Arrestimi i Tahirit, sot beteja në Kuvend

464
Rritet tensioni për seancën plenare, ku do të diskutohet kërkesa e prokurorisë. Çfarë parashikon rregullorja dhe debati për mënyrën e votimit
Me dy raporte të ndryshme lidhur me arrestimin e Saimir Tahirit, mazhoranca dhe opozita do të përballen sot në Kuvend për kërkesën e prokurorisë. Shumica parlamentare ka rënë dakord të autorizojë prokurorinë të kërkojë vetëm kontrollin vetjak dhe të banesës të Tahirit, ndërsa opozita e konsideron të drejtë kërkesën e akuzës për heqjen e lirisë së ish-ministrit të Brendshëm. Për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, deputeti socialist është pjesë e një grupi strukturuar kriminal, që trafikonte drogë drejt Italisë. Sipas nenit 118 të Rregullores së kuvendit në fillim të seancës fjala i jepet deputetit për të cilin prokuroria ka paraqitur kërkesë. Ndërsa më pas paraqitet raporti i Këshillit, i cili nuk debatohet prej parlamentarëve. Rregullorja përcakton se Kuvendi vendos me votim të fshehtë. Megjithatë, gjatë ditës së djeshme janë hedhur dyshime edhe për procedurën që mund të ndiqet gjatë seancës plenare. 

Raporti i PS-së
Deputetët socialistë do të votojnë kundër kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Mazhoranca pritet të votojë sot vetëm për kontrollin personal dhe të banesës së Saimir Tahirit, si dhe për ndalimin për daljen e tij jashtë shtetit. Në 23 faqe raport, Partia Socialiste ka argumentuar me detaje përse, sipas saj, dy akuzat e Prokurorisë për trafik narkotikësh dhe korrupsion pasiv, nuk bazohen në prova. “Prokuroria nuk solli asnjë fakt apo indicie që nga përgjimet e personave të arrestuar apo në hetim, Saimir Tahiri të ketë komunikuar qoftë edhe një herë të vetme”, thuhet në raportin e Partisë Socialiste. Mazhoranca shprehet se Prokuroria kërkon ta arrestojë Saimir Tahirin pa kryer veprime hetimore, për të cilat nuk duhet autorizimi i Parlamentit dhe se as provat sekrete nuk tregojnë përfshirjen e tij. Këto argumente i kanë çuar socialistët të dalin me përfundimin se arrestimi i Saimir Tahirit është politik. “Mungesa e provave, nxitimi i organit të akuzës për të kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Saimir Tahiri, dy ditë pasi ka regjistruar procedimin penal dhe emrin e tij në regjistrin e çështjeve penale, krijon bindjen se në këtë stad të hetimeve që ka kryer Prokuroria, kërkesa ka sfond politik”, theksohet në raport.

Raporti i PD-LSI
Opozita ka një qëndrim krejt të kundërt me socialistët lidhur me çështjen “Tahiri”. Në raportin e saj prej 17 faqesh, i firmosur nga anëtarët e Partisë Demokratike dhe LSI-së, opozita argumenton përse provat e Prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit janë të mjaftueshme. Në raportin e saj thuhet se “për sa kohë Saimir Tahiri ka qenë ministër i Brendshëm, policia nuk ka kryer asnjë veprim pengues apo zbulues për aktivitetin kriminal të Habilajve, edhe pse ministri është informuar nga shërbimi sekret”. Sipas opozitës, emri i Tahirit nuk përmendet vetëm një herë, por disa herë në një shtrirje kohore prej 3 vjetësh, gjatë të cilit grupi kriminal lidhet me Saimir Tahirin nëpërmjet automjetit të shitur prej tij. “Të dhënat hetimore tregojnë se Saimir Tahiri e ka përdorur automjetin, pasi e ka shitur atë. Është e qartë se ky automjet ka shërbyer si mjet mbrojtës për grupin kriminal në kryerjen e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Sipas provave, makina është blerë me qëllim lehtësimin e trafikut të drogës dhe armëve, pasi ishte në emër të Ministrit të Brendshëm”, shprehen përfaqësuesit e opozitës. Deputetët e saj shprehin shqetësimin se me Saimir Tahirin të lirë, Kryeministri dhe ministri i Brendshëm, nën mbikëqyrjen e të cilëve janë provat, mund t’i dëmtojnë ato dhe të bëjnë të heshtin dëshmitarët. Raporti i opozitës përfundon me fjalinë se “Kuvendi nuk mund të bëhet kurrë strehë e krimit apo e mbështetësve direkt të tij”.
Rregullorja e Kuvendit
Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.
Sigal