Kazinotë në qendër të Tiranës, Kadia: Moment i papërshtatshëm, varfëria i çon njerëzit drejt vesit

320
Sigal

Vendimi i qeverisë për t’i risjellë kazinotë në qendër të Tiranës, ku vitet e fundit janë ndërtuar hotele të reja e ndërtesa shumëkatëshe, ka të bëjë me faktin se kjo zonë është duke u menduar si një zonë ekonomike.

Kështu u shpreh  Albania Besart Kadia, drejtori ekzekutiv i Fondacioni për Liri Ekonomike.

Sipas tij, ky vendim është i gabuar për faktin se zona e qendrës së Tiranës e ka formësuar tashmë profilin e saj si një zonë e populluar dhe e zhvilluar ekonomike, ndaj do të ishte mirë që kazinotë të zhvendosshin në periferi apo në një zonë tjetër për t’i dhënë zhvillim ekonomik edhe asaj zone.

Rikthimi i kazinove në këtë moment krize ekonomike dhe varfërie në vend konsiderohet i gabuar prej tij edhe për faktin se mund ta rëndojë më tej plagën sociale të vesit për të cilin kryeministri vendosi 2 vjet më parë të mbyllte lojërat e fatit.

“Lojëra e fatit janë instrumente të shoqërive të varfra. Ky vendim mund ta çorientojë ekonominë shqiptare dhe vjen në një periudhë jo të përshtatshme. Vjen në një kohë me krizën ekonomike dhe e kombinuar me varfërinë do bëjë që njerëzit të lënë edhe paratë e fundit në lojërat e fatit”, tha z. Kadia.

Ai e cilësoi të padrejtë dhe të gabuar vendimin e qeverisë 2 vite më parë për të mbyllur papritur dhe në menyrë të njëanshme lojërat e fatit, çka sipas z. Kadia çoi në shkatërrimin e një industrie të tërë.

“Mendoj se që nga fillimi ka qenë i gabuar vendimi i qeverisë për mbylljen e lojërave të fatit me një vendim të njëanshëm që çorientoi një industri të tërë.

Lojërat e fatit janë përdorur edhe nga grupe kriminale për të pastruar paratë, por nuk mund të shkatërrohet një industri e tërë, e cila siç u mbyll në të ardhmen mund të rikthehet po aq fuqishëm”, shprehet z. Kadia, teksa shton se mënyra se si u mbyllën ishte sikur u bë për t’u rikthyer që të vihen në shërbim të atyre që japin licencat.