Rama dhe Veliaj, vizitë në Emiratet e Bashkuara

629
Në kulmin e debatit për çështjen “Tahiri”, kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një vizitë pune në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u takua me Kryeministrin, Lartësinë e Tij, Sheik Mohammed bin Rashid Al Maktoum. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë këtij takimi, kryeministri Rama theksoi nevojën për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, si edhe ftoi sipërmarrësit e Emirateve të Bashkuara Arabe të investojnë në Shqipëri. Me interes nga të dyja vendet shihen investimet në fushën e turizmit dhe infrastrukturës, sidomos në portet detare. Në takim u diskutua edhe për mundësinë e vendosjes së një linje ajrore të Emirateve të Bashkuara që të lidhë dy vendet. Nga ana e tij, Lartësia e Tij, Sheik Mohammed bin Rashid Al Maktoum falënderoi kreun e qeverisë shqiptare për vizitën, si dhe shprehu gatishmërinë për të nxitur investimet në vendin tonë. Në këtë vizitë, kryeministri Rama shoqërohej nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Emiratet e Bashkuara Arabe janë angazhuar me disa projekte financimi në kryeqytet dhe ky duket të ketë qenë shkaku i bashkimit të Ramës dhe Veliaj në udhëtimin zyrtar.
Sigal