Rushan Dosti: Vladimir Duraj, arkiva e gjallë e memories së qytetit të Kuçovës

75
Sigal

Që në krye të këtyre radhëve duhet të pranoj se të potretizosh një intelektual, publicist, erudit dhe një qytetar të pashoq, siç është kuçovari 24 karatsh, Vladimir Duraj, është shumë e vështirë. Të skanosh portretin e një njeriu që ka portretizuar me dhjetra e qindra intelektualë, artistë, inxhinierë, ushtarakë, naftëtarë, veteranë qytetarë të thjeshtë të këtij qyteti, është përgjegjësi, por mbi të gjitha nder dhe krenari.

është Sot për sot në qytetin e naftëtarëve, Vladimir Duraj konsiderohet “qershia” mbi tortën e madhe të kulturës kuçovare. Me punën, kontributin dhe sjelljen e tij, ai nuk i përket më vetvetes, por Kuçovës dhe qytetarëve të saj.

NOA

Copëza nga “torta” e jetës së Ladit

U lind më 2 Mars të vitit 1957 në Qytetin “Stalin”, sot Kuçovë. Ai erdhi në jetë nga një familje e thjeshtë me origjinë punëtore. U lind në fillim muajin e parë pranveror e erdhi në jetë me parametra bazikë të shëndetshëm. Në moshën 6 vjeçare, para se të ulej në bankat e shkollës ai vlerësohej për zgjuarësi natyrale, pasi shkruante e lexonte, qartë e bukur si dhe kryente veprime matematikore të shkallës së lartë, të pamundshme për moshën e tij.

Qysh në shkollën 8 vjeçare ka qënë i përzgjedhur në mbrëmjet e fundvitit me nxënësit e dalluar të shkollave të qytetit. E përfundoi arsimin 8 vjeçar me rezultate të larta. As e kishte menduar ndonjëherë që e drejta e studimit për në shkollën e mesme, do të bëhej “mollë sherri” mes tij (me notat më të larta të mundshme) dhe djalit të një funksionari të lartë lokal në rreth. U desh mbledhja e popullit që ndante shapin nga sheqeri. Vendimi i Këshillit të lagjes u quajt i pavlefshëm dhe djaloshi nga Kuçova fitoi të drejtën e studimit në Politeknikumin “7 Nëntori” të Tiranës (dikur dhe sot Shkolla “Harri Fullc”), në degën për riparim Televizori.

Shkollën e mesme e përfundoi me rezultate të larta dhe pas kësaj iu dhe e drejta e studimit për në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Ishte një shkollë jashtë dëshirave dhe pasionit të tij. Bëri përpjekje për të shkuar në Univetsitetin Shtetëror të Tiranës në Degën Elektronike, por gjithçka shkoi dëm. Në kushte të tilla, kur familja e tij kishte shumë nevojë për ndihmën ekonomike të tij, mori vendim në kundërshtim me ndjenjën e tij duke hequr dorë nga arsimi i lartë dhe filloi punë, fillimisht si Kryetar i Zyrës së PTT – së në fshatin Kutalli të Beratit dhe pas tre muajsh vjen me shërbim në Centralin automatik në PTT e Beratit.

Këtu qëndroi vetëm 8 muaj dhe vitin 1977 transferohet në Regjimentin e Aviacionit në Kuçovë ne detyrën e Teknikut të Radiove të Avionit. Më Aviacion krijoi lidhje të forta shpirtërore me pilotët që ai i ka quajtur heronjë të gjallë të hapësirës ajrore. Pas tetë vjetësh del nga postoblloku i Aviacionit dhe emërohet si përgjegjës i njërit prej dyqaneve të televizorëve në Ndërmarrjen e Riparim – Shërbimeve duke mos u ndarë me profesionin e tij. Më pas, pas vitit 1990 deri në vitin 2002 punoi si teknik televizori. Nga viti 2002 deri më 2017 shërbeu si drejtues i Televizionit Kabllor në Kuçovë. Pas daljes në pension u vu në shërbim të familjes së tij duke gëzuar lumturinë e dy mbesave të mrekullueshme, dy yjeve siç i quan gjysh Ladi, Lunën dhe Dean.

Në bllokun e shënimeve të tij gjen emra njerëzish madhështia e të cilëve qëndron tek thjeshtësia e tyre. Ata janë njerëz të fushave të ndryshme si: naftëtarë, aviacionistë, enciklopedistë, shkrimtarë e artistë, jo vetëm nga Kuçova, por nga e gjithë Shqipëria. Jo e vështirë, por e pamundur të inventarizosh e administrosh shkrimet që mbajnë firmën Laduro (kështu njihet në qytetin e tij të lindjes). Ladi prej disa vitesh drejton faqen onlain në fejsbuk “Kuçova Club” si administrator i saj. Që nga viti 2018, Vladimir Duraj mban titullin “Ambasador for Peace” (“Ambadador për Paqen”).

A e meriton Vladimir Duraj titullin “Nderi i qytetit të Kuçovës”?!

Ashtu siç i do, respekton dhe vlerëson Ladi kuçovarët, po kështu kuçovarët janë koshientë t’ia shpërblejnë nderin me nder.

Prej disa muajsh në sirtarët e burokracisë vendore fle një propozim i firmosur nga intelektualët më në zë të Kuçovës, qytetarë të thjeshtë e dashamirës të këtij qyteti. Kaq thonë e shkruajnë ata njerëz që nderin e vlerësojnë me nder, por siç duken bathët ky propozim ka “thartuar” disi përfaqësuesit e pushtetit vendor, ndoshta pse Ladi s’ua ka kursyer asnjëherë kritikat dhe nuk është investuar kurrë për politikë e karrike. Nëse gjykojmë, e meriton apo jo Vladimir Duraj, titullin “Qytetar Nderi i Kuçovës”, përgjigjen e gjen tek komuniteti kuçovar, sipas të cilit Ladi si gazetar ka bërë të njohur dhe ka ngritur në piediestal, njerëzit e mirë, të thjeshtë dhe ka lartësuar e përjetësuar heronjtë e vërtetë të Kuçovës. Janë aq shumë shkrime saqë e ke të vështirë të besosh. Por Ladi i do me shpirt e zemër Kuçovën dhe kuçovarët ndaj nuk rresht së kërkuari ekstratin e vlerave të tyre, ashtu siç me gjuhë të mprehtë dhe llogjike kritikon dhe godet rreptë problematikën negative të një shoqërie përherë në zhvillim. Nëpërmjet kontributit të tij, Kuçova është bërë më e njohur dhe më e dashur në të gjithë vendin.

Ndër propozuesit kryesorë për dhënien e këtij titulli lexojmë emrin e intelektualit Vlash Fili, anëtar i grupit që themeloi Shoqatën “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia të SHBA; Sekretar Nderi i Shoqatës në fjalë, “Njeriu i Vitit 2000″në Kuçovë, “Nderi i qytetit të Kuçovës”. Gjejmë firmat e gazetarit Llazar Vero anëtar i Kryesisë së Shoqatës “Bijtë e Shqipes” që nga krijimi i saj, Daut Nonaj, ish – inxhinier dhe Zv/ Drejtor në Ndërmarrjen e Shpim Kërkimit në Kuçovë etj, të cilët besojmë se me mbështetjen e komunitetit, do ta detyrojnë burokracinë të nxjerrë propozimin nga sirtari dhe sa më shpejt të jetë e mundur të kurorëzoj njeriun e rrallë të Kuçovës me titullin që ai e ka merituar prej vitesh: “Qytetar Nderi i Kuçovës”.

Ja si e portretizojnë Vladimir Durajn emra të njohur të inteligjencës kuçovare

Inxhinier Kastriot Fetahu: “Nëpërmjet mendjes së tij i ka dhënë zë qytetit tonë, ka përcjellë tek banorët e qytetit pozitivitetin konstant të një kohe të vështirë….”

Olimbi Tafa, mësuese pensioniste: “Ai është një zë i fuqishëm për Kuçovën dhe gjithë kuçovarët, model i vlerave shoqërore, krenaria e Kuçovës, mik i njerëzve të mirë…”

Sajmira Pino: “Ladi shkruan jo vetëm për ata që e ndërtuan Kuçovën, por edhe për ata që e zhvilluan në fusha të ndryshme të arsimit, kulturës, industrisë, ushtarake….”

Agim Lika, gazetar – përkthyes: “Ladi është kronikani i Kuçovës, arkiva e memories së këtij qyteti, qytetar i rrallëshoq mes qytetarësh….”

Majli Majli:”Vladimir Duraj është një album me kujtimet më të bukura….”

Inxh. Agron Çuadari: “U kam lënë porosi fëmijëve, që kur të vdes, të më lexojnë mbi varr një shkrim të Ladit!”

Notën dhjetë Ladi e ka marrë nga Prof. Hetem Ruka teksa ka vlerësuar një shkrim të tij: “Shkrim fantastik ku nuk ka asnjë shkronjë të tepërt!

E pra ky është Vladimir Duraj, njeriu që ngriti në piedestal emrin e Kuçovës duke pasqyruar me shumë dashuri e respekt punën dhe jetën e njerëzve të mirë të Kuçovës, si brenda dhe jashtë saj. Jemi me fat që kemi një mik si Ladi!