24 kontrata koncesionare i kanë kushtuar taksapaguesit 1 miliard euro

448
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Open Data’: Ja lista e plotë e koncesioneve gjatë periudhës janar 2017 deri në dhjetor 2020 të  dhëna në sektore të ndryshëm ekonomikë. Si po fryhen pagesat

Sipërmarrjet më fitimprurëse në vend (fitimi para taksave ndaj të ardhurave) janë bizneset që shfrytëzojnë një të drejtë ekskluzive shërbimi me koncesion. Fitimi i koncesionarëve ka rezultuar se është i garantuar, në mungesë të konkurrencës, që u mundëson kompanive të fiksojnë çmime më të larta, duke mos i shërbyer qëllimit final të ofrimit të së mirës publike me kosto sa më eficiente. Në Shqipëri është bërë i modës termi oligark, pasi një dorë biznesmenësh fitojnë tendera  pa fund nga qeveria.

‘Open Data Albania’ po hulumton mbi ndarjen sektoriale për koncesione dhe Partneritetit Publik Privat PPP, të miratuara në Shqipëri gjatë periudhës janar 2017 – dhjetor 2020. Artikulli identifikon numrin dhe vlerën e investimit specifikuar, Sektorin Institucional dhe Kategorinë Sektoriale.

Shqipëria, nën pushtetin e privatit

Gjatë periudhës janar 2017 deri në dhjetor 2020, në Shqipëri janë miratuar 24 kontrata koncesioni apo PPP, me vlerë totale Investimi prej 125 199 058 469 lekë (125.19 miliard lekë), ose konvertuar në Euro 1 009 669 826 Euro (1 miliard Euro).

Si sektor institucional ku janë aplikuar Koncesione PPP gjatë kësaj periudhe, listohet Energjetika, Transporti, Mjedisi, Zhvillimi Urban, Shëndetësi dhe Kontroll Fiskal. Sektori Institucional Energjetikë shënon numrin më të madh të kontratave. Sektori Institucional Transport, ka vlerën më të lartë të Investimeve në PPP dhe Koncesione.

Kategoritë Sektoriale (te ndryshme nga Institucionale) që janë aplikuar gjatë katërvjeçarit janë Menaxhim Mbetje; Infrastrukturë Rrugore; Infrastrukturë Detare Porte; Hidro Energjetikë; Arsim; Shëndetësi; Kontroll Fiskal dhe Shërbime.

“Sektori Institucional Energjetikë shënon numrin më të madh të kontratave. Sektori institucional Transport, ka vlerën më të lartë të investimeve në PPP dhe koncesione. Më pas vjen shëndetësi dhe kontroll fiskal”

Kategoria sektoriale Infrastrukturë Rrugore janë miratuar tre Koncesione PPP me vlerë Investimi 62 115 823 913 lekë. Konkretisht me kompaninë koncesionare “Gjoka 87” sh.p.k zbatuese e kontratës Koncesion PPP  për Përmirësimin Ndërtimin Operimin dhe Mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit; kompania “Bardh Konstruksion” për Projektimin, Ndërtimin dhe Mirëmbajtjen e segmentit rrugës Milot- Balldre si dhe kompania “Rruga Orikum- Llogara” sh.p.k zbatuese e kontratës për Projektimin, Ndërtimin dhe Mirëmbajtjen e segmentit e rrugës Porti i Jahteve-Bypass- Orikum- Dukat- Ura e Shën Elizës.

Kategorinë Infrastrukturë Porte Detare është miratuar një Kontratë Koncesioni me vlerë Investimi 1 374 984 000  lekë, konkretisht Kontrata Koncesion PPP të Portit turistik dhe shërbimeve “Marina Limion” me kompaninë “Marina Limion” sh.a.

Për Shërbime është miratuar kontrata Për dhënien me koncesion të disa shërbimeve Detare me kompaninë “Anijet e Shërbimit Detar” sh.a.

Menaxhimit të Mbetjeve (Waste Management), që përfshin grumbullimin, transportin, rikuperimin, asgjësimin e mbetjeve dhe prodhimin e energjisë janë miratuar dy kontrata koncesioni PPP me vlerë 18 471 152 055  lekë, e konvertuar rreth 148 960 904 Euro, që përbën rreth 14.8% e vlerës totale të investimit për gjithë Koncesionet PPP  të miratuara në këtë periudhë. Në këtë sector, përfshihet kontrata Për Ndërtimin e Landfillit, Inceneratorit dhe rehabilitimin e Venddepozitimeve ekzistuese,Tiranë, me shoqëri koncesionare “Integrated Energy BV SPV”  dhe kontrata për dhënien me koncesion të shërbimit të pastrimit, grumbullimit, transportimit dhe seleksionimit të mbetjeve urbane për Qytetin Kamzë me shoqëri zbatuese “Eco Cleaning” sh.p.k

Sektorit të Zhvillimit Urban shënon dy koncesione me vlerë totale të investimit 4 102 552 269 lekë rreth 33 085 099  Euro. Zhvillimet janë në kategorinë sektoriale, Arsim dhe bëhet fjalë Për përmirësimin e infrastrukturës Arsimore në Bashkinë Tiranë, zona Tirana 1 me shoqëri koncesionare “Z.M.A” sh.p.k  dhe Për përmirësimin e infrastrukturës Arsimore në Bashkinë e Tiranës për katër objektet arsimore në zonën “Tirana 4” sh.p.k.

Gjatë periudhës të marrë në shqyrtim në sektorin e Shëndetësisë është lidhur një Partneritet Publik Privat “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake”, me kompani koncesionare zbatuese “Laboratory Networks” sh.p.k.

Gjithashtu gjatë kësaj periudhe është miratuar një kontratë në sektorin e Kontrollit Fiskal, konkretisht, Partneriteti Publik Privat, “Shërbimi i kontrollit ligjor të instrumenteve matës, nëpërmjet instrumenteve shpërndarës të karburantit dhe gazit të lëngshëm”, shoqëri koncesionare “Noa Inspect” sh.p.k

Energjetika liston disa kontrata koncesioni PPP si kontrata Për ndërtimin e Hidrocentralit Kalivaç e cila zbatohet nga kompaninë “Ayen Alb” sh.p.k; koncesioni për  Ndërtimin Operimin dhe Transferimin e Hidrocentralit KUKUR nga shoqëria “Kukur Hidro Energy” sh.p.k; Koncesioni Ndërtim Operim dhe Transferim i hidrocentralit Bushtrica 3 nga shoqëria “Bushtrica Hydropower” sh.p.k; Koncesioni Ndërtim Operim Transferim i hidrocentralit Guri i Bardhë me shoqëri koncesionare zbatuese “GealbEnergy” sh.p.k;  Koncesioni Ndërtim Operim Transferim i hidrocentralit Lunik nga shoqëria koncesionare “Victoria Hydroenergy” sh.p.k; koncesioni Ndërtim Operim Transferim i hidrocentralit Bushtrica  me shoqëri zbatuese “Elenergji” sh.p.k; kontrata Ndërtim Operim Transferim e hidrocentraleve mbi lumin Shushicë me shoqëri koncesionare zbatuese Shushica Hydropower sh.p.k; Koncesioni Ndërtim Operim Transferim i hidrocentralit Grabovë 2 me shoqëri koncesionare “H.K HEC Grabova 2” sh.p.k; Koncesioni Ndërtim Operim Transferim i hidrocentraleve Shutri 1, Shutri 2 me shoqëri koncesionare zbatuese “ATEANI Energy” sh.p.k; Kontrata Ndërtim Operim Transferim i hidrocentraleve të Lusës nga shoqëria “Idrolusa” sh.p.k; Kontrata Koncesioni Ndërtim Operim Transferim i hidrocentraleve mbi lumin e Shalës,  me shoqëri zbatuese “3 Power Shala” sh.p.k; Koncesioni Ndërtim Operim Transferim i hidrocentralit Veleshicë, me shoqëri “Kalisi Hydropower” sh.p.k.

Kontrata Koncesionare dhe PPP, në fuqi, të dhëna dhe Dokumente mbi Kompanitë e Regjistruara për Zbatimin e Tyre, janë të publikuara në një format lehtësisht të aksesueshëm dhe të mirë strukturuar në DataBazën Regjistri Koncesionar portali “OpenCorporates”.