda një viti. Bazuar në të dhënat e vitit 2018 kostoja mesatare për një të punësuar në nivel bashkie është rreth 53 mijë e 111 lekë në muaj. Kjo kosto paraqet luhatshmëri të ndjeshme mes 61 njësive të qeverisjes vendore. Sipas Coplan niveli minimal regjistrohet në bashkinë Këlcyrë me rreth 32 mijë e 427 lekë ndërkohë që maksimali në bashkinë Selenicë me rreth 82 mijë e 474 lekë. Diferencat ndërmjet bashkive janë të theksuara, si në nivel të kostos mesatare për të punësuar ashtu dhe në nivelin e ofrimit të shërbimit. Të dy këto tregues, ngrenë pikëpyetje mbi nivelin dhe cilësinë e ofrimit të shërbimeve nga qeverisja vendore thuhet në raportin e CoPlan.