Arbitrazhet ‘groposin’ financat/ Brukseli i bllokon 21 mln € “Albcontrol” për llogari të Beçhettit, shkak humbja 110 mln. euro në arbitrazh

139
Sigal

Në vitin 2021, kompania me pronësi shtetërore “Albcontrol”, që menaxhon trafikun ajror, u vu në vështirësi likuiditeti për shkak se të ardhurat e saj janë bllokuar në llogarinë e saj në Bruksel nga Eurocontrol (organizatë paneuropiane e dedikuar në mbështetjen e aviacionit europian). Në raportin vjetor të vitit 2021 të “Albcontrol” thuhet: “Të ardhurat e shoqërisë për vitin 2021 reflektojnë të ardhurat nga aktiviteti normal i saj , ulje- ngritje e mbikalime, por këto janë të ardhura të bllokuara në llogarinë e saj në Bruksel, duke sjellë vështirësinë e përballjes me mungesën e likuiditetit përgjatë vitit për shoqërinë”. Sipas raportit, gjatë periudhës janar- dhjetor 2021, nga aktiviteti i “Mbikalime & ulje ngritje”, është arkëtuar e duhet të ishte në dispozicion të shoqërisë për të plotësuar detyrimet e programit, shuma me vlerë neto 20.98 milionë euro, ose 2.57 miliardë lekë.“Shoqëria gjatë kësaj periudhe është përballur me vështirësinë për likuiditet si pasojë e pamundësisë së përdorimit të fondeve në llogaritë e saj bankare jashtë vendit, duke ndikuar në frenimin e një ecurie normale të punës së saj. Në pamundësinë e shfrytëzimit të fondeve të saj si dhe në kushtet e pasojave të rënda që ka reflektuar pandemia në fushën e aviacionit, janë ndjekur gjithashtu rekomandimet nga EUROCONTROL, që prej fillimit të pandemisë, ku rekomandohej marrja e masave për menaxhimin e kujdesshëm të shpenzimeve në mënyrë që të përballonim skenarët e paparashikuar gjatë pandemisë. Kompania ka reduktuar pjesën më të madhe të shpenzimeve për këtë 12 mujor duke u përpjekur të mbulojë vetëm shpenzimet më të nevojshme për ecurinë e punës, pa cënuar parrezikshmërinë, duke u bazuar në të gjitha burimet, që ajo ka patur në dispozicion”, -thuhet në raportin vjetor. Sipas bilancit, të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të ardhurat totale të Albcontrol ishin 2.73 miliardë lekë në vitin 2021, me rritje 56% në raport me 2020-n, kur kompania vuajti pasojat e pandemisë që çoi në pezullimin e fluturimeve për disa muaj dhe reduktimin e tyre përgjatë gjithë vitit. Në 2021-n, Albcontrol iu rikthye fitimeve, që ishin 531 milionë lekë, nga -551 milionë lekë humbje vitin e mëparshëm. Sipas raportit vjetor, shoqëria “ALBCONTROL” SHA i ka shërbyer në total 153.772 avionëve (sipas statistikave të EUROCONTROL). Numri total i fluturimeve, i krahasuar me programin e miratuar, u realizua në masën 87%. Të ardhurat e kompanisë nga aktiviteti i saj janë të depozituara në EUROCONTROL, Bruksel nga dhjetori i vitit 2020.

Çështja Beçhetti dhe bllokimi i llogarive

Në raportin vjetor të Albcontrol nuk përmendet arsyeja e bllokimit të llogarive, por ky bllokim është i lidhur me konfliktin mes qeverisë shqiptare dhe investitorit italian, Francesco Beçhetti. Përballja e Shqipërisë me investitorin italian, Francesco Beçhetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i akorduar një kompensim prej 110 milionë eurosh. Vendimi është i formës së prerë dhe sipas mediave ndërkombëtare, investitori ka synuar mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ku një prej tyre është llogaria e Albcontrol në Eurocontrol në Bruksel, ndërkohë që qeveria thekson se beteja ende nuk ka mbaruar. Në 26 maj 2021, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian Francesco Beçhetti ku u regjistrua një kërkesë për korrigjim të vendimit për anulim të paraqitur nga Republika e Shqipërisë. Zanafilla e përplasjes mes shtetit dhe investitorit nisi në qershor të 2015-ës, kur u ballokuan asetetet e Francesco Beçhetti-t. Bllokimi i këtyre aseteve çoi edhe në mbylljen e televizionit Agon Channel pas së cilës u kap edhe thelbi i çështjes që shkoi në Arbitrazh.