1 urdhër i Ruçit, 2 data dhe përmbajtje të ndryshme – A e manipuloi Kuvendi dokumentin për Gjykatën Kushtetuese? (SHPJEGIM)

153
Sigal

Në dukje është një detaj administrativ, jo fort i rëndësishëm. Një datë e ndryshuar, një firmë e çuditshme. Por, procedurat mbajnë në këmbë demokracitë. Manipulimi i një procedure ka zhbërë procese të famshme gjyqësore.

Kur ky manipulim ndodh nga një institucion si parlamenti, “gabimi” është faj i rëndë. Dhe kur bëhet ndaj presidentit të Republikës, “faji i rëndë” është krim.

ÇFARE KA NDODHUR

Procedura e shkarkimit të presidentit të Republikës, Ilir Meta është komplikuar keq në Gjykatën Kushtetuese, pas fakteve deri tani të pakontestuara se Kuvendi ka dërguar në proces, dokumente të falsifikuara.

Në datën 3 shkurt, përfaqësuesit e Presidencës paraqitën një parregullsi se kryetari i Kuvendit kishte thirrur në datën 6 maj 2021, seancën plenare të datës 7 maj. Në këtë seancë duhet të miratohej raporti i komisionit të Ligjeve për ngritjen e komisionit hetimor për Presidentin.

Presidenca pretendoi se këtu kemi të bëjmë me një shkelje.

Sipas rregullores, “rendi i ditës duhet të ishte bërë publik të paktën 2 ditë përpara datës së caktuar për seancën plenare”.

Ndërkohë, seanca u thirr brenda 24 orëve.

Në datën 6 maj, komisioni i Ligjeve përfundoi mbledhjen dhe miratoi raportin për ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e Metës. Sipas rregullores, duhet të kalonin së paku 48 orë para se deputetët të mblidheshin në seancë. Por, gjithçka në fakt ndodhi brenda 24 orëve, në shkelje të rregullores.

Ky ishte pretendimi që ngritën në gjykatë përfaqësuesit e Presidencës.

Këtu nis përpjekja për manipulim.

Një ditë pas seancës së 3 shkurtit në gjykatë, Presidenca njoftohet nga Gjykata Kushtetuese se Kuvendi ka sjellë prova të reja. Në këto “prova” të reja ishte dokumenti i modifikuar, sikur, urdhri i Ruçit për mbledhjen e Kuvendit nuk ishtë dhënë më 6 maj, por më 5 maj.

Në këtë mënyrë, Kuvendi pretendon se ka kaluar 48 orëshi i domosdoshëm për njoftimin e seancës.

Formalisht, Kuvendit mund t’i jetë dukur se e tejkaloi këtë “problem administrativ”. Por, këtu nis skandali.

Dokumenti i parë, ku Ruçi e thërret Kuvendin të nesërmen, ndërkohë që duhet të kalojnë 48 orë sipas rregullores

Dokumenti i dytë, me gjasë i retushuar, ku Ruçi del që e ka thirrur Kuvendin 48 orë para, sipas rregullores

CILI ESHTE DOKUMENTI I SAKTE?

Në Gjykatën Kushtetuese tani janë 2 dokumente të Kuvendit, ose më saktë 1 dokument por me 2 variante, njëri me datën 5 maj dhe tjetri me datën 6 maj. Si shpjegohet kjo?

Kuvendi vetë nuk e shpjegon dot, por mjaftohet duke thënë që “nuk ka manipulim dhe falsifikim”.

Në dokumentin e botuar në faqen zyrtare të parlamentit, urdhëri për thirrjen e seancës mban datën 6 maj. Varianti i dorëzuar në gjykatë nga parlamenti, mban datën 5 maj të lëshimit të urdhërit, ndërsa vetë shkresa është e datës 6 maj. Ndryshimet janë dhe në rendin e ditës, në përmbajtjen e pikës për çështjen e cila debatohet.

Për më tepër dyshimet shtohen kur mbahet parasysh se rendi i ditës, në shkresën e re, që mban datën 5 maj, përmban miratimin e raportit të Komisionit të ligjeve, në një kohë kur ky komision e votoi atë vetëm një ditë më vonë, më pak se 24 orë nga zhvillimi i seancës.

Pra, një tjetër shkelje proceduriale është se urdhri i Ruçit për rendin e ditës është vetëm për “miratimin e raportit të komisionit të Ligjeve për ngritjen e komisionit hetimor…”, ndërkohë që në fakt, Kuvendi jo vetëm e ka miratuar këtë raport por, ka miratuar edhe ngritjen e vetë komisionit hetimor. Presidenca pretendon se ky është ndryshim i rendit të ditës së punimeve të Kuvendit, dhe sipas rregullores rendi i ditës duhet njoftuar së paku 48 orë para.

Ndaj, dokumenti i Kuvendit është i retushuar edhe në përmbajtje për ta bërë të duket gjithçka brenda rregullave.

ÇFARE PASOJASH DO TE KETE?

Është e qartë se 1 dokument shtetëror nuk mund të ekzistojë në 2 variante. “Topi” tani është në fushën e prokurorisë, pasi përfaqësuesit e Presidencës bënë menjëherë kallzim penal.

A mund ta ndryshojë ky dokument i retushuar fatin e Presidentit? Ndoshta jo, me gjasë anëtarët e gjykatës e kanë marrë vendimin për shkarkimin ose jo të tij. Por, manipulimi i dokumentave, kur bëhet nga një institucion suprem si parlamenti dhe kur bëhet kundër kreut të shtetit tregon se sa i pambrojtur është qytetari i thjeshtë në këtë vend dhe mbi të gjitha, sa larg jemi së “bëri shtet”.