Ruçi me ambasadorin e OSBE: Kuvendi është legjitim,të trajnojmë deputetët e rinj

490
Sigal

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi dhe ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, kanë zhvilluar sot një takim lidhur me reformat që duhet të miratojë Kuvendi dhe situatën politike në ven.

Ruçi, dhe Kryetari  i Prezencës së  OSBE-së, Bernd Borchardt, biseduan edhe mbi situatën politike në Shqipëri, pas dorëheqjes së 57 deputetëve të opozitës. Bashkëbiseduesit ishin të një mendjeje se Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë janë plotësisht legjitimë, të dalë nga zgjedhje të rregullta, të çertifikuara nga vetë komisionerët e opozitës dhe raportet e OSBE-ODIHR dhe se e ardhmja e vendit dhe konsolidimi i sistemit demokratik kërkojnë që të gjitha forcat politike të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ndërsa reforma zgjedhore konsensuale të përfundojë para zgjedhjeve të parlamentare të vitit 2021.

Në takim u bisedua mbi zgjerimin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Prezencës së OSBE-së. Bashkëpunimi i deritanishëm përfshin kontributin e Prezencës për fuqizimin dhe modernizimin e shërbimeve të Kuvendit, përmirësimin e infrastrukturës për shërbimin e deputetëve ndaj qytetarëve në terrritor, përmirësimin e Rregullores dhe të procedurave të Kuvendit etj. Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi kërkoi që “Në kuadër të zgjerimit të këtij bashkëpunimi, t’i jepet përparësi trainimit dhe kualifikimit të deputetëve të rinj, për njohjen sa më të shpejtë e të thelluar prej tyre të procedurave parlamentare dhe rritjen e kontributit në komisionet e Kuvendit, në funksionin ligjvënës dhe kontrollin parlamentar, përmirësimit të transmetimeve televizive të punimeve dhe veprimtarive të Kuvendit, mbështetjen e funksionimit të TV Kuvendi, zgjerimin e aksesit informativ nga personat me nevoja të veçanta etj.” Kryetari i Kuvendit nënvizoi gjithashtu se po punohet që përmirësimi i Rregullores së Kuvendit të pasqyrojë më mirë standartet e reja të Kodit të Sjelljes së Deputëve. Kuvendi po bën të gjitha përpjekjet që hartimi dhe miratimi i ndryshimeve në Rregullore të pasqyrojë një spektër sa më të gjerë mendimesh e kontributesh, në rradhë të parë kontributin e deputetëve të opozitës.