Jordan Daci: Ja pse tubimi i thirrur nga Presidenti me 2 mars është i ligjshëm

196

Avokati Jordan Daci, i ftuar në Syri Tv,  ka folur edhe për tubimin e paralajmëruar nga Presidenti Ilir Meta, më datë 2 mars, duke e quajtur një legjitimitet të Presidentit në kushtet kur një klan që ka kapur Partinë Socialiste, kërkon të kapë Kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetuese.

“Tashmë roli i Presidentit me gjyqësorin është i zbehur por edhe me insitucionet e tjera. Presidenti është mishërimi i unitetit kombëtar. Është komandanti i Forcave të Armatosura, që ne i besojmë sigurinë tonë territoriale.

Problematikat që shtron Presidenti, janë më serioze se ç’duken. Sistemi aktual ka dështuar të adresojë të gjithë problematikat. Presidenti nuk ka të drejtë për gjithçka, por shqetësimet që ngre Presidenti nuk mund të themi që të mos marrin vëmendjen.

Kemi një shqetësim konkret që e ka parashtruar kohë pas kohe. Kemi një veprim të kësaj maxhorance kundër Presidentit. Kemi një ekzekutiv që nuk do t’ia dijë fare. Kemi një ligjvënës që vetëm hesht.

Në këtë aspekt duke mos patur asnjë lloj mekanizmi institucional për të tërhequr vëmendjen e organeve kushtetuese, Presidenti ka menduar ta ndajë këtë shqetësim me popullin.

Dhe këtu nuk ka asgjë antikushtetuese. Pushtetin e marrim nga populli, dhe e kundërta po i shërbejmë pushtetit. Nisma e Presidentit është për t’u lavdëruar. Situata është për t’u shqetësuar.

Kur Presidenti bëhet objekt i një sulmi frontal për t’i marrë pushtetin që i takon, ne duhet të kujdesemi për ta mbrojtur. Në një shtet institucional palët ulen, dhe nuk nisen nga një axhendë personale. Kjo nuk po ndodh.

Sot Presidentin po e zhveshin nga kompetencat. Sot koncepti ‘Grusht shteti’ është i ndryshëm nga ajo që po përdoret rëndom. Por edhe ajo që e ka përdorur presidenti nuk është akt formal.

Në kohët moderne ka mënyra moderne të përmbysjes së pushtetit. Ajo çfarë po ndodh është që i gjithë pushteti po vihet në dorë të një klani të caktuar brenda maxhorancës. Jo të Ps-së, se PS ka njerëz me dinjitet”, tha Daci.