Rrezikojmë historinë e identitetit shqiptar me marrëveshjen shpikje shqiptare, Butrinti po jepet te një fondacion privat

404
Sigal

Dr. Ina Zhupa

 

Butrinti me këtë fondacion të krijuar, i heq mundësinë që Kontrolli i Lartë i Shtetit të shikojë se çbëhet me paratë atje, si çdo privat nuk auditohet nga KLSH. Fondacioni do ta marrë Butrintin për 10 vjet, sepse ne do japim 5 milionë dollarë, ky është justifikimi ndërkohë  Butrinti gjeneron 60 mln. USD

 Për nga toni dhe përmbajtja sapo dëgjova një përrallë nga ministria e Kulturës, e cila fatkeqësisht nuk ka lidhje fare me realitetin dhe me atë që po përgatitet të ndodhi sot me një votim të kësaj mazhorance, dhënien me koncension për 10 vjet një fondacioni privat. Sot, m’u kujtua që në maj të vitit 2021, ka qenë një nga vizitat e mia në Butrint, por ishte ndryshe nga të tjerat, sepse po çoja për herë të parë djalin tim 2 vjeç në atë kohë dhe për të parë Butrintin. Se kisha menduar dot që një vit më vonë do të isha në sallën e parlamentit për ta mbrojtur Butrintin nga një koncension, nga një model i cili nuk ekziston në asnjë vend të botës. Sot, ministrja ndryshe nga çfarë tha në çdo komision e kishte hequr nga përralla e vetë “krahasimin me modelet e botës”, sepse në fakt nuk ka asnjë model. Na thanë që është si “Versaja” dhe normalisht hyra dhe e pashë “Versajën” dhe me dekret të vitit 2010 me nr. 1367, Versaja është një fondacion publik, i cili po, ka privat Brenda. Por e ka në raport nga 18 anëtarë të bordit, 4 janë privat pra s`ka asnjë dallim me Shqipërinë. Na tha është parku arkeologjik i Pompeit. Sigurisht hyra dhe e pashë edhe Pompei-n për të kuptuar nëse paska një model diku dhe parku arkeologjik i Pompei-t është institut brenda Ministrisë së Kulturës por që ka autonomi speciale. Asgjë e përbashkët me ligjin tonë për t`ia dhënë një privati dhe Pompei ka 4 institucione që e drejtojnë. Na thanë është i njëjtë me muzeun egjiptian të Torinos: të paktën shëmbujt që ka sjellë Ministrja dhe ftoj të na gjejë ndonjë shembull tjetër. Ky është “Torino” dhe ka 4 përfaqësues shtetëror dhe 2 përfaqësues privat. Na thanë është i njejtë me “Stone Age” British Museum. U futa e pashe edhe atë! Atje është një bord besimi, që mund të japë dhe donacione, asnjë model nuk ka të paktën nga këto që përmendëm. Pashë modelet amerikane! Thashë: Meqë thonë që e kemi me Amerikën ndoshta është ndonjë model amerikan. Jo vetëm që nuk ka, por në një letër drejtuar kryetares së Kuvendit, ish-kongresmeni Diguardi shkruan: “Ju e keni në dijeni që parqet tona shumë të vlerësuara në Amerikë menaxhohen eksluzivisht dhe vetëm nga shërbimi kombëtar i parqeve: një agjenci brenda Departamentit të qeverisë Amerikane”.

 

Në menaxhimin e tyre nuk përfshihen as fondacione private, as partneritete publike private, as koncensione dhe as ndonjë model hibrid siç e kemi në Shqipëri. Ku e gjetën këtë model? Ku është ky model? Asgjëkundi nuk është ky model, sepse nuk ka shtet të papërgjegjshëm që ja kalon pasurinë kulturore, trashëgiminë kulturore një privati. Në Shqipëri ka një fondacion të krijuar ku vetëm Ministrja, është me funksion publik (si Ministre) por dhe ajo aty është me emër dhe 4 persona të tjerë të bordit janë individ privat pa asnjë funksion shtetëror dhe thotë: “që një nga këta 4 anëtarët e kam zgjedhur unë”, por nuk ka funksion shtetëror! Statuti i Torinos thotë: jo si person, por në funksionin e tyre. Të gjithë nëpër statutet përkatëse të tyre janë me emra dhe funksionet e tyre; Presidenti i kësaj…, kryetari i bashkisë,… tjetri, tjetri pra në funksionet e tyre dhe jo si emra. Në Shqipëri janë 4 individë privat bashkë me ministren, që është si emër. Po ja marr si të mirëqenë që është si ministre. E padëgjuar në asnjë vend të botës. Nëqoftëse Ju kolegë më gjeni në një vend të botës kështu siç po e bëjnë këta Butrintin me koncension, votojeni. Në asnjë vend nuk e gjeni: është shpikje shqiptare për të dhënë Butrintin me koncension. Thoni që nuk po e shesim, po kush i ka këto para për të blerë Butrintin? Kush, kush mendoni Ju, që mund të shisni Butrintin? Ndërkohë në të gjitha fondacionet ku janë edhe publike edhe private, gjithmonë ka një përfaqësues të pushtetit lokal, gjithmonë ka kryetarin e bashkisë të atij vendi ku ndodhet si vend arkeologjik, ku ndodhet muzeu, ku ndodhet pasuria kulturore. Në Shqipëri e kanë hequr kryetarin e bashkisë, pushtetin lokal pra:ata që duhet të jenë përgjegjës për territorin e tyre, por dhe për komunitetet.
Mjafton një anonim që ka zgjedhur ministrja që të jetë aty ose kushdo qoftë ose një studiues anglez që thotë që “Butrinti është koloni greke”? Ndërkohë që Butrinti me këtë fondacion të krijuar model vetëm shqiptar, i hiqet mundësia që Kontrolli i Lartë i Shtetit të shikojë se çbëhet me paratë atje, sepse fondacioni është privat dhe me të drejtë si çdo privat nuk auditohet nga KLSH dhe në statutin e këtij fondacioni, pika 26.5 thotë që: “KLSH-ja nuk ka objekt auditimi paratë që mblidhen në Butrint”. Sepse është privat dhe janë në të drejtën e tyre përderisa këta po jua dorëzojnë është normale që mos t`i japin llogari KLSH. Fondacioni që do zbatojë menaxhimin thotë që do ta marrë Butrintin për 10 vjet, sepse ne do japim 5 milionë dollarë, ky është justifikimi se pse Butrintin duhet të ja japim një privati sepse do na japë 5 milionë dollarë.
Së pari, ai Butrinti gjeneron 60 milion dollarë. Së dyti është e padëgjuar ndonjëherë se si edhe fondacioni për Butrintin në 1993 i themeluar nga lordi Rothchild operoj në vitet më të vështira në Shqipëri, dha kontributin financiar, por s`kërkoi ndonjëherë që ta merrte Butrintin. Fondacioni Amerikan tjetër për pasuritë nënujore ka dhënë 4 milionë euro për këto kërkime, por nuk ka kërkuar kurrë që të marrin territorin nënujor në administrim. Pra nuk është arsye e mjaftueshme që Ju për 5 milionë dollarë të jepni me koncension Butrintin që gjeneron 50 milionë dollarë në një system, që nuk ekziston askund në botë. Ndërkohë thatë disa të pavërteta; Ju jeni anëtare e bordit, jeni nominalisht dhe të gjithë mund ta shikojnë atje, të gjithë mund ta shikojnë planin e biznesit, sepse Butrinti është mall tregtarë, dhe e keni bërë si biznes. Ka një plan biznesi, shqyrtohet nga Komisioni Ekonomisë ku sipas meje do vijë këtu kryetari i Komisionit të Ekonomisë. Nuk shqyrtohet tek kultura, sepse qëllimi ka qenë trajtimi i tij si biznes, trajtimi i tij si fitim, trajtimi i tij si mall për t`ia dhënë një privati, i cili ka votuar ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore” në vitin 2018 që i hap rrugë: i cili ka bërë planin e menaxhimit 2020-2030, i cili po ashtu ka krijuar fondacionin për ta marrë vetë Butrintin, i cili ka caktuar bordin, i cili vendos gërmimet pra i ciliiI bën të gjitha. Dhe ne jemi në minorancë thotë ai! Vetëm ministrja 2 vjet do jetë kryetare e bordit dhe pastaj nuk i dihet kush do jetë, sepse këtë do ta zgjedhi vetë bordi. Nga ana tjetër Ju e dini shumë mirë që me këtë ne rrezikojmë historinë e identitetit shqiptar. Ky është plani i menaxhimit. Por nëqoftëse ju e ndryshoni planin e menaxhimit nuk ka problem, sepse publikimet e Richard Hodges janë publike dhe nuk ndryshojnë: “Butrinti ka qenë vendi i një kolonie greke”, sepse Butrinti nuk është thjesht një vend site arkeologjik për t’u vizituar, por është historia jonë, është identiteti jonë dhe historia e identiteti jonë të nderuar kolegë nuk mund të jepen me koncension. Nuk jepet historia dhe identiteti tek një privat që ta shkruajë ai si të dojë. Në marrëdhënjet ndërkombëtare nuk ka miq dhe armiq të përjetshëm, ka interesa dhe Ju duhet të mbroni interesat e popullit shqiptar, duhet të mbroni interest e shqiptarëve, sepse prandaj jeni zgjedhur dhe prandaj jeni në këto karrige.