360 milion lekë në muaj për makinat me qira të qeveritarëve

Janë disa lajme, të cilët nuk kanë nevojë për koment, por që duhen sqaruar. Një lajm i tillë ka dalë nga “kulla” e qeverisë nëpërmjet publikimit në “Fletore Zyrtare nr. 44”, datë 25 mars 2015 dhe bën fjalë, për marrje me qira të 30 veturave luksoze, për t’u vendosur në dispozicion të kryeministrit, presidentit, kreut të kuvendit dhe ministrave. Sipas Vendimit Nr. 246, datë 19 mars 2015, miratuar pas propozimit të Ministrit të Financave Shkëlqim Cani, kryeministri ka autorizuar Gardën e Republikës të Shqipërisë, të zhvilloj “urgjent” tenderin për marrjen me qira të veturave që do përdoren për transportin e ministrave dhe transportin… e tij! Ja çfarë përcakton Vendimi Nr. 246, datë 19 mars 2015: – “Ngarkohet Garda e Republikës së Shqipërisë, si organi qendror blerës, për kryerjen e procedurës së prokurimit… për marrjen me qira financiare, të automjeteve në dispozicion të përhershëm të Kryeministrisë dhe të disa funksionarëve publikë, personalitete të larta shtetërore dhe të shtetit, sipas Ligjit Nr. 8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Por, çfarë ndodh? Sipas Ligjit Nr. 8869, datë 22.5.2003 të pandryshuar e të ndryshuar, Garda e Republikës së Shqipërisë nuk përmendet në asnjë nen dhe në asnjë pikë të ligjit, si “organi qendror blerës” (siç thotë vendimi i qeverisë! Në vendimin e qeverisë, nuk publikohet as fondi limit total, as llojet e veturave që do merren me qira! Sipas vendimit, Presidenti Republikës, Kryetari i Parlamentit, Kryeministri dhe 16 ministra, në datën 31 mars 2015, kanë dërguar në Gardën e Republikës, llojin, kushtet dhe ngjyrën e veturës që dëshirojnë e preferojnë të kenë në shërbim, të paguar me qira nga taksat e shqiptarëve. Në fakt, sipas informacionit të “Telegraf”, shtetarët e lartë të trajtuar sipas këtij vendimi me makina me qira, kanë nga 3 e 4 makina shtetërore në dispozicion nëpër institucionet që drejtojnë! Por ja, që do të marrin edhe makina me qira me “afat të përhershëm” (siç përcakton vendimi)! Dmth, sa të jenë në ato poste! Thuhet se Garda e Republikës është thjeshtë mbushëse e letrave të tenderit, mbasi është paracaktuar se nga cila firmë tregtare makinash do të merren këto vetura me qira dhe se kjo qira klienteliste, duket haptazi që është shpikur sa për t’i dhënë miliona ndonjë “miku” të “tavolinës” së qeverisë! Sipas pazarit të bërë, mësohet se pagesa vlerë fillestare për veturat që do të merren me qira, do të jetë nga 100 mijë lekë të reja, deri në 150 mijë lekë të reja në muaj! Ose, një qira vjetore në vit do të jetë sa blerja e një makine me vlerë 12 milion lekë të vjetra dhe sa blerja e një makine 18 milion lekë të vjetra! 
Ja lista emërore dhe numri veturave që do merren me qira
1. Bujar Nishani 2 vetura
2. Edi Rama 8 vetura
3. Ilir Meta 4 vetura
4. Ditmir Bushati 1 veturë
5. Mimi Kodheli 1 veturë
6. Saimir Tahiri 1 veturë
7. Erjon Veliaj 1 veturë
8. Damian Gjiknuri 1 veturë
9. Ilir Beqja 1 veturë
10. Klajda Gjosha 1 veturë
11. Shkëlqim Cani 1 veturë
12. Arben Ahmetaj 1 veturë
13. Lindita Nikolla 1 veturë
14. Nasip Naço 1 veturë
15. Mirela Kumbaro 1 veturë
16. Edmond Panariti 1veturë
17. Lefter Koka 1 veturë
18. Edmond Haxhinasto 1 veturë
19. Eglantina Gjermeni 1 veturë
Sigal