Gëzim Zilja: Gara për kryetar është e pabarabartë

291
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Partia Demokratike pas zgjedhjeve parlamentare dhe humbjes së tretë rradhazi, duhet të bënte menjëherë analizë të hollësishme mbi përfundimet e zgjedhjeve. Të dëgjoheshin të gjithë ata njerëz, që morën përsipër të drejtonin fushatën elektorale, nga kryetarët e partive deri te drejtuesit e seksioneve, grup-seksioneve e anëtarët e thjeshtë, që votuan e besuan në fitore. Çdo drejtues politik më tej të paraqiste në kryesinë e PD-së një analizë të hollësishme me të gjithë faktorët e suksesit ose mossuksesit. Një përmbledhje e të gjitha analizave të paraqitej nga kryetari i PD-së në KKPD dhe kjo e fundit pas diskutimeve të dilte me një raport përfundimtar të aprovuar me votë nga shumica, ku të merreshin përsipër përgjegjësitë dhe të caktoheshin taktikat dhe strategjia që do të ndiqeshin në të ardhmen, për gjithë problemet që do të dilnin. Midis të tjerash duhej tu jepej përgjigje pyetjeve: U humbën apo u fituan zgjedhjet e 25 prillit, do të futet apo jo PD-ja në parlament, ishin zgjedhjet një masakër zgjedhore dhe si të tilla duhet të përsëriten;  të organizohej grumbullimi dhe paraqitja e fakteve dhe provave në KAS e KQZ, nga njerëz të përgatitur e profesionistë, ( jo korr e mos lidh) që këtyre organeve të politizuara, mos t’u lihej hapsirë për të manipuluar apo hedhur poshtë ankesat, cili ishte roli i Bashës në këto zgjedhje etj, etj. Mbas kësaj të caktohej data e zgjedhjeve për kryetarin e ri, të lihej kohë e mjaftueshme për kandidatët, të caktoheshin rregullat e garës me të njejtat kushte e të drejta.

Garën ta drejtonte një komision i caktuar nga kryesia ndërkohë, që kryetari i tanishëm të jepte dorëheqjen deri në përfundimin e zgjedhjeve dhe të zbatohej minimalisht statuti i PD-së, që është kthyer në një leckë pa vlerë. Mirpo pa bërë asnjë nga këto që thamë më lart, duke u injoruar sërish për të “njëqintën” herë gjatë këtyre tetë vjetëve strukturat e PD-së, kryetari shpall zgjedhjet e reja para afatit. Njëkohësisht në mënyrë të rrufeshme shpalli komisionin e zgjedhjeve me kryetar një person të vetëdeklaruar si përkrahës i flaktë i Bashës dhe shumë i përfolur në zgjedhjen e kryetarit të PD-së për manipulime në favor të Bashës kundër Eduard Selamit.  Kryetari, duke e kapur si kurdoherë për zverku PD-në, filloi fushatën duke u imponuar demokratëve tezat e tij mbi shkaqet e humbjes, duke mos marrë asnjë përgjegjësi mbi vete e duke deklaruar solemnisht se lufta për vendosjen e demokracisë së vërtetë vazhdon, me nënkuptimin se këtë luftë mund ta kryesojë vetëm ai. Por si do e shohim më poshtë këto zgjedhje po zhvillohen në kushte të pabarabarta (kujtojmë garën me Eduard Selamin) duke e kompromentuar rëndë këtë proces. Dymbëdhjetë ditë janë shumë pak po të kemi parasysh se kandidatëve u duhet të zhvillojnë të paktën nga një takim në të gjithë fshatrat dhe qytetet e shumta të Shqipërisë, ku të shpalosin programin e tyre dhe tu përgjigjen pyetjeve dhe dyshimeve që mund të kenë zgjedhësit. Kryetarët e PD-ve në rrethe të gjithë janë emëruar nga Basha se zgjedhjet  duhet thënë edhe kur janë bërë kanë qenë formale. Kjo kërkonte që para se të shpalleshin zgjedhjet për kryetarin e PD-së të kryheshin zgjedhjet për kryetar partie në rrethe dhe të respektohej parimi një anëtar një votë. Me këtë rast të rishikoheshin listat, nga anëtarët e kryesive, të korrigjoheshin e të plotësoheshin, duke marrë parasysh largimet, prurjet e reja dhe mundësinë e votimit të emigrantëve të shumtë. Shpallja e listave është një faktor shumë i rëndësishëm në një proces të ndershëm zgjedhor. Listat ashtu si në zgjedhjet parlamentare duhet të afishohen ballas pranë qendrave të votimit të rretheve apo qarqeve. Njerëz të pandërgjegjshëm, përkrahës të kryetarit të tanishëm ose kandidatëve të tjerë, duke mos pasur lista të afishuara dhe të kontrollueshme, ( ato nuk përbëjnë secret)  mund t’i manipulojnë ato gjatë votimit në favor të njërit apo tjetrit kandidat. Këto ndodhin rëndom në të gjitha partitë shqiptare gjatë zgjedhjeve të brendshme të partive. Deputetët e rinjë, u zgjodhën nga vetë Basha, duke injoruar tërësisht propozimet nga anëtarësia e bazës ( Komisioni i “pleqve”, model kinez,  Ruli, Mustafai, Nishani etj, doli pa bereqet) prandaj pak gjasa ka që ata të përkrahin kandidatët e tjerë. Numri i personaliteteve të spikatura, me vlerë, e mendim të pavarur në grupin e ri parlamentar nuk kalon  dhjetë apo dymbëdhjetë. Në rastin më të mirë ka deputetë me dëshirë për punë, jo shumë të njohur edhe këta të pakët, por  pa eksperiencë në politikë ose në administratën publike.

Të tjerët janë njerëz të përfolur, servilë, të paaftë, të stërprovuar e të stërdështuar, madje disa janë bërë proverbial me kotësinë e ndryshkun e tyre në PD. Duke ndjekur këtë rrjedhë logjike, duke e parë veten të emëruar si deputetë nga Basha dhe jo të zgjedhur nga vota e demokratëve, natyrshëm ata do të ndihen borxhli ndaj kryetarit dhe do të renditen në anën e tij pa kushte. Përfundimisht gara zgjedhore për kryetarin e PD-së zhvillohet në kushte të pabarabarta, duke favorizuar dukshëm kryetarin Basha. Koha për të rregulluar diçka nuk mjafton megjithëse kjo dëshirë nuk ekziston te kryetari dhe kryesia e sotme. Zhvillimi i një gare të tillë, ku fituesi duket si i paracaktuar, cënon demokracinë e brendshme në parti dhe vështirë se ngjall besim te demokratët e më gjerë se nesër në rast fitoreje, do të kemi një qeveri të sukseshme, të mbështetur në vlerat e vërteta, votën e lirë dhe meritokracinë. Nuk është çudi, që gjatë procesit të kemi sërish një jeminizim të votave si dikur shabanizimin e tyre. Sidoqoftë është hedhur një hap i madh përpara për demokratizimin e jetës së brendshme të PD-së. Për herë të parë pas vitit 1992, kemi kandidatë për kryetarë partie prej vërteti. Le të shpresojmë të paktën, që pas zgjedhjeve të mos kemi përjashtime, shpallje të reja tradhëtarësh, të mos anatemohen kandidatët e përkrahësit e tyre, e sidomos, të lejohet me statut mendimi ndryshe, në Partinë Demokratike.