Vangjush Saro/Shqipëria në absurd

531
Sigal

E ndjej të udhës të pohoj që në fillim të këtij shkrimi se këto radhë janë një opinion vetjak dhe se nuk kam dëshirë t’i imponohem askujt; por në të njëjtën kohë, askush nuk na ndalon dot sot, të shprehemi dhe të grishim për debat në çështje që dhembin. Tani më ndjeni për pyetjet e mëposhtme. Por ç’njerëz jemi ne shqiptarët? Komikë? Tragjikë? Me cipë? Pa cipë? Të flashkët? Robër ideologjish? Gjytyrymë?…Që s’rrimë dot pa diktaturë mbi kokë? Çfarë po ndodh me ne, me vendin tonë, me atë palo-shtetin tonë, me historinë dhe kulturën, me gjuhën dhe letërsinë, me ekonominë, ekologjinë dhe trashëgiminë?

Më e keqja po ndodh. Prandaj duhet thënë se jemi në skeç…Po lozim skeç. Në kryeqytet, pritet një “tërmet” tjetër kundër trashëgimisë kulturore dhe atij pak gjelbërimi që ka mbetur. Ekspertët e mjedisit dhe të trashëgimisë thonë se i ashtuquajturi Plan Rregullues i Tiranës parashikon për ndërtim edhe parkun më të madh që ka qyteti brenda tij, ai i ndërtuar tek ish-fusha e Aviacionit, po ashtu lulishten pranë Kullave Binjake, atë pranë ish-Partizanit të panjohur, etj. Gjithashtu, në plan mungon…lartësia e objekteve që do të ndërtohen; kuptohet pse. Gjelbërimin do ta bëkan majë pallateve(!) Këta që s’janë në gjendje të mbjellin një pemë e një lule, por veç beton hedhin mbi tokën e shkretë.

Ky lajm i keq, vjen pasi atij që bënte fjalë për copëtimin me sqepar dhe vjedhjen si suva të veprave të Onufrit, ndërkohë që shteti i gjashtëmujorëve hesht dhe zgërdhihet. Më parë kemi bërë sehir se si e marrin një përmendore dëshmorësh (bie fjala atë të heronjve të Vigut) dhe e shpien në vendderdhjen e plehrave. E nuk ndodh asgjë. Unë e kuptoj ndryshimin në mënyrën se si perceptohen shumë episode të së shkuarës, kam shkruar për qetësim dhe kthjellim, larg urrejtjeve të pamenaxhuara. Por gjithsesi, nuk kemi pse e përdhosim një monument; tek e fundit, mund ta vendosim gjetkë, pasi që të shpjegojmë se një Këshill a Komision i caktuar, që e ka tagrin, ka venduar të mos jetë më në sheshin qendror të qytetit…E pse nuk  e kemi ne kaq etikë? (Nuk dua të bëj paralele me atë çka ndodhi në Preshevë, pikëllimin e konstatuan të gjithë; por edhe për ato monumente që turpërohen në Shqipëri, shumëkujt i dhemb.)

Sot, heshtja dhe përçmimi po shoqërojnë edhe rrënimin e objekteve muzeale e ndërtesave me vlera të rralla; (kujtojmë rrënimin e disa kështjellave, si ajo e Ali Pashë Tepelenës, të cilit këta “të djegurit” për patriotizëm duan t’i sjellin nga Turqia kokën; shikoni sa të prapë, horror dhe anakronikë janë). Tani po vidhiset edhe shtëpia, ku është mbajtur Kongresi i Lushnjës. Sipas mediave, muret janë çarë pothuajse të gjitha. Çatia është gati në të rënë. Në katin e dytë nuk mund të hipin më shumë se 5-6 persona…Vazhdon skeçi, hë? E ndërkaq, qeveria shqiptare i gjen paratë për të shpëtuar pushtetin e korruptuar dhe tashmë larg parimeve e praktikave demokratike të Sali Berishës dhe klanit përqark tij. Me taksat e qytetarëve shqiptarë, paguhen kompani të huaja, të cilat bëjnë shërbime lobimi për autokratin e pandreqshëm në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit. Babiloni!

Dhe nuk mjafton kaq. Në skeç, korentet janë nga më të ndryshmet. Indeksi i korrupsionit i Transparency International, për vitin 2012, tregoi se Shqipëria ishte një prej vendeve me nivelin më të lartë të korrupsionit në Europë. Kurse Global Financial Integrity, një grup avokat i anti-korrupsionit me seli në Vvashington, na tregoi se elita e korruptuar e vendit nxori 1.3 miliardë nga Shqipëria, në periudhën e viteve 2005-2010. Kemi dëgjuar të përgjigjet apo të japë shpjegime dikush për gjithë këto akte të rënda? As që bëhet fjalë; sepse ata që e drejtojnë Shqipërinë na e kanë marrë dorën: Ecë, ecë, thonë ata, se një tufë budallenjsh kemi përpara…

Lajmet aspak të mira ndjekin njëri-tjetrin. “Reporterët pa Kufij”, në raportin e tyre për lirinë e shtypit në botë, e rendisin vendin tonë në vendin e 102-të, 6 pikë më poshtë se një vit më parë. (Por ndjehemi mirë që së paku Kosova renditet e 85-ta, duke u ngritur një pikë. Të shpresojmë, dikush të na shpëtojë emrin dhe nderin…) Dhe dëgjoni, nga programi i Maturës Shtetërore, janë hequr vepra nga Shekspiri, Vvollt Ëitmani dhe Kadareja. O Zot, të mendosh se dikur jemi përpjekur të tallemi me të ashtuquajturin Revolucion Kulturor Kinez…

Por skeçi nuk mbaron as këtu. Shikoni ç’tjetër absurd: Dalin në ekranet televizive dhe ankohen…dhomat e huaja të tregtisë, Dhoma Amerikane dhe Dhoma Gjermane, ndërkohë që dhomat shqiptare rrinë gojëkyçur, nuk e di askush, rrojnë a s’rrojnë, janë në hije e në turp, për shkak se pushteti iu ka vjedhur pavarësinë, kompetencat, i ka shkelur me këmbë; sikundër ka bërë edhe me një sërë institucione të tjera që…do të duhej të jepnin pamjen e një shteti demokratik, të ndërtuar sipas parimeve të demokracisë dhe ekonomisë së tregut(!)

Ja edhe një fakt i fundit dhe po i vë pikë. Siguria dhe punësimi nuk kanë asnjë përmirësim, në mos kanë shkuar drejt degradimit. Kryeministri Berisha dhe kolegët (miqtë, armiqtë, çfarë i ka) opozitarë bashkë me të, duhet të dinë se aq shqiptarë sa janë punësuar në Shqipëri për gjatë 22 viteve të pluralizmit dhe ekonomisë së tregut, po kaq janë punësuar vetëm në Itali(!) Mjafton kjo e vërtetë përvëluese, për të kuptuar se demagogjia e punësimit është më e errëta ndër ato që përdor pushteti i sotëm.

Për ta sheqerosur sadopak gjithë këtë pamje për të qarë e për të qeshur, për ta bërë skeçin edhe më skeç, prodhohet pareshtur propagandë. Kohët e fundit, një e dy, bëhen peticione si të kohës së diktaturës, kur njerëzit detyroheshin të firmosnin për marrëzira që pushtetit i zgjatnin jetën; ishte fjala për ato familje që shteti i konsideronte të afërta me të, që si ta themi “nuk ia prishnin dot Partisë”. Sot po ndodh e njëjta gjë, madje edhe më paturpësisht, sepse (mburremi që) jetojmë në një rend të ashtuquajtur demokratik e ku flitet për ekonomi tregu. Por peticioni për ndotjen e Gjirit të Vlorës nuk u lejua. As për zbrazjen e plehrave të Evropës këtu…në këtë çikë vend, referendum nuk bëhet…Jemi në skeç edhe në një skeç të trashë, ku vetë aktorët qeshin e zgërdhihen, kurse spektatorët ngrenë supet. (Cilët spektatorë? Diaspora shqiptare. SHBA-të. Evropa.)

Po edhe sa kohë do të endemi në absurd?