Basha: Takimi i Ramës me biznesin u kthye në një bumerang aktakuzash publike

422
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilësoi takimin e sotëm të kryeministrit Edi Rama me biznesin një tregues për “gjendjen e rëndë ekonomike të vendit”. “Ndonëse i konceptuar si shfaqja propagandistike e radhës, takimi i Edi Ramës me biznesin u kthye në një bumerang aktakuzash publike, “live” dhe sy për sy, çka dëshmon se sa e rëndë është situata ekonomike, sa e thellë kriza e biznesit dhe sa e pashpresë mundësia e tyre për të hapur vende të reja pune nën qeverisjen e Ramës. Shqipëria është fshirë nga harta e investitorëve të huaj për shkak të pasigurisë alla-Shullazi, për shkak të klimës së keqe të biznesit me taksa që rriten, e gjoba pas gjobash që po i marrin shpirtin sipërmarrjes së madhe, të mesme e të vogel. Paratë e taksave të rritura që duhet të shkonin për investime që hapin vende pune, përfundojnë në xhepat e qeveritarëve”, shkroi Basha në Facebook.
“Përgjegjësi për këtë situatë është Edi Rama. Atij ia thanë në sy sot, se si rezultat i taksave të larta vetëm një biznes në Vlorë është detyruar të largojë 80 persona nga puna, 80 familje që ju mungon një pagë, ndoshta e vetmja në shtëpi. 200 personave të tjerë ju pamundësua punësimi në një rast tjetër në Berat për shkak të politikës së rryshfetit, pa të cilin nuk mund të ecet në pushtetin e Edi Ramës. Futja e duarve në xhepat e biznesit nga qeveritarët, ishte denoncimi i tyre. Asnjë investitor nuk është i lumtur, të gjithë po mendojnë largimin”, shtoi Basha, i cili theksoi se Rama u pendua që takimi ishte “live” dhe për këtë arsye “iu hakërrye me radhë biznesit, FMN-së dhe Dhomës Amerikane të Tregtisë”.
Sigal