Albin Kurti dhe politika provinciale e Kosovës

369
Sigal

Nga Agim Nesho 

Albin Kurti erdhi në politikën e Kosovës si një nevojë për ndryshim. Dhe populli i Kosovës nevojën për ndryshim e shikonte në luftën kundër një shoqërie fisnore e nepotike që ushqente korrupsionin, në pamundësinë e ndryshimit normal të elitave, në nevojën për ndryshim të psikologjisë shoqërore për t’u bërë pjesë sa më shpejt e Europës moderne. Ai u votua masivisht nga populli së bashku me figura të reja si Vjosa Osmani për të mbrojtur sovranitetin e vendit nga skenarë të rrezikshëm të cilët minimalisht ngopnin ambiciet nacionaliste të Serbisë dhe rikthimin në pozicionin e saj dominues në Ballkanin Perëndimor, duke revizionuar një cështje historike dhe propozuar një zgjidhje kompromisi në favor të interesave të tyre.

Atë veprim që Kryeministri Haradinaj e bëri me guxim, duke vendosur tarifën 100 % ndaj mallrave serbe si shenjë presioni për të ndaluar skenarët e vetë-ofruar nga disa liderë ballkanikë për një marrëveshje që prekte dhe kufijtë e vendit dhe për të nxitur aktorët ndërkombëtarë për të vendosur një linjë barazie ndërmjet dy shteteve sovrane, Albin Kurti e bëri me dinjitetin e një shtetari që vendoste barazinë midis subjekteve dhe rikthente axhendën e bisedimeve në platformën e kërkesave të Bashkimit Europian. Parimi i Reciprocitetit në marrëdhëniet midis dy vendeve është një qëndrim koherent, parim bazë i barazisë sovrane të shteteve, që rikthen ekuilibrat dhe ndalon nxitjet etnike. Duke paraqitur këtë qëndrim, Albin Kurti e Vjosa Osmani provuan se ishin pjesë e gjeneratës së re të liderëve europianë, të cilët nuk janë peng e së kaluarës dhe me kurajo e integritet janë të aftë të mbrojnë interesat kombëtare të vendit.

Qeveria Kurti qëndroi vetëm 50 ditë në pushtet duke zgjuar një pranverë Noliane në Kosovë. Masat e menjëhershme kundër korrupsionit dhe për funksionimin demokratik të institucioneve duket se trembën politikën provinciale që kërkonte status quo dhe jo ndryshim. Por qeveria ra nën fabulën e tjerrur me kujdes se interesat e qeverisë Kurti ishin anti-amerikane dhe po na prishnin me aleatin tonë strategjik.

Lind pyetja: Pse qëndrimi i reciprocitetit që mbante Qeveria Kurti ishte një qëndrim anti-Amerikan, kur vetë qëndrimi është një normë ndërkombëtare demokratike që zbatohet në të drejtën ndërkombëtare, i preferuar edhe nga vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump?

Fabula e përdorur e anti-amerikanizmit ishte produkt i naivitetit, provincializmit, frikës ndaj ndryshimit por edhe tejkalimit të pengesave për një marrëveshje të shpejtë me Serbinë. Justifikimi u gjet tek një deklaratë e Ambasadorit Grenell, përfaqësues Special i Presidentit të SHBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi, i cili u shpreh se ‘reciprociteti nuk pranohet’ dhe bëhet pengesë për bisedimet. Ambasadori Grenell është në të drejtën e tij të respektojë platformën e tij për të gjetur një zgjidhje për marrëveshjen, të shpejtë që do të ishte një sukses për politikën e jashtme të Administratës Trump. Ai është në të drejtën e tij në qoftë se kupton se klasa politike në Kosovë është servile, naive, provinciale, që nuk kupton se si funksionon politika amerikane. 20 vjet pas konfliktit, për shumë politikanë në SHBA, Kosova është njësoj si Serbia dhe shumë shtete të tjera të botës. Në qoftë se ata janë naivë dhe provincialë le të gjejnë një zgjidhje që mund të kënaqë edhe Serbinë, e cila gjithmonë e më shumë po projektohet në orbitën e Rusisë.

Në qoftë se marrëveshja do të ishte kundër interesave të Serbisë, atëherë minimalisht Serbia do të kërkonte uljen edhe të Rusisë në tavolinën e bisedimeve, sic deklaruan udhëheqësit serbë në Berlin.

Presidenti i madh Klinton ju tha shqiptarëve të Kosovës në takimin e New York-ut ‘Ne ju bëmë luftën, ju bëni paqen.” Dhe nëse nuk do jenë në gjendje të ndërtojnë paqen dhe mbrojnë sovranitetin do të mbeten të varur ndaj sugjerimeve ndoshta dashamirëse, të cdo zyrtari që në mungesë të njohjes së historisë mund të projektojë zgjidhje ‘bussiness as usual’.

Edhe Albin Kurti duket se është ‘i tulatur’ përpara kësaj fryme provincialiteti që i bëri të pamundur ushtrimin e mandatit të tij popullor dhe faktit që një marrëveshje e shpejtuar mund të dëmtojë interesat e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë demokracia më e fuqishme dhe partneri ynë strategjik në të gjitha kohët. Ai duhet të sensibilizojë diasporën Shqiptare në SHBA për rrezikun që sjell një marrëveshje të tillë. Dhe shqiptarët nuk janë pak, janë mbi 1 milion, një votë e rëndësishme për Presidentin Trump. Në vend se të raportojë tek zv. Presidenti Pence se cfarë po ndodh, ai duhet të sensibilizojë Senatin dhe Kongresin Amerikan, përfaqësues të lartë të të cilit si Engel dhe Mendez janë shprehur me letër të hapur. Duke ditur se lobizmi i Serbisë është me miliona dollarë në SHBA për të shtyrë një marrëveshje favorizuese për ta, ai duhet ta bëjë të njohur këtë cështje brenda Partisë Republikane në pushtet, duke bashkëpunuar me Senatorët Republikanë Kruz, Rubio, etj, që janë një forcë e fuqishme në Shtëpinë e Bardhë për cështjet e politikës së jashtme.

Në vend se të polemizojë me Ambasadorin Grenell, të punojë më shumë për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë dhe pse jo të propozojë dhe një kompleks ushtarak në Bondsteel që të mbajë emrin e Presidentit Trump, ashti sic veproi Polonia që ktheu vëmendjen me propozimin për bazën ushtarake Trump, e cila do t’ju siguronte garanci nga rreziku Rus.

Po të realizohen këto dhe shumë gjëra të tjera, vetë Presidenti Trump do të vlerësojë se vota e një milion shqiptarëve në SHBA është më e rëndësishme se plani dashamirës i Ambasadorit Grenell për një fitore të vogël diplomatike, e cila mund të cojë edhe në krijimin e një destabiliteti të ri në Ballkan.