Basha: Sjellje kriminale e kryeministrit me banorët e prekur nga tërmeti

295
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për kërcënimin e qeverisë ndaj familjes Cakoni, e cila humbi familjarët e saj në tërmetin e nëntorit të vitit të kaluar.

Kreu i PD shprehet se kërcënimi i Manjola Cakonit është akti më i ulët i një kryeministri që jo vetëm nuk ndihmon njerëzit, por sillet në mënyrë burracake me qytetarët në nevojë.

Historia e Manjolës dhe Alesios tronditi mbarë opinionin publik. Një tragjedi e madhe, dhimbje e pashërueshne që do të mbetet gjithmonë e pranishme në jetën e tyre. Detyra e një qeverie normale është të lehtësojë pasojat materiale për Manjolën, Alesion por dhe për mijëra persona të tjerë, që u goditën rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Por kjo që dëgjuam, kërcënimi i një zonje të mbytur nga dhimbja dhe pamundësia për të përmbushur nevojat jetike, është një akt i ulët i një kryeministri që shkel mbi çdo premtim, i dikujt që nuk e ndjen dhimbjen dhe vuajtjen e bashkëqytetarëve. Është akti i një burracaku që i kërcënon t’u mbyllë gojën viktimave të pushtetit të tij të korruptuar”,- deklaron Lulzim Basha.

Basha shton se është kriminale që fatkeqësia e bashkëqytetarëve tanë, në fillim u përdor për propagandë e më pas u harrua. “Është kriminale që një kryeministër të kërcënojë një qytetare, vetëm pse ajo denoncoi shkeljen e premtimit dhe braktisjen e saj.  Fatkeqësisht, Manjola është vetëm një ndër mijëra gra të tjera që sot nuk kanë ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre dhe që jetojnë në çadra e kushte tejet të vështira. Historia e saj është dëshmi ngjethëse e humbjes së çdo ndjeshmërie njerëzore dhe çdo përgjegjësie ndaj njerëzve nga ai që i përdor qytetaret për propagandë e më pas i braktis në mjerimin e tyre”,- shprehet Lulzim Basha.

Manjola Cakoni deklaroi sot se është kërcënuar nga kryeministri Edi Rama pas intervistës së dhënë në media ku foli për mungesën e ndihmave nga qeveria.  “Dje dola në televizor dhe tregova hallin tim, shqetësimin tim për vete dhe për fëmijën tim. Dhe kur pashe veten aty u ndjeva shumë keq, dhe pastaj kam shkuar në spital. Shkova në spital. Rrugës kur po vija nga spitali, më merr në telefon dikush nga kryeministria. Përgjigjet mami im, se unë isha e sëmurë dhe i thotë:” Turp të ketë Manjola!” “Turp të ketë Manjola!” Unë nuk besoj se kam bërë ndonjë turp. Kam kërkuar të drejtën time dhe për fëmijën tim. Asnjë gjë tjetër s’dua. Vetëm dua të drejtën time, për vete dhe për fëmijën tim dhe kaq. Ai i kishte thënë: “Edi jam. Edi Rama jam. ”Turp të ketë Manjola për atë që ka bërë sot. ”Unë isha e sëmurë isha me serum, isha shumë keq. Se po të isha në rregull do t’i thoja: Unë nuk kam bërë ndonjë turp, turp ke bërë ti, që më le mua më çove deri në këtë pikë. Sa të arrijë edhe të shkoj në spital. Ndoshta do që të vdes dhe unë dhe të bëhemi tre viktima tamam edhe t’i japësh lekë djalit tim. Kaq kisha”,- shprehet Manjola Cakoni.