Berisha: Saimir Tahiri duhet të jetë në burg

519
Ish-kryeministri flet për vitet e para të pluralizmit, vendimet e vështira dhe kërkesat aktuale të opozitës. Si u propozua Mentor Çoku si president në takimin e Triestes me Nanon

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur në një intervistë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu lidhur me zhvillimet e viteve të para të pluralizmit, takimin e Triestes me Fatos Nanon dhe kërkesat e opozitës së sotme.

Zoti Berisha, si e kujtoni 22 marsin e vitit 1991?
“Si një nga ditët më të shënuara të jetës time, por dhe të historisë së kombit. Ditë në të cilën, revolucioni demokratik i filluar në dhjetor të vitit 1990, kulmoi me shembjen, me votën e lirë, të diktaturës dhe sistemit komunist. Si sot, ato ditë udhëtoja nëpër Shqipëri me qindra kilometra me ndjenjën e besimit në fitore, pavarësisht se pollet tregonin të kundërtën, një poll i Galup tregonte Partinë e Punës rreth 40 pikë para PD, por dhe me një ndjenjë të jashtëzakonshme përgjegjësie, sepse ne ishim një grup politik pa eksperiencë në drejtimin e shtetit, me eksperiencë të shkurtër në politikë, dhe nga tokë e djegur, nga vendi i monizmit më ekstrem do të ndërtonim sistemin e demokracisë dhe vlerat e demokracisë. Krahas entuziazmit, kënaqësisë së fitores, rikujtoj dhe kam të freskëta Shqipërinë e atyre ditëve, një vend ku kombi i të cilit ishte derdhur në det dhe në tokë për t’u larguar, po dezintegrohej nga mjerimi. Një vend në të cilin papunësia kishte arritur mbi 80% me dekret presidencial, rezerva valutore e Shqipërisë ishte gjithsej 4 milionë dollarë, dhe se zgjebja, morri bënin kërdinë në të katër anët e vendit. Pra, një Shqipëri po lindte, dhe më kujtoheshin gjithmonë fjalët e një personaliteti të shquar që thoshte se:një Shqipëri po lindte mes dhimbjes dhe mjerimit. Megjithatë ajo përbën datën që ndau historinë. Një sistem i bazuar në antivlera u përmbys, një sistem i bazuar në vlera u rindërtua. Më 22 mars, një grup i ri pa eksperiencë erdhi në pushtet, por dua ta theksoj, për fatin më të keq, në tërë historinë e këtij kombi, ky ishte grupi i vetëm që vinte në pushtet tërësisht dhe totalisht pa lidhje, dhe vinte kryekëput për interesa të shqiptarëve. Nëse më parë, në tërësi elitat politike na i kishin përcaktuar të tjerët, kësaj here për shkakun ndofta të vetëm dhe kryesor, izolimin gjysmëshekullor të Shqipërisë, ky grup buronte tërësisht nga tabani shqiptar”. 

Pak më herët, në vitin 1991, PD i kishte humbur zgjedhjet. Sipas mendimit tuaj, pse?
“Sepse klika komuniste në pushtet bëri gjithçka që të mos lejonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD u themelua në 11 dhjetor të vitit 1990. Ramiz Alia kishte fituar zgjedhjet për datën 10 shkurt. Pas përpjekjesh të mëdha ato u shtynë për në 31 mars ndërkohë, beteja tjetër e madhe me kultin e Enver Hoxhës dhe përmbysja e tij, i kushtoi PD-së terrorin më të egër që një opozitë mund të ketë njohur në gjithë Evropën ish komuniste. Të vrarë, të burgosur, skenarë makabër të Sigurimit të Shtetit vetëm e vetëm që të terrorizonin shqiptarët, t’i largonin shqiptarët nga PD, shto këtu dhe mungesën e plotë të eksperiencës elektorale. 

Meqë po më pyet të rikujtoj, në 15 mars me të ndjerin Gramoz Pashko kemi qenë në Departamentin e Shtetit të ftuar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Pas firmosjes së aktit të rivendosjes së marrëdhënieve Robert Kimmitt, që ishte Acting Secretary of State,hapi ditën e punës duke na pritur së pari ne, përfaqësues të opozitës dhe na pyet se: çfarë po bënim për fushatën elektorale?. Përgjigja ime ishte se: nuk kemi pothuajse asnjë njohuri që të bëjmë një fushatë elektorale moderne, përveç atyre që kemi përjetuar dekada dhe ndonjë elementi që kemi mësuar nga fushatat elektorale të Italisë, nëpërmjet ndjekjes së televizioneve italiane. I thashë se, ne, po bënim gjithçka për rezultatin, por nuk është se po bënim ndonjë fushatë. Natyrisht, ka disa momente të pluralizmit shqiptar. Vetëm 70 ditë pas themelimit, Ramiz Alia do të bënte në një nga sallat e pallateve të Tiranës, një aktiv kombëtar të Partisë së Punës, ku do të shpallte ideologjinë marksiste-leniniste si ideologji të partisë së tij, çka do të thoshte e papajtueshme për definicion me opozitën, ose opozita armik i brendshëm. Të gjitha këto, së bashku, bënë që ne, në zgjedhjet e 31 marsit, të mos fitonim shumicën sasiore por fituam shumicën cilësore. E, jemi deklaruar atëherë dhe e deklarojmë edhe sot, se cila ishte shumica cilësore. Së pari, në një lagje të Tiranës, të cilën Ramiz Alia e presupozonte si bastionin e tij, aty ku ishte themeluar PPSH nga Popoviçi, një inxhinier, Frank Krroqi e mundi diktatorin. Kjo ishte një fitore për ne. Së dyti, e vërteta është se ne fituam në tërësi, pothuajse në të gjithë Shqipërinë urbane. PPSH vetëm raundin e dytë mori vetëm një deputet, Fatos Nanon. Pra, në të gjithë Shqipërinë ku ne kishim arritur të shkrinim akujt e kultit të egër të diktatorit mizor, ne fituam. Humbëm në Shqipërinë rurale, pasi terrori i ushtruar nga klika në pushtet i trembi njerëzit të votonin për ne”. 

Ndërkohë vijmë përsëri te ‘92, flitet që është folur gjatë kësaj kohe që, Nano është tërhequr nga sfida e PS për të fituar zgjedhjet e ’92, pas një takimi që ju keni pasur me të në Trieste. A është e vërtetë që ju keni pasur një takim me të?
“Takimi është shumë i vërtetë dhe absolutisht ai takim ka qenë politik. Në atë takim, i organizuar nën përkujdesjen miqësore dhe në distancë, siç vlerësoj unë, të socialistëve italianë, kishte një synim: jo të ndërhyhej në procesin zgjedhor, por që si president të zgjidhej një person i pranuar nga të dy palët, i cili ishte një burrë i shkëlqyer, një njëri nga emigracioni. Por natyrisht, nuk mund të jepja asnjë lloj zotimi sepse e ndjeja veten, dhe sa herë më janë kërkuar angazhime paraprake, unë e kam ndjerë veten të pafuqishëm për t’i marrë ato. Aty për aty, kam thënë se unë nuk kam vërejtje për personin në fjalë për president, por problemi është se këtë do ta përcaktojë shumica që del nga zgjedhjet e 22 marsit. Janë diskutuar momente të qendrave të ndryshme të pushtetit se si funksiononte në vendin fqinj, kam qenë kundër sepse asnjëherë nuk kam marrë përsipër të përdor në avancë besimin e të tjerëve. Kjo është e gjithë e vërteta e atij takimi”. 

Pra në takim është folur vetëm për çështjen e Presidentit?
“Në tërësi vetëm për presidentin. Është diskutuar dhe për krijimin e qendrave të ndryshme të pushtetit por, në konceptet e mia, pushteti ndahej në pozitë – ai që votohej në shumicë dhe, opozitë – ai që ngelej në pakicë. Ky ishte koncepti në atë kohë, ky është dhe sot”.

Ju vetë, pas këtij takimi por dhe gjatë kohës së fushatës, a ishit i bindur që do të fitonit në zgjedhjet e 22 marsit?
“I bindur isha se do të fitonim dhe në zgjedhjet e 31 marsit dhe i bindur isha se do fitonim në zgjedhjet e 22 marsit por, isha i vendosur se, nëse nuk fitonim të largohesha, të jepja dorëheqjen, sepse gjithmonë në një betejë je i detyruar të mendosh rezultatin tjetër”.

Nëse do ktheheshit pas në kohë, me këtë përvojë politike që ju keni sot, çfarë do bënit ndryshe?
“Në fakt unë nuk kam kurrë dëshirë t’i jap orës mbrapa por, meqë ju doni, unë s’kam alternativë përveçse – ose të mos përgjigjem ose të them dy fjalë. Nëse do kthehesha pas në kohë, do kisha bërë gjithçka që skemat piramidale, edhe pasi humbëm gjyqin, ne i hodhëm në gjyq edhe në Gjykatë të Apelit dhe ata fituan gjyqin në gjykatë, por ndofta përpjekje shumë më të mëdha me parlamentin duhet të bënim që në kohën kur ne i hodhëm në gjyq dhe ato nuk kishin përmasat, ishte viti ‘94 kur i kemi hedhur në gjyq, ne t’i bllokonim me çdo kusht ato. Do kisha dashur shumë që ne….. Por duhet pasur parasysh se, një elitë pa asnjë eksperiencë në tregjet financiare jo bankare, e kishte të vështirë të gjente rrugën e saktë. Përveç kësaj, për fatin më të keq, këshilltarët e huaj nuk ndihmuan në këtë rast. Përkundrazi, në mënyrë të përsëritur më kishin thënë se këto janë fenomene të ekonomive që rriten shpejt, ekzistojnë dhe në vende të tjera, në një kohë që unë nuk kisha idenë se në çfarë vendesh dhe bëja kujdesin më maksimal që, institucionet shtetërore të mos vinin paratë publike në to. Sepse kishte ndodhur në Rumani që i kishin vënë. Ky ishte një problem që, me një know how tjetër duhet të ishte përballuar ndryshe”.
Si ju duket gjendja në Shqipëri pas 22 marsit ‘92?
“Sot më duket më kritike se asnjëherë. Më vjen keq që detyrohem të them këtë gjë. Thuhet shpesh se shpresa vdes e fundit dhe përsëri them se, falë asaj çadre që ka një muaj në bulevard, shpresa po krijohet. Por kurrë dhe asnjë vend nuk e ka gjetur veten para zgjedhjeve në kushtet që e gjen opozita shqiptare, para një mali droge dhe miliarda euro kundër saj, për faktin e vetëm se ajo nuk pranoi që Shqipëria të zhvillohet nëpërmjet drogës, si në doktrinën e Edi Ramës, por Shqipëria shkatërrohet nëpërmjet drogës. Kurrë ndonjëherë nuk kanë qenë bandat e krimit më të lidhura me kreun e qeverisë se sa sot dhe të vendosura për të bërë ligjin elektoral. Kurrë ndonjëherë mediat nuk kanë qenë në një kontroll mizor nga kryeministri se sa sot. Asnjëherë administrata shtetërore nuk është përdorur siç po përdoret sot. Meqë jemi këtu do të të tregoj një shembull. Në vitin ‘92 para zgjedhjeve, ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, bënte një seri shkrimesh shumë të egra kundër opozitës, me pseudonim. Miq të mi më treguan se kush është dhe unë nga selia shkoj drejt e në zyrë të Vladimir Hysit, ndjesë pastë se nuk jeton më. I them, zoti ministër, kam ardhur sepse si institucion i depolitizuar që jeni, Sekretari i Përgjithshëm është autor i këtyre shkrimeve përçarëse, etj. E thirri dhe e pyeti nëse ishte ai. Ai ngeli, iu mor goja, por në fund tha po. Ministri e shkarkoi që në atë moment nga detyra. Kjo ka ndodhur në prag të 22 marsit. Kujto Saje qorrin, këtë ushtar të Shullazit, këtë bandit, se si e trajtoi policinë si një repart siçilist kanabist, të krahut më të inkriminuar të PS. S’ka ndodhur kurrë kjo. Ai është një njëri i cili meriton tre herë më shumë se Shullazi që të jetë brenda për ato që ka bërë. Përdhos atë institucion në atë shkallë që absolutisht se ka përdhosur njëri, që nga zgjedhjet e vitit 1991 e deri sot. Po pse? Këtë e bën me urdhër të Edi Ramës pavarësisht se ai tani e flaku si limon i shtrydhur, por ai nuk mund t’i bënte dot kurrë këto pa urdhrin e Edi Ramës”. 
Zoti Berisha një pyetje, thatë se në takimin e Triestes ju është propozuar një emër për President…
“I ndjeri Mentor Çoku, një intelektual që ka jetuar në Romë në mërgim, me një familje shumë të mirë, me qëndrim të qartë antikomunist, por natyrisht, unë kurrë nuk i kam lejuar vetes të përdor në avancë besimin e të tjerëve”.
Sigal