Aferat me Portet e Durrësit dhe gjumi i thellë i opozitës

167
Sigal

Analizë nga Gëzim Zilja: U bënë mbi 2 vjet, që flitet për kthimin e Portit të Durrësit, me rëndësi strategjike, në port rezidencash. Mënyra sesi po serviren këto investime nga qeveria, janë një akt i madh antikombëtar me pasoja të pariparueshme. Si do të arrijë ky port të thithë e shpërndajë 50 milionë tonë mallra në vit, kur deri sot nuk është kaluar shifra 5 milion ton/vit ? Pse opozita nuk kërkon transparencë të thellë, që të kuptojmë se ç’po ndodh me portet e Shqipërisë, të Vlorës e të Durrësit?

 

U bënë mbi dy vjet, që flitet për kthimin e Portit të Durrësit, port me rëndësi strategjike, në port rezidencash. Deklaratat e Ministres Balluku ngjallin shumë dyshime sesi po serviren këto investime, e se po kryhet një akt i madh antikombëtar me pasoja të rënda e të pariparueshme

U bënë mbi dy vjet, që flitet për kthimin e Portit të Durrësit, port me rëndësi strategjike, në port qejfesh, rezidencash, parqesh, një lloj Dubai në zemër të Shqipërisë dhe ndërtimin e një të riu në Porto Romano. Mënyra sesi po serviren këto investime ngjall shumë dyshime se po kryhet një akt i madh antikombëtar me pasoja të rënda e të pariparueshme. Kjo mund të sjellë veç të tjerave mangësi në kontrollin dhe administrimin e territorit, që kërcënojnë sigurinë dhe favorizojnë trafiqet e ndryshme. Në Republikën e Shqipërisë ka një dokument themeltar që quhet, Strategjia e Sigurimit Kombëtar ku theksohet: “… SSK-ja është dokumenti më themelor planifikues për Sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë…” Komisioni i SSK-së nuk është mbledhur për të dhënë mendim për këto investime dhe kjo përbën një shkelje të rëndë lidhur me pozicionin strategjik të Portit të Durrësit.

Për portin shkruhet:”…: Mbështetur në këtë dokument në portin e Durrësit janë bërë investime me vlerë qindra milionëshe për modernizimin e tij dhe realizimin e SSK-së…” Afera me arabët hedh në erë investimet e bëra në Portin e Durrësit, që  çuditërisht ende vazhdojnë. A do të përgjigjet kush për shkatërrimin e këtyre investimeve, si godina të administratës, magazina, bazë logjistike, riparim, zgjerim, thellim kalatash etj?

Në mbledhjen për zgjedhjen e kompanive konkuruese më 22.09.2021  ministrja Balluku tha: “ Porti aktual na bën krenar, por fatkeqësisht duhet ta ndryshojmë…. Ndotja akustike, ndotja e ajrit janë problem për qytetin. Kjo pengon zhvillimin…” Kaq arsye gjeti ministresha, që të spostohet Porti i Durrësit. Po aty me një lehtësi marramendëse e plot krenari ajo parashikoi se: “… Durrësi do të kthehet në një pikë referimi për të gjithë Mesdheun. Projekti i zhvillimit i një marine elitare dhe një balline ujore do të konkurojë të gjithë investimet në fushën turistike e ndërtimit në kryeqytetet europiane e në të gjithë botën. Disa vite më parë një investim i tillë quhej utopi. Tani te ne këto janë bërë të zakonshme …” Kjo mënyrë të shprehuri të kujton veprën e “pavdekshme” të etërve, Metallurgjikun e famshëm, tashmë një varrezë gjigande dhe atë shprehjen: Shqipëria është fanar ndriçues në Europë. Investitori arab në një intervistë të stërzgjatur me Blendi Fevziun pohoi plot sinqeritet: “…Unë do t’i kryejë këto investime dhe do t’i shesë të gjitha ndërtimet kryesisht arabëve por edhe të huajve, që të nxjerr fitimet e mija…” Pyetja është: Çfarë fiton Shqipëria nga ky investim gjigand?! Do të punësojë kamerierë e fshatarët përreth do të shesin patate e qepë? Me këtë terr informativ dhe mungesë transparence, Porti i Durrësit me 80ha tokë, e 76ha akuarium mund të ndodhë që një ditë të quhet Emiratet e Bashkuara Arabe të Ballkanit Perëndimor.

Si do të arrijë ky port gjigand të thithë e shpërndajë 50 milionë tonë mallra në vit, kur deri sot asnjëherë nuk është kaluar shifra 5 milion ton/vit, që është kapaciteti i përgjithshëm i portit ekzistues? Pse opozita nuk kërkon transparencë të thellë, që të kuptojmë se ç’po ndodh me portet e Shqipërisë, të Vlorës e të Durrësit?

Gjatë paraqitjes së projekteve për Porto Romanon çdo përfaqësuesi firme iu lanë pesë minuta kohë. Ministrja Balluku deklaroi me një fudollëk të pajustifikuar: “…Personalisht e kam bezdi kur më kufizojnë kohën… Kohën për paraqitjen e projekteve e kam vendosur unë, vetëm 6 muaj. Meqënëse bashkëpuntorët e mi janë më miqësorë ( çast kur ministresha buzëqeshi duke ngritur vetullën e djathtë) po shtoj plus 2(dy) muaj, pra tetë muaj…” Pastaj plot madhështi shtoi: “… Me shumë kënaqësi u them se këtu nuk flitet thjesht për një port të një shteti të vogël, por për një port me rëndësi të veçantë për rajonin. Ky port bëhet për të ndryshuar konceptin për tregëtinë detare jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin. Flitet për një kapacitet ekonomik që do të reflektojë jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë Ballkanin…” Pra veç të tjerave ministrja dhe shtabi i saj do të mësojnë rajonin e më gjerë të ndryshojnë konceptin për tregëtinë detare!? Nuk u tha se çfarë kapaciteti do të ketë fillimisht ky port, deri ku mund të shkojë vlera e projektit, cilët do të jenë financuesit etj. etj.  Në fjalim ajo parashikoi, që në vitin 2030 Porto Romano ( Porti i Durrësit, ka kapacitet 5 miljon tonë në vit) do të ketë një kapacitet prej 50 miljonë tonë në vit!? Si shtet rrumpallë që jemi, në Porto Romano vitet e fundit janë ndërtuar dy terminale të reja, që kufizojnë shumë ndërtimin e portit të ri. Ç’do të bëhet me to? Dhe kryesorja: Për gjithë këto projekte e investime gjigande, a do të ketë oponencë? Që të ndërtosh porte të tillë duhet të jenë ndërtuar më parë autostrada e rrugë hekurudhore, që lidhin Durrësin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Pa këto Porto Romano në madhësinë që kërkon Balluku është një utopi. Para disa ditësh u njoftua se në Sofie u nënshkrua memorandumi tri palësh mes Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për Korridorin VIII (projekt i vitit 1996) si një hap i rëndësishëm bashkëpunimi midis tri vendeve, për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Ky memorandum i përmendur si një fitore e madhe e qeverisë Rama, është një copë letër mirëkuptimi firmosur nga tre ministrat e transporteve. Në komunikatë anashkalohet një fakt themelor: nuk thuhet se për Korridorin VIII nuk ka asnjë financim dhe ndihmë nga BE-ja; kjo u la si detyrë parësore për të tri vendet pjesëmarrëse, por pa afat kohor. Sa para dhe kohë i duhen Shqipërisë të ndërtojë pjesën e saj të hekurudhës dhe autostradën deri në Qafë Thanë? Si do të arrijë ky port gjigand të thithë e shpërndajë 50 milionë tonë mallra në vit, kur deri sot asnjëherë nuk është kaluar shifra 5(pesë) milion ton/vit, që është kapaciteti i përgjithshëm i portit ekzistues? Pse opozita nuk kërkon transparencë të thellë, që të kuptojmë se ç’po ndodh me portet e Shqipërisë, të Vlorës e të Durrësit? Këto janë investime që ose  e nxjerrin në dritë Shqipërinë ose i bëjnë gropën. Dhe gjithë kjo lihet në dorë të ministres, që pa e fyer duhet të them, që nuk ka njohuritë e duhura për ndërtimin e porteve, transportit detar e atë tokësor.