Bledi Dervishaj: Dita Kombëtare e Drejtësisë Shqiptare dhe një reflektim objektiv mbi nevojën e funksionimit të drejtësisë penale

233
Në 10 Maj, ne kujtojmë Ditën Kombëtare të Drejtësisë. Pikërisht në këtë datë, më 10 maj 1913, Qeveria Shqiptare me Kryeministër Ismail Qemalin, pas shpalljes së Pavarësisë, miratoi “Kanonin e Zhurisë”, si aktin e parë që përcaktoi organizimin dhe funksionimin e gjykatave në sistemin gjyqësor shqiptar.Pikërisht sot, në përkujtim të ditës së drejtësisë shqiptare, ne ndiejmë edhe më shumë nevojën mbarëshoqërore për një drejtësi që të jepet, atje ku duhet, dhe atëherë kur nevojitet.
Të japësh drejtësi objektive, është t’i ofrosh shoqërisë shpresë, duke krijuar tek të gjithë idenë e palëkundur se kushdo që do të shkelë harmoninë e përbashkët, marrëdhëniet juridiko-shoqërore që përmes ligjit kemi vendosur t`i mbrojmë, do të ndëshkohet pa asnjë dallim.
E drejta dhe e padrejta janë gjithmonë në lëvizje të kundërt me njëra- tjetrën. Ato janë në një përplasje të përditshme, në një marrëdhënie ndërluftuese me njëra- tjetrën, njësoj si pllakat tektonike. E kur kjo luftë e përditshme midis të drejtës dhe padrejtësisë arrin kulmin, fuqia shtytëse midis tyre rritet, derisa sa fillon plasaritja, e ku në finale dikush thyhet dhe humbësi i nënshtrohet fituesit.
Ky është dhe momenti kur shoqëria përjeton ose ngazëllim e shpresë kur e drejta fiton, ose në të kundërt zhgënjim, dobësim të besimit, tërheqje dhe largim, kur e padrejta ka mbizotëruar.
Nëse e padrejta fiton, duhet një farë kohe që situata të normalizohet, derisa e drejta të rimarrë fuqitë e saj, për t`iu kundërvënë sërish të padrejtës për ta frenuar atë.
Kjo periudhë krijon vakum/boshllëk, ku drejtësia duket sikur ka ndalur së funksionuari, apo të paktën duket se e ka pezulluar punën e saj.
Kur dhënia e drejtësisë nuk funksionon, atëherë krijohet një hapësirë, që e padrejta e mbush shpejt.
Ky është ai momenti kritik, ku të gjithë fillojnë e krijojnë bindjen se drejtësia mund të fitohet vetëm me mbështetjen e politikës, dhe pa atë askush nuk do të gjejë drejtësi.
Pikërisht kjo lloj ndjesie, ky lloj realiteti, ka infektuar edhe shoqërinë tonë, duke ndikuar negativisht të gjithë jetën shoqërore në vend.
Ndërkohë që qeveritë dhe shumicat politike kanë si qëllim zgjerimin apo forcimin e pushtetit të tyre, këto organe kanë mundur që dhe publikisht të dobësojnë institucionet e drejtësisë, të rrisin trysninë dhe presionin ndaj tyre, me qëllim që në çdo kohë të arrijnë një dakordësi me elementë brenda sistemit të drejtësisë, për të ruajtur paprekshmërinë nga ligji, si për vete por dhe për ata që keqpërdorin forcën e ligjit në emër dhe me urdhër të tyre.
Kjo nuk është se nuk ka ndodhur, nuk po ndodh, apo nuk do të ndodhë më.
Për fat të keq, ne jemi dëshmitarë, se si këto muaj e fundit është konsumuar në sy të të gjithëve, fenomene masive të krimit zgjedhor, ndërkohë që organet e drejtësisë, deri tani nuk kanë arritur t’i përgjigjen në kohë, dhe me të njëjtën forcë e masë ndëshkuese këtyre fenomeneve.
Procesi zgjedhor i 25 prillit na tregoi të gjithëve se, politika shqiptare, nuk shkëputet dot nga krimi, ka shumë nevojë për forcën e errët të tij, për të arritur qëllimin final për të sunduar dhe jo për të qeverisur.
Të gjithë u bëmë dëshmitarë se si numri i krimeve zgjedhore u rrit ndjeshëm, kjo e faktuar edhe me numrin e rritur të denoncimeve, ndërkohë që ende askush nuk është vënë përpara drejtësisë!
Numri i kallëzimeve, dhe i procedimeve shërben për evidentimin e gjendjes në të cilën ndodhet shoqëria me qëllim marjen e masave afatmesme, ndërsa numri i personave të ndaluar, arrestuar në momentin e kryerjes së krimit zgjedhor, frenon paligjshmërinë, parandalon pasojat, ruan të pandikuar vullnetin e zgjedhësit gjatë një procesi zgjedhor që është në dinamikë zhvillimi, duke ruajtur në këtë mënyrë demokracinë.
Drejtësia në proceset zgjedhore nuk mund të jetë statistikë, ajo duhet të veprojë, pa vonesë, aty për aty dhe me veprime aktive, të efektshme, dhe me rezultate të prekshme.
Mungesa e kurajos për të hetuar krimet zgjedhore është e dukshme, është një plagë prej të cilës organet e drejtësisë penale, nuk po shërohen dot, edhe pse reforma në drejtësi i dha atyre më shumë pavarësi, më shumë mbrojtje dhe më shumë vlerësim.
E gjithë shoqëria jonë, ka besuar fort, se organet e reja të sistemit të drejtësisë, nuk do të hezitonin të vepronin ndaj kujtdo, pavarësisht statusit, dhe se miti i pandëshkueshmërisë do të merrte fund.
Po a ka treguar realiteti ynë prova se drejtësia i është përgjigjur në kohën e duhur kësaj pritshmërie që të gjithë kishim krijuar? Personalisht mendoj që jo! Nuk ka mundur të përmbushë dëshirën e shqiptarëve.
Ashtu sikundër edhe nëse dikush sot do më bënte pyetjen tjetër se, a i kemi humbur shpresat për një drejtësi eficiente, të pandikuar, që ndonjëherë do të mund të fitojë pavarësinë e saj të plotë? Edhe kësaj pyetje do t’i përgjigjesha me një JO të madhe fare!
Nuk mund dhe nuk duhet t`i humbasim shpresat.
Sepse unë ndaj bindjen se mjafton vetëm një Prokuror dhe një Gjyqtar i ndershëm, për të rikthyer besimin tek Drejtësia.
Nuk duhet më shumë, por një veprim e vendim i drejtë, i plotë, dhe bë kohën e duhur, ndaj autorëve real, organizator të krimeve zgjedhore, që të rikthehet mënjeherë besimi në gjithë Shqipërinë.
Mjafton një Prokuror dhe një Gjyqtar i pavarur, i ndershëm dhe me kurajo, që me vendimet e tyre, të frenojnë kupolën e kriminalitetit, të bëjnë diferencën, të japin shembullin tek kolegët dhe të rikthejnë shpresën tek qytetarët, se Drejtësia e Reformuar nuk pyet për status, pozitë, parti, anësi, por i trajton të gjithë njësoj.
Nëse në Shqipëri do të kishim një gjyqtar apo një prokuror me kurajon dhe vullnetin e Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellinos, atëherë është pak, por e sigurt që në Shqipëri:
– Çdo drejtues i lartë politikë i përfshirë në përgjime për krime zgjedhore, do t’i pritej rruga për në parlament nga prangat e drejtësisë dhe karriera e tij politike do të merrte fund një herë e mirë.
– Nuk do të guxonte askush brenda sistemit të drejtësisë që të përdorte taktika proceduriale për mbylljen e dosjeve penale për krimet zgjedhore, e askush tjetër nuk do ta merrte urdhërin e punës që dosjet penale të bënin xhiro vajtje-ardhje nga Dibra në Tiranë e anasjelltas, duke i lënë mundësi autorëve të shijonin lëkundjet e tërmetit që kishin shkatuar me veprimtarinë e tyre!
Nëse do të kishim një Falcone apo një Borselino Shqiptar, atëherë e sigurt është që:
– Kallëzimet penale, të bëra nga Presidenti i Republikës, Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucionet e tjera kushtetuese, aktorët kryesorë të jetës politike në vend, shoqëria civile, media e lirë, nuk do të qëndronin me vite në sirtarët e drejtësisë, pa një vendim, pa veprim.
Nuk do të guxonte kush të lejonte që autorët me “jaka të bardha”, të faktuar ndërkombëtarisht, të mos vendoseshin përpara drejtësisë, jo më të mendohej promovimi i pamerituar i tyre me funksione, a dekorata të reja!
– Dosjet penale për denoncimet e rasteve ekstreme korruptive, si të Unazës së Tiranës, Inceneratorëve, prishjes së Teatrit Kombëtar, tenderimeve publike sekrete ose jo, dhe shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të lartë, të rrinin pezull, e përgjegjësia të zbriste në nivelin më të ulët ekzekutiv, që vetëm shefi të shpëtojë, ndërkohë që nevoja e publikut për drejtësi reale për këto raste, është ulëritëse.
– Nëse do të kishim një gjyqtar dhe një Prokuror kurajoz, është e sigurtë që askujt nuk do t`i shkonte mendja që të shfytëzonte e të keqpërdorte të dhënat personale të 910 mijë qytetarëve të Tiranës për qëllime elektorale.
– Askujt nuk do t`ia mbante të dilte në pazarin politik për të blerë apo shitur vota në procese zgjedhore.
– Asnjë qeveritar a funksionar nuk do guxonte që në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, dhe në shpërdorim të detyrës publike, të përdorte asetet dhe fondet publike gjatë fushatës zgjedhore, sikur t`i kishte të partisë a shtëpisë së vet.
– Nëse drejtësia do të ishte eficiente, asnjë mendje djallëzore, sado ekselente në ekspertizën e saj, nuk do t`i shkonte ndërmend të pengonte hyrjen në atdhe të qytetarët shqiptarë emigrantë në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut, për t`u mohuar të drejtën e votës në 25 prill.
Jo vetëm kaq, por as nuk do guxonin të mendoheshin dy herë për të zbatuar rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe kërkesat e Presidentit të Republikës.
– Kush do guxonte të jepte Kontrata Koncesioni gjatë periudhës zgjedhore, nëse do ta dinte mirë se pas kësaj do ta priste vetëm burgu?
– Kush do guxonte që fondet e rimbursimit, për dëmet e tërmetit, t’i mbante në përpunim e sipër, për t`i përdorur muajin e fushatës zgjedhore, që zgjedhësi të mos harronte? Askush!
Mosfunksionimi në kohën e duhur i organeve të drejtësisë, dëmin e ka të shumëfishtë.
Kur autorët nuk ndëshkohen, atyre u krijohet mundësia të operojnë më të njëjtat skema kriminale dhe në njëjtin terren për të përfituar në vijimësi padrejtësisht dhe duke i dëmtuar përditë interesat e shtetit dhe të shtetasve.
Ndërkohë që, nga ana tjetër, një dëm akoma dhe më i madh është përcjella në publik e idesë se drejtësia në Shqipëri jepet me dy standarde.
Një standart përkëdhelës për ata që gëzojnë pushtet apo janë në anën apo nën urdhrat e tij, dhe një standard tjetër i ashpër, i vrazhdë, dhe shproporcional për qytetarin e thjeshtë.
Të gjitha këto e shkatërrojnë besimin e publikut tek drejtësia, tek njerëzit e saj, i demoralizon qytetarët deri në humbjen e shpresës dhe gjetjen si të vetmen rrugëdalje – emigirmin.
Ky është dhe dëmi më i madh, humbja e shpresës dhe braktisja e vendit, dëm ky i pamatshëm dhe me pasoja kolosale kombëtare, sociale dhe ekonomike.
Ndaj sot, në ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare, ne të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi, duhet të apelojmë për të vërtetën, dhe këtë duhet ta bëjmë me kurajo dhe në mënyrë të përsëritur ndaj organeve të drejtësisë penale me thirrjen:
Kini kurajo për të vepruar!
Mos pranoni asnjë telefonatë apo sinjal partie! Provat dhe faktet janë në duart tuaja! Populli është me ju, pret nga ju, dhe do ju dalë në krah! Tregoni integritetin tuaj!
Dhënia e drejtësisë, nuk është aksion, nuk është një veprim me afate që fillon e mbaron në një datë të caktuar. Ajo nuk duhet të ndalet e as të përgjumet. Drejtësia duhet të jepet në çdo kohë.
Shteti Shqiptar ka sot më shumë se kurrë nevojë për Gjyqtarë e Prokurorë të pavarur, kurajozë dhe të ndershëm, për të dhënë drejtësi e për të zbardhur të vërtetat e krimeve më të freskëta zgjedhore, dhe jo vetëm.
Ata duhet të veprojnë tani për të vendosur të drejtën në vend, e për t’i thënë “JO!” shkeljeve të ligjit, kushdo qoftë autori apo autorët e tyre.
Dhënia e drejtësisë është detyrë e njerëzve me integritet, është detyrë e patjetërsueshme e sistemit të drejtësisë, i cili është një pushtet i ndarë nga qeveria e parlamenti, dhe duhet të jetë krejtësisht i pavarur dhe i pandikuar prej tyre.
Drejtësia shqiptare ka shumë punë përpara, të fitojë integritetin e saj përballë sulmit për kapje, dhe të garantojë të ardhmen europiane të vendit.
Duhet të veprojë drejtësia e pavarur, pa të ketë zhvillim në gjithë fushat e tjera të jetës në vend.
Ndaj sot me thirrjen e përsëritur për veprim i uroj gjithë trupës së ndershme të drejtësisë penale,
Gëzuar 10 Majin, Gëzuar Ditën e Drejtësisë Shqiptare!
Sigal