77% e paketës në mbështetje të sektorit bujqësor ende e paangazhuar: Qeveria duhet të marrë masa urgjente për bujqësinë dhe fermerët

592
Sigal

Nga Prof. Edmond Panariti

Prej disa vitesh tashmë, ekonomia shqiptare pavarësisht politikës ekonomike dhe veçanërisht asaj fiskale të zbatuar nga qeveria, si dhe politikës monetare nga Banka Shqipërisë, nuk ka mundur të arrijë objektivin për një rritje të qendrueshme ekonomike.

Akoma më shqetësuese dhe alarmante është situata sociale ekonomike krijuar pas dy goditjeve të njëpasnjëshme si tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia botërore Covid-19. Nuk ka dyshim që kriza ekonomike globale do të ketë impakt më negativ në ekonomitë në zhvillim. Për pasojë, qeveria duhet të ketë një qasje proaktive, të propozojë masat e duhura korrigjuese me çdo kosto dhe mbi të gjitha të reagojë në kohë pa vonesa për të nxjerrë ekonominë nga paralizimi disa javor.

Ka ditë që në forumet e ndryshme të debatit politiko-ekonomik diskutohen paketat e propozuara nga qeveria shqiptare. Sigurisht, nëse për përballjen dhe frenimin e përhapjes së këtij armiku të padukshëm, qeveria shqiptare ndoqi rekomandimet e OBSh dhe në përballjen e krizës ekonomike pa diskutim do t’i duhet të ndjekë të njëjtat paketa të rekomanduara nga insititucione ndërkombëtare financiare dhe nga qeveritë e vendeve të ndryshme të botës.

Natyrisht, nuk mjafton vetëm paketa A, kryesisht për amortizimin e efekteve sociale, as paketa B, e cila do të ndihmojë financiarisht kryesisht bizneset e vogla dhe të mesme të prekura, por mbi të gjitha qeveria duhet të konsiderojë urgjentisht ndihmën konkrete që i duhet ofruar fermerëve në të gjithë Shqipërinë.

Prej vitesh tashmë fondi nga buxheti i shtetit dedikuar subvencionimit direkt të femerit është i papërfillshëm, mbështet shumë pak nënsektorë të bujqësisë, në vlerë të pakonsiderueshme në raport me kostot që përballet fermeri. Gjithashtu, përtej burokracisë së kritereve dhe dokumentave, sërish buxheti mbulon një numër mjaft të vogël fermerësh.

Si mund të diskutohet për rritje të ekporteve kur produktet shqiptare mbështeten shumë pak për të mos thënë aspak nga buxheti i shtetit, ndërkohë që duhet të konkurrojnë me vende si Maqedonia e Veriut apo dhe Kosova ku buxheti i shtetit dhe fondet e ndihmës së huaj mbulojnë të gjitha kërkesat e fermerëve në masën 100 përqind.

Në kushtet e krizës në të cilën ndodhemi, ku prodhimi vendas merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për të furnizuar tregjet me prodhim të sigurtë, të përballueshëm për konsumatorin, në sasinë e nevojshme, ruajtjen e niveleve të çmimeve, por mbi të gjitha për të ndihmuar ekonominë në tërësi të mos fundoset, qeveria shqiptare më shumë se kurrë duhet të adresojë urgjent nevojat e fermerit. Në mungesë të fondeve nga buxheti i shtetit, i cili pavarësisht se është rishikuar për të zgjidhur nevojat emergjente që ka ekonomia, por dhe për të mos shtuar borxhin publik për të përmbushur nevojat, qeveria mund të rikanalizonte fondet IPARD për mbështetje direkte fermerit.

Aktualisht, nga 94 milionë euro për periudhën 2014-2020, 72 milionë euro ose rreth 77 përqind e paketës së ofruar në mbështetje të investimeve në sektorin bujqësor është ende e paangazhuar. Në kushtet që afati i fundit i përdorimit të buxhetit të alokuar nga BE është viti 2020, Qeveria mund t’i kërkonte delegacionit të Bashkimit Europian rikanalizimin e këtyre fondeve në ndihmë direkte të fermerit shqiptar, bazuar edhe në politikën e ndjekur nga BE për përballimin e COVID19, ku në takimin e Ministrave të Bujqësisë të BE zhvilluar më datë 26 Mars 2020, u ritheksua mundësia që ekziston, nën rregulloren aktuale, për fleksibilitet në zbatimin e rregullave të BE-së.Konkretisht Komisioni ka prezantuar një proces të përshpejtuar, i cili do t’i mundësojë administratës kombëtare të adaptojë programin e tyre me situatën aktuale.

Për më tepër, nisur nga situata e shkaktuar nga COVID-19, fondet e nënkontraktuara në Thirrjen e Parë të IPARD (rreth 22 milionë Euro) për investime në bujqësi do të hasin vështirësi serioze në realizim dhe do të jetë pothuajse e pamundur, megjithë shtyrjet e mundshme që pagesat/disbursimet të kryhen brenda këtij viti.

Investimet aktuale të kontraktuara nga Thirrja e Parë, e kanë të pamundur vazhdimin e zbatimit të projektit, pasi pjesa më e madhe e teknologjive janë prodhim importi, ku shumë prodhues kanë ndalur aktivitetin e tyre dhe nuk kanë asnjë plan të afërt për nisjen e prodhimit, apo, në rastin më të mirë, mundësi transporti deri në Shqipëri. Pra, edhe një pjesë e konsiderueshme e investimeve të Thirrjes së Parë IPARD, të kontraktuara në vlerën 22 milionë euro do jenë pothuajse të pamundura të disbursohen brenda vitit 2020.

Kjo do të thotë që pjesa e mbetur e pakontraktuar e programit IPARD, konkretisht vlera prej 72 milionë euro, nuk do të mund të përthithet dhe do të digjet si fond i parealizuar për bujqësinë shqiptare, përsa kohë Qeveria Shqiptare nuk do të kërkojë rialokim të fondeve drejt sektorëve më prioritarë të bujqësisë. Propozimi nga Qeveria Shqiptare që fondet e pakontraktuara në masën 72 milionë euro, të kanalizohen në pagesa direkte për fermerin e vogël në varësi të aktivitetit, kulturës bujqësore, sipërfaqeve dhe sasive përkatëse të prodhimit, do të ishte mëse e mirëpritur nga BE.

Ky propozim është në linjë me objektivat e programit IPARD, për mbështetje të punësimit në zonat rurale dhe përfshirje sociale dhe mbi të gjitha garanton mbajtjen gjallë të shtyllës më të rëndësishme të bujqësisë shqiptare, por edhe më të rrezikuarin për falimentim, fermën dhe fermerin e vogël, që garanton prodhimin dhe furnizimin me lëndë të parë për të gjithë zinxhirin e vlerës prodhimpërpunim-furnizimi në sektorët e ndryshëm të Bujqësisë në vendin tonë.

Politika e përbashkët për bujqësinë në BE (CAP) po shqyrton mundësinë që pagesat direkte për fermerët të bëhen më herët se vitet e tjera dhe të rrisin masën e paradhënies direkte, si masa konkrete në mbështetje të bujqësisë. Madje, po konsiderohen afate më të lehtësuara për të aplikuar dhe shmangie apo lehtësira nga disa detyrime, për të shmangur rrezikun e rënies së potencialit të prodhimit dhe goditjes së thellë të flukseve hyrëse monetare për këtë sektor.

Prioriteti që BE i kushton mbështetjes së Bujqësisë dhe zhvillimit rural demonstrohet edhe nga alokimi i buxhetit ku 50 miliardë Euro ose rreth 40 përqind e tij i dedikohen sektorit bujqësor. Madje disa nga vendet më të prekura kanë theksuar nevojën emergjente dhe kanë shqyrtuar të gjitha mundësitë për të aplikuar një program të jashtëzakonshëm për bujqësinë, përmes fondeve të jashtëzakonshme, përtej fondeve ofruar nga paketa e pagesave direkte nga BE, riprogramim të fondeve aktuale të paangazhuara në mbështetje të sektorëve më prioritare dhe më të goditura nga kriza. Mbështetja për fermerin nuk do të ishte ndihmesë sociale në kohë lufte, por në thelb incentivë konkrete për të prodhuar në kohë krize, veçanërisht kur kërkesa në tërësi ka rënë ndjeshëm si pasojë e paralizimit të jetës në vend.

Ndërprerja e zinxhirit të furnizimit për muajt në vazhdim është një çështje aspak utopike, por më realiste se kurrë. Kufizimi në lëvizje dhe masat karantinë, kanë penguar fermerët të sjellin prodhimet e tyre në tregje duke krijuar efektin zinxhir të rënies së kapaciteteve prodhuese.

Edhe nëse gjendja në inventare është e mjaftueshme për disa muaj, transportimi i ushqimit nga një vend në një vend tjetër është i vështirë. Në qoftë se nuk merren masa konkrete nga qeveria, mbyllja e lokaleve, restoranteve, limitimi i shitjeve direkte, mbyllja apo orari i kufizuar i tregjeve publike dhe përqendrimi i tregëtisë ushqimore në supermarket do të çojë në rënie të kapaciteteve prodhuese.

Sipas rrjetit mediatik EURACTIV (i cili fokusohet në politikat e BE), Europa po përballet me shkurtim të fuqisë punëtore në sektorin agroushqimor. Komisioni Europian ka rritur ndjeshëm vëmendjen ndaj risqeve potenciale që mund t’i shkarkohen zinxhirit Europian të furnizimit të ushqimit, si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore.

Një pjesë të produkteve, tregu shqiptar i siguron përmes importit. Në kushtet kur zinxhiri i furnizimit me ushqim në vendet e rajonit mund të pësojë goditje, efektet do të përçohen edhe në vendet ku ata eksportojnë (si Shqipëria) përmes reduktimit të sasisë së nevojshme dhe rritjes së çmimit. Të mos harrojmë se një pjesë e fermerëve financojnë veprimtarinë e tyre përmes remitancave nga familjarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët për hir të krizës globale kanë reduktuar ndjeshëm këto dërgesa.

Pas urisë së Luftës së Dytë Botërore, subvencionet direkte ndihmuan në mbrotjen e fermerëve nga konkurrenca e huaj dhe subvencionet rritën rendimentin e tyre. Të mos vonojmë në marrjen e masave në ndihmë të bujqësisë në vendin tonë, sepse fermeri shqiptar ende nuk është i konsoliduar, si fermeri i rajonit, apo fermeri i BE-së, dhe vonesat në marrjen e masave do ta rrëzonin në mënyrë përfundimtare, duke e kthyer në një tjetër emigrant potencial i gatshëm për largim nga vendi ynë.

Situata ekstreme e ditëve të fundit, ku tonelata të prodhimit të fermerëve të vendit tonë po flaken dhe hidhen në kanale, apelon të veprojmë sa më parë, para se fermeri shqiptar të kalojë në “intubim” dhe shërimi i tij të jetë shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur.