Agim Nesho: Rama-Gate që po helmon Washingtonin, protagonizmi për të shpëtuar veten dhe heshtja për Kosovën martire!

38
Sigal

I.Skandali i përmasave botëore Rama-gate për të korruptuar individë dhe institucione të rëndësisë së jashtëzakonshme në Washington DC është bërë sot cështja kryesore e Kongresit Amerikan. Dalja e këtij skandali nga vetë puna vetëmohuese e FBI-së tregoi që elemente autokratë si Rama, kur përkrahen nga Aleksi dhe shokët e tij në Washington, jo vetëm destabilizojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor por përpiqen të helmojnë dhe demokracinë më të fuqishme në botë – atë të SHBA- duke korruptuar individë të superpushtetshëm për ti përdorur për pushtetin e tij politik (sic shkruan New York Times).
Këta lloj individësh që shiten si yes-man, që marrin të parët flamurin për shpëtimin e afganëve, armët kimike në këmbim të pushtetit të tyre të pakufizuar, por nga ana tjetër e kanë kthyer demokracinë Shqiptare në një regjim putinesk janë të rrezikshëm. Ata pavarësisht se sillen si pro-amerikanë kanë vepruar për të shkatërruar politikën e Presidentit Biden për forcimin e demokracisë në luftë kundër regjimeve të autokracisë në botë.
Por Rama-gate dhe afera e tij korruptive me McGonigal është dënuar sot në Washington, me pranimin e fajit nga McgGonigal. Në Shqipëri organet e drejtësisë së re rrinë në heshtje, pavarësisht se korrupsioni ka dy palë dhe në akuzën e prokurorisë federale amerikane qëndron fakti që “personi B dërgoi fakte nga kabineti i Kryeministrit Shqiptar”; që “borxhi i personit A nuk ishte në kontratë por u dha menjëherë pas vizitës dhe dakortësive të arritura në udhëtimin e Tiranës’ dhe ‘përpjekjeve të McGonigal për të ndihmuar personat A dhe B të kryeministrit Shqiptar për të marrë një kontratë për shpimin e nëntokës shqiptare për naftë. Minimalisht drejtësia Shqiptare dhe SPAK duhet të hapin cështjen e shpërdorimit të detyrës. Mosveprimi i drejtësisë Shqiptare për një cështje të kësaj rëndësie, dhe kur për këtë cështje drejtësia amerikane ka vepruar, tregon dështimin e saj, kapjen nga ekzekutivi dhe mosrealizimin e funksioneve të saj në mbrojtje të shtetit ligjor. Për më tepër ata kompromentojnë dhe vënë në rrezik të gjithë ata diplomatë të huaj amerikanë dhe të Bashkimit Europian, të cilët kanë deklaruar që milionat e dhëna nga taksapaguesit respektivë janë përdorur për ndërtimin e një drejtësie të pavarur. Opinion publik e ‘kupton’ se ata nuk kanë pasur mundësi të mbrojnë interesat e shqiptarëve për aferat e incineratorëve, PPP-ve, projektin famëkeq të Portit të Durrësit, por sot për Rama-gate ata kanë mbrojtje drejtësinë amerikane. Do të jetë e trishtueshme dhe pa vlerë në qoftë se kjo drejtësi do të veprojë kur Kongresi Amerikan të flasë për ngjarjen.

II. Kur ka raste të tilla të korrupsionit, në një shtet demokratik zakonisht veprohet menjëherë. Historia njeh rastin e Ministrit të Financave të Francës që vrau veten se drejtësia do vepronte për një dhuratë me diamante të marrë nga një vend afrikan. Këto janë raste kur demokracia dhe shteti ligjor, si dhe pesha e opinionit publik vë para përgjegjësisë qeveritarët e korruptuar. Për demokracitë e shkatërruara si Shqipëria kundërpërgjigja për skandale të tilla është super servilosja, klientelizmi dhe protagonizmi i thekur për të harruar dhe falur djalin plangprishës. Kjo shpjegon super-aktivizimin e 20 shtatorit në OKB, kur dihej që kryeministri Shqiptar nuk i ishte përgjigjur më parë kërkesës së Presidentit Zelenski për të mos pranuar ‘turistë’ rusë, që mund të kishin duart me gjak, apo thirrjet e Ramës për të justifikuar nacionalistin Vucic, që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë dhe e ka kthyer Ballkanin në një qendër të spiunazhit Rus në Ballkan. Në 19-20 shtator shtypi Amerikan ziente nga artikujt për korrupsionin Rama-gate.
III. Ajo që ishte trishtuese këto ditë ishte heshtja e plotë e Shqipërisë (edhe si Presidente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së) ndaj deklarimeve fatkeqe dhe sfiduese kundrejt Perëndimit të nacionalistit Vucic. Vucic kërcënoi ministrin e brendshëm të Kosovës, sfidoi Perëndimin që nuk merrte mendime nga askush për të vënë sanksione ndaj Rusisë, i quajti hipokritë dhe shkaktarë të gjendjes së sotme dhe foli në OKB sikur Kosova të ishte pjesë e Serbisë. Qeveritarët Shqiptarë e kanë të vështirë të mbrojnë Kosovën në Këshillin e Sigurimit, se nuk duan të flasin për një cështje që është mbyllur, por mbyllin gojën kur nacionalisti Vucic sfidon botën perëndimore.
Lind pyetja: Janë të kapur; presin një kohë tjetër, sic shprehet Vucic, për të diskutuar projektet e tyre të reja gjeopolitike, ku qeveria e Rilindjes gjithmonë i ka përkrahur?
Kjo duhet parë dhe pritur për tu vlerësuar, por dicka është e qartë: korrupsioni i frikshëm i cështjes Rama-gate e ka nxjerrë kryeministrin Rama jashtë loje në opinionin publik Amerikan!
A do të ketë akoma individë që kanë interesa që mund ta përkrahin? Ta shohim.