Ceremonia për 105-vjetorin e lindjes së Ismet Elezit, Presidenti Begaj: Drejtësia e re ka nevojë për modele të integritetit e profesionalizmit

69
Sigal

Sot, me rastin e 105-vjetorit të lindjes së profesorit të së Drejtës Penale, Ismet Elezi, në një ceremoni të organizuar nga Fakulteti i Drejtësisë në Tiranë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, e vlerësoi atë si një figurë mbresëlënëse të shkencës juridike, duke përcjellë edhe disa mesazhe për drejtësinë.

Në nderim të profesor Elezit për kontributin e tij në ndërtimin e të Drejtës Penale në shtetin modern shqiptar dhe në edukimin e brezave të studentëve, Begaj nënvizoi se modele të tilla marrin një peshë edhe më të madhe në një kohë kur drejtësia e re shqiptare po kalon procesin më të rëndësishëm të transformimit në epokën e demokracisë.

FJALA PËRSHËNDETËSE E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS, SH. T. Z. BAJRAM BEGAJ, ME RASTIN E 105-VJETORIT TË LINDJES SË PROFESOR ISMET ELEZIT

Unë kam patur fatin ta takoj dy herë më parë profesor Ismetin, por në takimin e parë ishte një bisedë mjaft interesante. Po flisnim për problemet shëndetësore, pasi unë në background jam mjek, dhe po më shpjegonte: “Shëndeti fizik, – thoshte, është i domosdoshëm duke mbajtur aktivitetin fizik. Dhe unë, pavarësisht se kam kaluar një problem shëndetësor, kam filluar të lëviz nëpër shtëpi me shkopin tim. Po kaq i rëndësishëm është dhe shëndeti mendor. Dhe këtë shëndet mendor, – më tha, e mbaj duke lexuar e duke shkruar. Jam duke shkruar një libër dhe do ta sjell në takimin tjetër”. Dhe fiks pas një viti, në 2024-ën më solli librin “Kanuni i Labërisë”, një libër shumë interesant.

I dashur Profesor Ismeti,

Të nderuar të pranishëm,

Ka disa jetë njerëzore që fati i shenjon në mënyrë të veçantë.

Ka disa jetë, të cilat, më shumë se me numrin e viteve, ngjarjeve të jetuara apo veprave të kryera, imponohen me atë çfarë kanë bërë ndryshe, e çfarë kanë bërë më mirë, e çfarë kanë ndikuar në jetët njerëzore dhe te shoqëria jonë.

Nëse në komunitetin e madh të juristëve do të kërkohej një emër i shquar, padyshim profesor Ismet Elezi do të ishte një prej tyre për atë çfarë ka përfaqësuar përgjatë një jete të jashtëzakonshme që kapërcen shekullin dhe që ka prekur çdo epokë të jurisprudencës shqiptare.

Në këtë ditë urimi ne shohim te profesor Ismet Elezi një jetë dhe një karrierë të realizuar, një figurë mbresëlënëse të shkencës juridike, një edukator të përkushtuar dhe erudit.

Profesor Ismeti është vetë historia e gjallë e shkollës juridike shqiptare. Ai ka qenë model në përkushtimin ndaj dijes dhe edukimit të brezave të rinj.

Shkolla juridike shqiptare është një shkollë relativisht e re në mendimin juridik evropian.

Ajo i ka rrënjët te rilindësit e mëdhenj, disa prej të cilëve ishin juristë të spikatur, doktrinarë dhe shtetarë të shquar, si: Abdyl Frashëri, Haxhi Ymer Prizreni, Pashko Vasa, konstitucionalisti i parë shqiptar, Sami Frashëri, dhe vetë themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali.

Por, pavarësisht kësaj, ajo ka gurët e vet kilometrikë që formësojnë historinë e saj. Disa janë data të rëndësishme që përkujtohen, disa të tjera janë procese reformuese që kanë ndarë epoka, disa janë arritje që kanë shënuar kthesa, por më të rëndësishmit janë emrat që përfaqësojnë identitetin themelues të doktrinës juridike dhe të specialiteteve të veçanta.

Profesor Ismet Elezi është përpunuesi i parë dhe figurë qendrore në ndërtimin e të Drejtës Penale në shtetin modern shqiptar. Mësues i brezave të tërë studentësh, studiues i palodhur në fushën e të Drejtës Penale dhe të së Drejtës Zakonore, ai është edhe autor i më shumë se 30 librave dhe qindra botimeve.

Profesor Elezi qëndron përkrah figurave të tjera madhore, si: Dhimo Dhima në të Drejtën Kushtetuese; Luan Omari në Teorinë e Shtetit dhe të Drejtës; Stavri Çeço i të Drejtës Civile; Arben Puto në të Drejtën Ndërkombëtare Publike; Aleks Luarasi në Historinë e Shtetit Shqiptar, e shumë të tjerë.

Fakulteti i Drejtësisë bën shumë mirë që nderon korifenjtë e mendimit juridik shqiptar.

Përmes përkujtimit të tyre, ai nuk ruan vetëm kujtesën institucionale, por i ofron shoqërisë modele të dijes, të urtësisë dhe të integritetit.

Sot, teksa drejtësia e re shqiptare po kalon procesin më të rëndësishëm të transformimit në epokën e demokracisë, modelet marrin një peshë akoma më të madhe.

Nderimi i Profesor Ismet Elezit është më shumë se një gjest simbolik.

Ai është një kujtesë për vlerat që duhet të mbajmë gjallë, sepse drejtësia e re ka, gjithashtu, nevojë për gurët e vet kilometrikë, për modele dhe shembuj të integritetit e profesionalizmit.

Në dhjetë vitet e fundit vendi ka njohur reformën në drejtësi që, për nga përmasa, ndikimi, transformimi e, mbi të gjitha, nga pritshmëritë ndaj saj, është një nga sipërmarrjet më të fuqishme të kryera në këto tre dekada.

Çrrënjosja e pandëshkueshmërisë dhe instalimi i kulturës së shtetarit si administrator i përgjegjshëm i interesit publik është një gur kilometrik.

Zhvillimin sasior të saj e dallojmë nga numri i rasteve që ndiqen penalisht. Zhvillimin cilësor e dallojmë kur me kurajë, vendosmëri dhe drejtësi zbatohet ligji ndaj të fuqishmëve apo atyre që janë të paprekshëm.

Kultura e hetimit profesional, të paanshëm dhe të pavarur është, gjithashtu, një gur kilometrik.

Frytet e saj duken kur publiku ka besim te drejtësia, kur vendimet e drejtësisë bindin dhe kur të drejtat e subjekteve dhe standardet respektohen.

Vetingu permanent, kontrolli i brendshëm dhe vetëpastrimi zënë një vend të rëndësishëm në gurët kilometrikë të drejtësisë së re.

Drejtësia e re nuk mund të jetë e re nëse ajo shfaq simptomat e drejtësisë së vjetër, si korrupsionin, klientelizmin apo korporativizmin. Ajo duhet të shfaqë imunitet të padiskutueshëm dhe të jetë e padepërtueshme nga sëmundjet e vjetra.

Drejtësia e re ka identitetin dhe moralin e njerëzve që e bëjnë dhe përbëjnë atë.

Prandaj ka rëndësi edukimi i brezave të juristëve jo vetëm me dije solide, por edhe me urtësi rrezatuese, jo vetëm me aftësinë për të peshuar me paanësi, por edhe me kurajën për të qenë njerëzor.

Po kaq rëndësi ka edhe rekrutimi transparent dhe me meritë. Drejtësia e re duhet pranuar si thirrje dhe kontributi për të duhet kuptuar si premtim solemn. Rruga është ende e gjatë, por suksesi është shfaqur në horizont. Mbështetja ime ndaj jush është e palëkundur. Mbështes pavarësinë, transparencën dhe zbatimin e standardeve. Me përkushtimin tuaj, jam i sigurt se suksesi do të jetë i arritshëm.

Që rrugëtimi të bëhet i lehtë, shkolla jonë juridike duhet të dalë në krye, me vizion, me mprehtësi, me kërshëri, vigjilencë, kritikë e energji. Modelet janë një ndihmë e madhe, sidomos kur vjen dita për të kuptuar potencialin dhe rolin që i takon në histori.

Në mbyllje, ju falënderoj shumë për mundësinë për të qenë pjesë e festës tuaj!

Gëzuar ditëlindjen, profesor Elezi!

Ju faleminderit!