Bundestagu paralajmëron: Mos luani me integritetin e Gjykatës Kushtetuese nëse doni çeljen e negociatave

522
Sigal

Hans-Joachim Falenski, Kryekëshilltar për Politikën e Jashtme në CDU-CSU, ka paralajmëruar sot në Tiranë qëndrim të ashpër të Bundestagut Gjerman nëse situata me Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe standardet demokratike nuk zgjidhen, sipas Kushtetutës.

Në fjalimin e mbajtur sot gjatë dekorimit nga Presidenti Ilir Meta, zyrtari gjerman nuk i ka kursyer kritikat për mungesën e funksionimit të institucioneve dhe problemet me lirinë e mediave dhe standardet ligjore në Shqipëri.

Lidhur me Gjykatën Kushteyuese, Hans-Joachim Falenski, ka qenë i prerë teksa ka kujtuar se çështja nuk është të përmbushen numrat e anëtarëve të saj, por çdo gjë të jetë sipas Kushtetutës. “Kjo është ideja dhe bindja politike pas 9 kushteve të Bundestag-ut.  Ne shpresojmë që tashmë gjërat të jenë në rrugën e përmirësimit të situatës. Ju e dini që ne po vendosim dy parakushte që duhet të përmbushen para se të zhvillohet Konferenca e parë Ndërqeveritare. E para është: Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë duhet të jenë në gjendje të kryejnë funksionet e tyre përkatëse duke siguruar një numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve të cilët e kanë kaluar vetingun. Çështja nuk është vetëm nëse plotësohet numri i mjaftueshëm.  Shumë më e rëndësishme është nëse kjo është bërë në përputhje të plotë me papërjashtim çdo parashikimi të kushtetutës suaj dhe të mos jetë i njëanshëm”,- tha ai.

Hans-Joachim Falenski ka kundërshtuar hapur ndryshimin e ligjit për betimin e gjyqtarëve, të miratuar së fundi nga PS. “Dhe kjo përfshin jo vetëm procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun, por edhe procesin e marrjes së vendimeve ose – për shembull – ceremoninë për t’i bërë gjyqtarët të betohen mbi kushtetutën.  Nëse nenet përkatëse të kushtetutës nuk respektohen plotësisht në këtë moment të rëndësishëm të një fillimi të ri, si mund të besojmë se puna e ardhshme e Gjykatës Kushtetuese do të kryhet në përputhje të plotë me Kushtetutën?”,- tha ai.

Hans-Joachim Falenski ka kritikuar dhe situatën me lirinë e mediave duke thënë se një vend kandidat i BE duhet të ketë më shumë kujdes në miratimin e ligjeve për mediat. “Jemi të shqetësuar edhe për lirinë e mediave, e cila me miratimin e paketës së re po bën hapa prapa dhe duke krijuar një precedent shqetësues mbi përpjekjen për të neutralizuar zërat e medias. Bundestag-u po ndjek gjithashtu diskutimet për një paketë të re ligjesh që janë diskutuar gjerësisht këtu dhe disa dekrete të Presidentit që i konsiderojnë këto ligje si jokushtetuese. Një vend kandidat ka nevojë për një sistem demokratik me kontrolle dhe ekuilibra funksionues. Të gjitha pushtetet në një dorë të vetme, në shumicën e rasteve, janë të rrezikshme për demokracinë dhe nuk ju afrojnë aspak më pranë Evropës.  Për këtë arsye është urgjentisht e nevojshme të krijoni një sistem funksionues të kontrolleve dhe ekuilibrave këtu në vendin tuaj”,- tha ai Kryekëshilltar për Politikën e Jashtme në CDU-CSU.