Av. Marash Logu: Gjykata Kushtetuese do të vendosë, nëse zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ishin pluraliste dhe a u garantua e drejta e zgjedhjes, për qytetarët

502
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Tre pyetjet që Gjykata i ka drejtuar Komisionit ka të bëjnë me të drejtën e saj për të vendosur mbi (anti)kushtetutshmërinë e zgjedhjeve

Marash Logu, ekspert i çështeje zgjedhore, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se, Komisioni i Venecias do të japë thjesht një opinion, për 3 pyetjet që Gjykata Kushtetuese i drejtoi për çështjen e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, mirëpo vendimi do të jetë i Gjykatës tonë Kushtetuese. Av Logu pohon se, Gjykata Kushtetuese nuk vendosi nëse listat e kandidatëve për deputetë  në zgjedhjet parlamentare do të jenë të hapura, ose jo, por do të jetë Kuvendi, i cili me reformën e re zgjedhore që do të miratojë, do të vendosë për këtë çështje.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

-Zoti Logu, cili është gjykimi juaj për 3 pyetjet që Gjykata Kushtetuese i ka dërguar Venecias për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019?

Verifikimi i kushtetutshmërisë së zgjedhjeve lokale është një precedent i ri në praktikën 29-vjeçare të Gjykatës tonë Kushtetutese. Në këtë kuptim, dhënia e një zgjidhjeje përfundimtare pretendimeve që janë ngritur nga palët, Shoqata e Bashkive, Kuvendi dhe Qeveria, për (anti)kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, përbën një sfidë, e cila duhet trajtuar me kujdes dhe profesionalizëm të lartë. Për shkak se palët politike, por edhe opinioni publik është thelbësisht i ndarë, Gjykata është e vetdijshme se kjo vendimmarrje, do të ndikojë edhe mbi integritetin e saj. Kjo ka qenë arsyeja që gjyqtarët vendosën të kërkonin opinionin e Komisionit të Venecias përpara se të shpreheshin, pasi ekspertiza e Komisionit në fushën e të drejtës kushtetuese është unike. Për më tepër, Komisioni, duke qenë një organ super partes, mbi palët pra, ka një kredibilitet të lartë tek të gjitha palët. Kjo sigurisht e bën edhe vendimin e Gjykatës më pak të kontestuar, më pak të cenuar. Megjithatë, duhet thënë se po të shohim me kujdes pyetjet, ato ngrejnë vetëm çështje parimore, të cilat me rëndësi për procesin gjyqësor kushtetues, por që në fund do t’i takojë vetë Gjykatës tonë Kushtetuese të thotë fjalën e fundit. Komisioni i Venecias pra, nuk do të marrë funksionet e Gjykatës tonë, apo ta zëvëndësojë atë në punën e saj.

“Nëse Gjykata Kushtetuese vendos se zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ishin antikushtetuese, sigurisht që i hap rrugën përsëritjes së tyre, në një afat sa më të shpejtë”

-Sipas jush, këto pyetje që i drejtohen “Venecias” nga Gjykata Kushtetuese, a shtjellojnë thelbin e çështjes, që ato zgjedhje u bënë pa dekret presidencial, që KQZ në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën shpërfilli dekretin e Presidentit të Republikës, për çdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit?

– Përgjigjet e pyetjeve do ta ndihmojnë Gjykatën, do ta lehtësojnë punën e saj, barrën e rëndë të një vendimi thelbësor për demokracinë në vendin tonë, por siç e thashë më lart, vendimi do t’i takojë vetë Gjykatës Kushtetuese. Duhet sjellë në vëmendje se Komisioni i Venecias ka pasur mundësi të shprehet në tetor 2019, për kompetencën e Presidentit, për anullimin e zgjedhjeve, kështu që kjo është çështje e ezauruar. Tre pyetjet që Gjykata i ka drejtuar Komisionit, ka të bëjnë me të drejtën e saj për të vendosur mbi (anti)kushtetutshmërinë e zgjedhjeve, cili nga parimet, ka përparësi periodiciteti i zgjedhjeve apo pluralizmi dhe në situatën e krijuar, a u garantua e drejta e zgjedhjes për qytetarët. Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë jashtëzakonisht të rëndësishme për çështjen që po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese, por jam i bindur se Komisioni i Venecias, do të tregojë vetëpërmbajtje, për të mos marrë kompetenca që i takojnë Gjykatës tonë Kushtetuese.

Nëse Komisioni i Venecias jep opinion se zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, u zhvilluan në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, a përsëriten menjëherë zgjedhjet vendore?

– Pyetjet për Komisionin e Venecias, ashtu edhe përgjigjet e tij, do të jenë në nivel parimor. As Gjykata Kushtetuese, por as palët apo qytetarët, nuk duhet të presin që Komisioni të japë verdiktin final. Kjo i takon Gjykatës tonë ta bëjë. Po të kujtojmë rastet e mëparshme, kur organet tona kushtetuese si Kuvendi apo Presidenti kanë kërkuar ndihmën e Komisionit, ata kanë ofruar opinionin e tyre, por kanë theksuar se i takon Gjykatës Kushtetuese, të thotë fjalën e fundit. Por, e thashë edhe më lart, mendimi i Komisionit do të ndikojë fort në vendimin final të Gjykatës Kushtetuese, dhe nëse kjo e fundit, vendos se zgjedhjet ishin antikushtetuese, sigurisht që i hap rrugën përsëritjes së tyre, në një afat sa më të shpejtë.

“Tirana me 36 mandate dhe 910 mijë zgjedhës dhe Kukësi me tri mandate dhe 83 mijë zgjedhës, nuk mund të kenë të njëjtin herës, pasi kjo, dëmton barazinë e votës”

Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin për shpërndarjen e mandateve në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Si duhet kuptuar dhe interpretuar vendimi, kur Gjykata Kushtetuese nuk ka shfuqizuar tërësisht  herësin, por ka konsideruar si antikushtetues masën e tij?

– Gjykata Kushtetuese vendosi se herësi është një mekanizëm, i cili në vetvete nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. Por, ajo që vjen në kundërshtim me Kushtetutën ishin masa numerike e herësit prej 10.000 votash, e cila nuk reflektonte ndryshimet që ekzistojnë në numër zgjedhësish dhe numër votash në qarqe të ndryshme. Fjala vjen, Tirana me 36 mandate dhe 910 mijë zgjedhës, dhe Kukësi me tri mandate dhe 83 mijë zgjedhës, nuk mund të kenë të njëjtin herës, pasi kjo dëmton proporcionalitetin, ose e thënë ndryshe, barazinë e votës.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese a ka hapur 100 Listat e kandidatëve për deputetë?

– E kam thënë kur u publikua dispozitivi i vendimit, e them edhe tani që u publikua arsyetimi, dhe konstatoj me kënaqësi që e thotë edhe vetë Gjykata: Gjykata Kushtetuese nuk vendos hapjen ose mbylljen e listave, pasi ajo është një çështje që normohet nga ligjvënësi. Hapja ose mbyllja e listave është një rregull i ri dhe Gjykata nuk bën rregulla të reja, pasi kështu do të merrte kompetencat që i takojnë ligjvënësit. Në praktikën e Gjykatës Kushtetuese shqiptare apo të ndonjë gjykate tjetër, nuk ka ndodhur kurrë, që gjykata të veshë petkun e ligjvënësit dhe të krijojë rregulla të reja. Hapja ose mbyllja e listave mund të vendoset vetëm nga Kuvendi i ri që mblidhet në shtator.

“Kuvendi i ri mund të vendosë në dy mënyra alternativisht: (i) hapjen 100% të listave; ose (ii) vendosjen e një heresi, që merr parasysh diferencat ndërmjet zonave të ndryshme zgjedhore, në numër mandatesh dhe numër zgjedhësish”

Çfarë ndryshimesh duhet të reflektohen në Kodin e ri Zgjedhor nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese?

– Kuvendi i ri mund të vendosë në dy mënyra alternativisht: (i) hapjen 100% të listave; ose (ii) vendosjen e një herësi që merr parasysh diferencat ndërmjet zonave të ndryshme zgjedhore, në numër mandatesh dhe numër zgjedhësish. Të dy këto zgjedhje do të ishin në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ka një vullnet të partive politike, veçanërisht të Partisë Demokratike, për të pasur lista plotësisht të hapura, por kjo, është një vendimmarrje që duhet të merret bashkërisht në tryezën e partive politike, të mazhorancës dhe opozitës.

– Faleminderit!