Rrëfimet e Idris Shehit: Urdhëri sekret që më dha Kadri Hazbiu e Ramiz Alia dhe përplasja e Sofokli Lazërit me polakët për agjentin kinez. Si Cari futi në sherr Enverin me Mehmetin dhe dritëhijet e zbuluesit në Rusi

216
Sigal

Urdhri sekret që më dha Kadri Hazbiu e Ramiz Alia

 Sofokli Lazëri përplaset me polakët për një agjent kinez

 

Leonard VEIZI

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Diplomat dhe oficer zbulimi, kjo ka qenë detyra e tij në të paktën dy shtete, në Rusi dhe Rumani. Por thotë se, nëse në Moskë, puna ishte e kufizuar, në kushtet e prishjes së marrëdhënieve, në Rumani ajo ishte shumë më e hapur, ku mundësia për pasur informacion të dorës së parë ishte më e madhe. Duke kujtuar vitet e tij të punës si Sekretar i parë në ambasadën Shqiptare në Bukuresht, Idriz Shehi, rrëfen për gazetën “Telegraf”:

Çdo të thotë të punosh në Kundërzbulim apo organet e shërbimeve sekrete?

Dua të them se nuk është e lehtë të punosh në shërbimet inteligjente, por nuk është as gabim dhe as turp. Si çdo shtet edhe shteti shqiptar pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashist, krijoi Organet e Sigurimit të cilat do të punonin me një përkushtim dhe besnikëri të lartë, për plotësimin e misionit të tyre të shenjtë. Organet e Sigurimit të Shtetit megjithëse pa përvojën e nevojshme, sidomos në luftë kundër zbulimeve të huaja kanë realizuar kombinacione të shumta e të suksesshme. Për këtë, mund të sjellim në kujtesë, fakte dhe episode të shumta.

Për shembull?

Për shembull, në dhomën e hotel Dajtit e kishte rezidencën gjenerali anglez Hodson. Dokumentet sekrete i ruante në kasafortë. Për këtë u dhanë variante të ndryshme. Gjithçka u krye me kujdes, pa lënë asnjë gjurmë dyshimi. Materialet u fotografuan. Lista e bashkëpunëtorëve anglezë dhe detyrat e tyre të detajuara nuk ishin më sekret. Ato i kishte dhe sigurimi i shtetit Shqiptar. Të mos harrojmë se ky aksion i përket fillimeve. Por, mund të tregoj edhe një ngjarje e cila ka një specifikë, sepse ajo ka të bëjë kryesisht me një personazh, por në shtrihet në dy periudha të ndryshme kohore.

Dhe cili është ky personazh?

Kazhimir Mihali. Aty nga viti 1974, kur kryeja detyrën e kryetarit të Degës Speciale në Ministrinë e Brendshme, më thirri në një takim të shkurtër ministri Kadri Hazbiu. Pasi më takoi, pa e zgjatur shumë ai më tha: “Në vendin tonë qëndron prej disa kohësh Sekretari i Parë i Partisë Marksist-Leniniste të Polonisë, Kazhimir Mihali. Ai kërkohet nga qeveria polake jo vetëm se ka dalë hapur kundër revizionizmit hrushovian, por se ka krijuar edhe partinë komuniste të Polonisë në ilegalitet. Për t’u takuar me të ka kërkuar që të vijë nga Polonia një ndër udhëheqësit kryesor të kësaj partie, por që është edhe punonjës në Ministrinë e Brendshme polake. Në vendin tonë ai do të vijë ilegal duke qenë më pushime në Francë. Pritet të vijë këto dy ditë. Ju do të ndërhyni tek autoritetet e kufirit, që në pasaportën e tij të mos bëhet asnjë shënim për hyrjen në vendin tonë. Kjo është kërkesë e padiskutueshme. Takimi mes këtyre dy krerëve të Partisë M-L të Polonisë, do të bëhet tetë a tetë në vilën e Durrësit”. Ne i morët të gjitha masat dhe një pasdite, në vendin e caktuar, u realizua takimi mes dy krerëve të partisë Komuniste polake në ilegalitet, të cilin e survejuam edhe me idenë se mos ndoshta ishte një agjent sekret me detyrën për të eliminuar Kazhimir Mihalin.

Si do të vazhdonte kjo ngjarje?

Kjo ngjarje do ta kishte fundit 8-vite më pas. Në fillim të vitit 1981 kur vazhdoja të kryeja detyrën e Sekretarit të Parë të Ambasadës në Bukuresht, në përfaqësinë tonë erdhi shoku Sofolkli Lazri, punonjës me funksionet të larta në KQ të PPSH-së. Ai kërkoi takim me mua dhe më tha: “Kemi ardhur këtu me porosi të drejtpërdrejtë nga Ramiz Alia. Do të organizojmë një takim me përfaqësues të partisë komuniste polake, të cilët kërkojnë të dinë arsyet se përse partia e shteti ynë ka vendosur për të larguar Kazhimir Mihalin nga Shqipëria. Në përbërjen e grupit do të jeni dhe ju, meqenëse e njihni çështjen”.

Pra, komunisti polak vazhdonte të qëndronte në Shqipëri?

Të them të drejtën edhe unë u habita se pse Kazhimir Mihali kishte qëndruar kaq gjatë në Shqipëri. Mbas tri ditësh në përfaqësinë tonë u paraqitën tre përfaqësues të Partisë Marksiste-Leniniste të Polonisë. Unë i prita ata dhe i dhashë adresën e vendit dhe orën ku do të bëhej takimi i kërkuar prej tyre. Polakët kërkonin të dinin arsyet se përse KQ i PPSH-së po largonte Kazhimirin nga Shqipëria. Sofokli Lazëri me zgjuarsi i sqaroi shokët polak, të cilët pas dy seanca bisedimesh u bindën, për lëkundjet që ishin vërejtur tek kryetari i partisë së tyre. Por, nga pala jonë nuk iu tha gjë për dyshimet se ai punonte për Partinë Komuniste të Kinës. Të mos harrojmë ne në vitin ’81 marrëdhëniet Shqipëri-Kinë ishin të ngrira. Kështu u mbyllën këto bisedime të vështira. Më pas nga Sofokli Lazëri m’u la për detyrë që kur Kazhamir Mihali të largohej nga Tirana, do të më njoftonin për të bërë një verifikim tjetër, nëse ai nëpërmjet aeroportit të Bukureshtit do të kalonte për në Kinë, apo do të merrte drejtim tjetër. Përmes një pune të kujdesshme mora informacionin e sigurt se Kazhamir Miahli mori avionin që të çonte në Pekin. Siç dukej dhelpra po shkonte në strofullën e vet.

Arti i diplomacisë      

Këshilla e Bahar Shtyllës

“Për mendimin tim, profesioni i diplomatit është tepër i veçantë, i vështirë, delikat por dhe i bukur, që kërkon nivel komunikimi dhe aftësi zhbiruese, qoftë dhe vogëlsira. Diplomati, na thoshte dikur Behar Shtylla, një nga diplomatët më të shquar të vendi tonë, në radhë të parë duhet të jetë një njeri i ndershëm me shtetin dhe politikën e tij kombëtare, por që për të mbrojtur këto interesa profesioni i tij, në një kuptim, në disa raste mund të “pajtohet” edhe me gënjeshtrën apo mashtrimin diplomatik. Kur një diplomat thotë “po”, -thoshte ai, nënkupton “ndoshta”, kur thotë “ndoshta” nënkupton “jo” dhe kur thotë “jo” ai nuk është më diplomat”.

 

Materiali

Cari që futi në sherr Enverin me Mehmet Shehun

Një herë pata një takim me këshilltarin e ambasadës italiane zotin Skarpa. Tematika ishte rreth mbledhjes së Këshillit Konsultativ të Traktarttit të Varshavës, i cili përbëhej nga ministrat e jashtëm dhe që ishte zhvilluan në Bukuresht. Të dhënat që më dha ishin shumë përgjithësuese. Mbas ballafaqimit që u bëmë të dhënave një ditë Skarpa më fton në përfaqësinë e tij. Biseda jonë shpejt u përqendrua tek Bashkimi Sovjetik dhe forcat e tij ushtarake. Unë kisha mjaft të dhëna për ushtrinë sovjetike. Më kujtohet që kur po flisnim për këtë temë këshilltari italian më tha: “A dëshiron të njihesh me një dokument të Carit të Parë, të cilën ai e ka lënë si testament për pasardhësit e tij. Ai përmban 14 pika…” Ndër të tjera në testament thuhej: “Unë Cari, Rusinë e gjeta si një përrua dhe e bëra lumë, ndërsa tani ua lë pasardhësve të mi ta bëjnë si një oqean. Të nxisim martesën e princërve rus me princeshat gjermane, dhe anasjelltas dhe të shfrytëzojmë këtë miqësi për të forcuar lidhjet tona. Të nxisim grindje midis vendeve të ndryshme që janë në kufij me ne dhe pastaj të ndërhyjmë për t’i ndihmuar e t’i pajtuar, duke dërguar ushtrinë tonë në to. Pastaj t’i lemë forcat ushtarake atje dhe pas pajtimit të tyre…” Testamentin që mora nga Skrapa e dërgova në ministrinë e Punëve të Jashtme. Disa kohë më vonë për këtë material pati dy vlerësime të ndryshme: Mehmet Shehu, kryeministër: “Pse me këto vjetërsira merret zbulimi ynë”. Enver Hoxha: “E dhënë e saktë, që vërteton plotësisht politikën e vjetër dhe imperializmit rus për të sunduar botën dhe që po e zbatojnë sot pasardhësit e Pjetrit të Parë”

Shënimet

Triptiku: “Dritëhijet e një zbuluesi”

Idris Shehi thotë se, shënimet që ai ka mbajtur kur ka qenë në Moskë e më pas në Bukuresht janë shkruar këtu e 25- vite më parë, por për shumë kohë ai i ka braktisur ato në një cep të bibliotekës së tij. Por një ditë, kur vitet kishin kaluar, papritur ai u bë nostalgjik duke ndjerë keqardhje për to. Thotë gjithashtu se, gërmoi në bibliotekë, i gjeti dhe filloi t’i lexonte. Kaq është dashur që ai të shkojë edhe një herë vite pas, atëherë, kur nga shteti ju ngarkuan misione të rëndësishme. Por jo vetëm kaq. Nostalgjia për të kaluarën dhe vendet ku ai kishte shërbyer si oficer zbulues nën petkun e një diplomati, i ka kaluar para sysh, për ta rikthyer edhe një herë në ato vite. Nuk është dashur shumë, që ai të merrte vendimin për të botuar të gjitha kujtimet e tij në një triptik të titulluar: “Dritëhijet e një zbuluesi”, libër i cili ka dalë në treg vetëm dy ditë më parë.