Bashkia Lushnjes do drejtohet nga qelia

217
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe u arrestua dje, për korrupsion me urdhër të SPAK, së bashku me 10 persona të tjerë, mes tyre zyrtarë dhe biznesmenë, sepse akuzohet se ka favorizuar kompani të caktuara në tendera. Një tender me vlerë 24 milionë lekë është shkelja, që ka çuar dje pas hekurave kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe. Mirëpo arrestimi i Tushes nuk sjell shkarkimin e tij të menjëhershëm, pasi për të ndodhur kjo gjë, duhet që të ketë një vendim të formës së prerë të Gjykatës, siç e parashikon ligji për vetëqeverisjen vendore. “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata”, lexohet në ligj. Varianti i dytë për ndërprerjen e mandatit, është propozimi për shkarkim nga Këshilli Bashkiak, për të cilin duhet të pritet të paktën tre muaj: “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”.  E vetmja mënyrë që Fatos Tushe të largohet nga drejtimi i Bashkisë Lushnje, është që ai të japë dorëheqjen. Pra, nëse Fatos Tushe nuk dëshiron të lërë mandatin e kryetarit, atëherë ai do të vijojë detyrën nga burgu.