Inceneratori i Fierit që duhej të kishte përfunduar para 3 vitesh ka marrë 38 miliardë lekë, edhe pse ende nuk është vënë në punë. Çudia: Një çift në Rubik ka marrë 9 mln euro nga Klodian Zoto ?!
Inceneratori i Fierit: 3 vjet jashtë afatit! Kompania e Zotos ka marrë 38 miliardë lekë
Miliarda lekë të taksave të shqiptarëve janë dhënë për inceneratorin e Klodian Zotos në Fier, por ky impiant ende nuk ka filluar punën. Afati për përfundimin e punimeve ka qenë para tre vitesh, por shtyrjen e justifikojnë si kryetari i Bashkisë së Fierit ashtu edhe Kryeministri Edi Rama, duke thënë se aktiviteti i impiantit të mbetjeve do të nisë punën së shpejti. Janë 38 miliardë lekë, të cilat janë depozituar në llogari të kompanisë së klientit të qeverisë, Klodian Zoto.
Ministria e Financave ishte e bindur se inceneratori i Fierit do të përfundonte ndërtimin dhe do të niste nga funksioni në 31 mars të vitit 2021. Por, kur ka kaluar gati një vit nga ky afat, djegësi i mbeturinave për Qarkun e Fierit nuk ka nisur ende nga funksioni.
Një grup deputetësh të Parlamentit Shqiptar konstatuan të martën se impianti i përpunimit të mbetjeve ende nuk ishte vendosur në funksion.
Përfaqësuesit e kompanisë koncensionare “Integrated Technology Ëaste Treatment, Fier”, deklaruan se inceneratori do të nisë punën së shpejti. Të njëjtën shprehje kanë thënë më herët edhe kryeministri Edi Rama e kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi.
Por, situata në terren tregon se inceneratori i Fierit nuk ka nisur punën, megjithëse kanë kaluar 3 vjet nga afati i përcaktuar në kontratën koncensionare. Ministria e Financave, në një raport të publikuar në korrik të vitit të kaluar, deklaronte se punimet për inceneratorin e Fierit do të përfundonin në fund të Marsit 2021.
Kompania në pronësi absolute të biznesmenit Klodian Zoto, duhet të përfundonte ndërtimin e impiantit në tetor 2019. Por, për arsye të paqarta, në shtator 2020, Agjencia Kombëtare e Mbetjeve dhe kompania koncensionare nënshkruajnë marrëveshje për shtyrje afati deri në mars 2021.
Edhe ky afat rezulton të jetë shkelur, ndërkohë që kompania e Zotos ka marrë deri më tani mbi 38 miliardë lekë të vjetra nga Buxheti i Shtetit. Kontrata koncensionare është nënshkruar në vitin 2016 dhe vlera e investimit është 37 miliardë lekë të vjetra. Rezulton që Ministria e Financave ka paguar rreth 1 miliardë lekë më shumë deri në fund të vitit 2021. Kjo shumë sugjeron se shteti ka paguar të gjithë vlerën e investimit për ndërtimin e inceneratorit, si edhe për depozitimin e mbetjeve urbane. Ndërkohë, kompania koncensionare e Zotos, megjithëse ka marrë të gjitha paratë, nuk ka vendosur në funksion djegësin. Po botojmë më poshtë edhe shkrimin e denoncuar para dy vitesh për këtë aferë :

Dosja e plotë / Si i grabiti Arben Ahmetaj 400 milionë euro me inceneratorët: ndau paratë e shqiptarëve me hajdutin Klodian Zoto
E rëndë dhe antikombëtare, Rama dhe Ahmetaj provokuan falimentimin e buxhetit të shtetit për të financuar biznesin e hajdutit të tenderave Klodian Zoto, për t’i ngritur fabrikën e djegies së plehrave
Prokuroria e Posaçme nisi hetimet duke administruar dosjen e vjedhjes së 400 milionë eurove nga buxheti i shtetit me skemën e incineratorëve në Tiranë, Fier dhe Elbasan, ku qeveria financon biznesin e Klodian Zotos për djegien e plehrave.
Nuk ka dyshime se Klodian Zoto, një personazh i dënuar si hajdut tenderash është vetëm maska, pas të cilës fshihet Arben Ahmetaj, , segmente të PD të lidhur me Ahmetajn dhe oligarkë dhe klientë të qeverisë.
E gjithë afera është realizuar me miratimin e Edi Ramës, ndërsa inceneratori në Tiranë, me kosto 220 milionë euro, është mundësuar me implikimin e Erion Veliaj. Është një nga grabitjet më të rënda, më kriminale dhe më flagrante në 30 vitet e pluralizmit, ku qeveritarë të korruptuar dhe oligarkë, marrin paratë e shqiptarëve dhe ngrenë një biznes të tyre privat.
Skema mafioze është investiguar dhe zbardhur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Dosja e përgatitur nga KLSH është edhe baza e hetimeve nga SPAK.
Sot po sjellim të plota rezultatet e hetimit nga KLSH për skandalin e inceneratorëve. Dosja nxjerr zbuluar edhe një herë Arben Ahmetajn, si ideatorin e vjedhjes së 400 milionë eurove të parave të mbledhura në buxhetin e shtetit nga taksat e shqiptarëve. Konstatimet dhe konkluzionet e KLSH, akoma pa një hetim të thelluar, janë të mjaftueshme për SPAK, që të kërkojë me urgjencë arrestimin e Arben Ahmetajt.
KLSH jep alarmin se kontrata e koncesionit, e realizuar nga Arben Ahmetaj në bashkëpunim me Erion Veliajn dhe me lejen e Ramës për fabrikën e plehrave në Tiranë, rrezikon buxhetin e shtetit.
Sipas KLSH, Rama dhe Ahmetaj kanë provokuar falimentimin e shtetit për financimin e aferës së inceneratorëve të Klodian Zotos. Jo vetëm kaq në koordinim Ahmetaj ka marrë 10 milionë euro nga buxheti i bashkisë pa nisur fare investimi për inceneratorët. Paratë duket se janë dhënë si bakshish para se të nisë vjedhja e madhe. Nuk dihet se me çfarë letrash janë justifikuar vjedhjet e 10 milionëve euro, në kushtet kur kompania e Zotos që ka marrë konçensionin, nuk kishte nisur ende punën.
Konstatimet në dosjen e KLSH për skandalin e inceneratorëve:
Ministria e Financave me në krye Arben Ahmetaj ka miratuar projektin koncesionar/PPP të inceneratorit të Tiranës megjithëse në momentin e kërkesës ai ka qenë i papërballueshëm për buxhetin e shtetit, duke qenë se nuk janë parashikuar kostot repektive të mbështetjes nga qeverisja qendrore dhe kostot përkatëse të shpronësimit.
Koncesioni vendos buxhetin e shtetit në risk me kontrata të papërballueshme. Projekti koncesionar/PPP për inceneratorin është miratuar pa marrë konfirmimet e nevojshme nga të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore të Qarkut Tiranë mbi aftësinë e tyre për ta përballuar projektin financiarisht dhe pa marrë konfirmimin e MIE në lidhje me tarifën e shitjes së energjisë së prodhuar, elementë mbi të cilët është ndërtuar i gjithë modeli i projektit në studimin e fizibilitetit.
Koncesioni vendos në risk buxhetin e Bashkisë me kontrata të papërballueshme.
Projekti koncesionar/ PPP “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i venddepozitimeve ekzistuese Tiranë” paraqitet i paqëndrueshëm dhe me pasaktësi materiale.
Kostot e investimit të parashikuar për t’u realizuar janë të paraqitura në vlera të ndryshme në pjesë të ndryshme të analizës ekonomike të studimit të fizibilitetit.
Diferencat e paraqitura në investimet e propozuara për mjetet e transportit janë të ndjeshme; në një rast është propozuar shuma 750,000 euro ndërkohë, që në një tjetër rast është paraqitur shuma 3,750,000 euro.
Nga auditimi kostatohet se nuk ka asnjë argumentim në studimin e fizibilitetit në lidhje me kostot e konsulencës, telekomunikacionit dhe të shpenzimeve të tjera administrative
Në studim fizibiliteti është shprehur se për realizimin e projektit kemi të bëjmë me investim tërësisht privat prej rreth 128 milion euro, ndërkohë që sipas mënyrës së përcaktimit të tarifimit rezulton që projekti fillon tarifimin drejt njësive të vetqeverisjes vendore të Qarkut Tiranë, edhe pa nisur fare investimet (për periudhën Prill 2018- Mars 2019 rreth 10 milion euro të paguara nga Bashkia Tiranë sipas të dhënave të raportuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit).
Projekti koncesionar/PPP për inceneratorin e Tiranës është miratuar nga MFE megjithëse në analizën e alternativave ndërmjet koncesionimit apo prokurimit publik janë përfshirë vetëm kostot e investimit dhe jo të gjithë elementët e tjerë që duhet të skontohen sipas kërkesave të KSP (krahasuesi i sektorit publik), të detyrueshme nga kuadri rregullator.
Projekti koncesionar/PPP për inceneratorin e Tiranës është miratuar nga MFE me mbartjen nga sektori publik të risqeve të konsiderueshme me efekt të drejtpërdrejtë në pagesat e kërkuara nga Buxheti i Shtetit, pa kryer një analizë të këtyre efekteve dhe mbi mbështetjen financiare të miratuar./Pamfleti

‘Inceneratori nuk po punon’: Asgjë e re nga ekspedita e deputetëve në Fier
Njësoj si në përrallën “Mbreti lakuriq”, deputetët socialistë dhe ata demokratë të komisionit hetimor panë atë që deshën nga vizita e tyre në inceneratorin e Fierit. Një drejtues teknik pretendoi se paisjet ishin në kolaudim – një justifikim i ngjashëm i dhënë edhe gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në prill 2021.
Sheshi para inceneratorit të Fierit ishte i ndriçuar pasditen e së martës, ndërsa prej godinës së lyer me të gjelbër vjen një zhurmë e fortë mekanike. Por ndryshe nga përshtypja që krijohet fillimisht, drejtuesi teknik i kantierit, Enid Dine pranoi se inceneratori nuk ka nisur ende punën.
“Nuk ka nisur puna për përpunimin e mbetjeve,” tha Dine gjatë vizitës që deputetët demokratë dhe socialistë të komisionit hetimor për inceneratorët bënë pasditen e së martës në zonën e trajtimit të mbetjeve të Fierit.
Dine shtoi se pajisjet janë akoma në fazën e kolaudimit, proces që sipas tij do të përfundonte brenda 35-40 ditëve.
Bazuar në kontratën koncesionare, impianti që ndodhet në fshatin Mbrostar të Fierit ishte parashikuar të mbaronte në tetor 2019. Por pas shtyrjeve të afatit të punimeve, data e fundit zyrtare ishte 31 marsi 2021.
Në një vizitë që kryeministri Edi Rama bëri para zgjedhjeve parlamentare të prillit të kaluar, një prej drejtuesve të kantierit tha se impianti do të fillonte punë plotësisht në fund të atij muaji, sipas videos së publikuar në faqen e Ramës në FB.
“Në fund të muajit prill është parashikuar të vihet në funksion i gjithë impianti në procesin e vet,” thotë personi që shoqëron Ramën në vizitë, duke pretenduar se gjithçka ishte në fazë kolaudimi.
Krahasimi i pamjeve të publikuara nga kryeministri me ato që BIRN pa të martën në brendësi të godinës, lë të kuptohet se asgjë nuk ka lëvizur që prej prillit. Vendi ku duhet të kalonin mbetjet për të shkuar më pas në djegie është i pastër dhe e vetmja që lëviz është një shkallë elektrike që mbahet në punë nga gjeneratori që mbush me zhurmë sallën e zbrazur.
Deputetët u shoqëruan në kantier nga mediat, por nuk kishin me vete asnjë ekspert për t’u shpjeguar se ku çalonte puna. Deputetët bënë disa varavingo brenda godinës dhe debatuan me zë të lartë nëse impianti ishte apo jo i përfunduar.

Punonjësit e pranishëm refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve të deputetëve të PD-së për fatura dhe për situacione. Ndërsa deputetët socialistë kërkuan që të mos bëheshin pyetje fare.
“Jemi këtu vetëm për të parë inceneratorin,” tha zv.kryetarja e komisionit hetimor parlamentar, Ermonela Felaj. Deputeti tjetër i PS, Eduard Shalsi tha se vizita ishte për të provuar se “impianti nuk ishte fantazëm”.
Ngjashëm si në përrallën “Mbreti lakuriq”, të dy palët panë atë që deshën.
“Ndërsa live gënjehej për 180 ton mbetje që “përpunoheshin”, shqiptarët shihnin godina të bojatisura, por pa asnjë funksion,” shkroi në një status kryetarja e komisionit parlamentar, Jorida Tabaku.
Ajo e shoqëroi postimin me foto të dyshemeve të zbrazura dhe mekanizmave pa jetë.
Felaj këmbëngul në anën tjetër se ishin para një “fshati që dukej e nuk do kallauz”.
“Këtu është një objekt që ekziston, ndërkohë që është thënë që nuk ekziston. Është një objekt që vazhdon të realizohet sipas kushteve të kontratës, sepse nuk ka përfunduar,” tha Felaj.
Dine që u prezantua si drejtues teknik u tha deputetëve që në impiant vinin aktualisht 170-180 tonë mbetje urbane nga bashkitë e Lushnjes, Fierit dhe Patosit. “Pritet që në ditët në vijim të vijnë edhe nga Mallakstra,” tha ai. Mbetjet depozitoheshin të gjitha në një landfill pranë inceneratorit.
Ndërtimi i inceneratorit të Fierit është realizuar me anë të një kontrate partneriteti publik privat në favor të kompanisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” dhe u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 28 milionë euro. Aksioneri mazhoritar i koncesionit, Klodian Zoto është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, pasi akuzohet nga SPAK për ‘korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash” në projektin tjetër të inceneratorit të Elbasanit.
“Depozita e mbetjeve është bosh,” tha deputetja e PD-së, Dhurata Çupi. “Kontrata është lidhur në vitin 2016 dhe duhej të përfundonte në 2019. Tani jemi në vitin 2022 dhe objekti nuk funksionon,” shtoi ajo.
Mbetjet e Fierit depozitohen në një landfill pranë godinës së inceneratorit. Foto: Nensi Bogdani.
I pyetur nga BIRN se cilat janë shkaqet që ky impant nuk është vënë ende në punë, Dine tha se ka pasur shkaqe të ndryshme objektive dhe të gjitha shtyrjet e punimeve janë bërë duke marrë miratimin e autoritetit kontraktor.
Dine u tregoi deputetëve dhe një magazinë të madhe, ku një shkallë metalike lëvizëse punonte në boshllëk. Në të nuk kishte asnjë gjurmë mbetjesh, ndërsa Dine e prezantoi si vendin ku niste procesi i përpunimit dhe ku do të bëhej ndarja manuale e mbetjeve.
Të martën para se të niseshin për në Fier, në atë që u duk më shumë si një vizitë turistike, deputetët e komisionit hetimor të opozitës dhe shumicës, prezantuan raportet e tyre mbi ligjshmërinë e procedurave në dhënien e kontratës dhe zbatimin e saj.
Sipas konstatimeve të PD-së, të prezantuara nga deputeti Lefter Gështenja, kontrata koncensionare është dhënë në mënyrë abuzive, ndryshimi i truallit të ndërtimit po ashtu ishte bërë në mënyrë korruptive dhe në mënyrë të paarsyeshme në një tokë private, si dhe nuk ishte zbatuar kontata nga ana e koncensionarit për fillimin e punës.
Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku tha se nga shkresat e konsultuara opozita beson se është konsumuar dhe një skemë korrupsioni me pagesa fiktive të TVSH për 15 kompani të ndryshme, ndërkohë që inceneratori nuk ka qenë funksional.
Në raportin e Partisë Socialiste të prezantuar nga Ermonela Felaj vihej në dukje domodoshmëria e një investimi të tillë në raport me emergjencën mjedisore të zonës. Ajo tha se vonesa e punimeve ishte shkaktuar nga protestat e banorëve të zonës, të cilët ishin nxitur nga Partia Demokratike dhe LSI.Deputetët kanë vendosur që të vizitojnë nga afër dhe inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Tiranës para se të nisin seancat dëgjimore me dëshmitarët./BIRN

Padia e inceneratorëve. Kryemadhi: Një çift në Rubik ka marrë 9 milionë euro nga Klodian Zoto
Një çift në Rubik, ka marrë 9 milionë euro nga inceneratori i Tiranës në pronësi të Klodian Zotos. Ky është denoncimi më i ri i kryetares së LSI, Monika Kryemadhi në lidhje me aferën e inceneratorëve. Teksa e cilësoi aferën e inceneratorëve si një skemë e pastër pastrimi parash dhe vjedhjeje ajo tha se padia nuk ishte kundër Lefter Kokës por kundër skemës së vjedhjes së Edi Ramës. Skema tha Kryemadhi është në të tre inceneratorët të Fierit, Elbasanit dhe sidomos atë të Tiranës.
Nuk është kundër ish-minsitrit Lefter Koka është kundër Edi Ramës, skemës së tij të mashtrimit të parave, vjedhjes së parave dhe të pastrimit të parave. Do ta vazhdoj deri në fund deri sa kjo gjë të zbardhet. Nuk mund të ecim me të njëjtën metodologji siç ecën me Saimir Tahirin. Ju e mabni Në 2017, Saimir Tahiri u kërkua nga krimet e rënda dhe parlamenti shqiptar dhe Edi Rama e mbrojtën dhe nuk e pranuan. Sot që nuk është askushi, sot nuk është as deputet, as politikan, as anëtar i PS, asgjë, e arrestojnë me një dosje të nisur nga krimet e rënda, pra jo nga SPAK-u. Dosja e inceneratorëve, qoftë e Tiranës, Fierit e Elbasanit por e Tiranës një herë. Kanë kaq shumë, për tu future për tu hapur dhe për tu faktuar jo vetëm grabitjen, jo vetëm korrupsionin por dhe rënien e shtetit dhe kthimin e një skemë të pastrimit të parave të gjithë strukturës shtetërore.
Kjo është skema e inceneratorëve që janë 130 milionë euro të paguara për inceneratorët. Një shishe ujë kur e blejmë në local ne paguajmë 20 % e tvsh-së. Një bukë 700 lekëshe, 140 lëkë janë TVSH. Zotëria në fjalë Klodian Zoto ka marrë nga buxheti shtetit 130 milionë euro dhe minimum që duhet të paguante janë 21 milionë euro. Nuk ka paguar asnjë qindarkë. Kjo është një kompani, një çift që jetojnë në Rubik, me shtëpi me qira në Lezhë dhe Klodian Zoto i ka dhënë 9 milionë dollar punë. Këta nuk bëjnë asgjë, a janë lavazhierë, a janë fermerë, nuk ekzistojnë asgjëkundi. Këta kanë marrë 9 milionë dollarë nga inceneratori dhe nuk kanë paguar 20% e tvsh-së. Si puna e kësaj kompanie janë të gjithë kompanitë e tjera.






















