Rasti i Reganit dhe një paralele me agjentët shqiptarë

621
Sigal

Presidenti Regan ka qenë në Hollivud informator i FBI-së dhe dokumentet tregojnë se ka spiunuar 54 aktorë

Vjen një ditë dhe e fshehta sekrete e jetës, si bashkëpunëtor i fshehtë, (nëse ke qenë apo përpiqen të të bëjnë që të jesh, del në dritë dhe si era e gazit squfurik përhapet mbi emrin tënd dhe të pasardhësve. Natyrisht, edhe pse mund t’i shërbesh një kauze që edhe mund të të nderojë, por dhe një kauze poshtëruese, të cilën vitet pasardhëse do ta nxjerrin si “karrierë” të dështuar apo më keq, të poshtëruar. Këto ditë shtypi amerikan dhe ai europian ka nxjerrë në dritë fakte tronditëse që nuk i janë thënë në kohën e duhur popullit demokratik amerikan. Presidenti i tyre, i mirënjohuri Ronald Regan, rezulton agjent i fshehtë i FBI-së, para se të bëhej president dhe Shërbimi Sekret e ka ndihmuar atë të ngjitej lartë. Është një histori e trishtë amerikane që ka “plasur” dhe, ka mbërritur edhe në Europë duke u publikuar në “La Stampa”, (25 gusht 2012, fq.17). E thonë rreth 300 mijë dokumentet e hapura të deklasifikuara, në përgjigje të pesë pyetjeve të formuluara nga “Freedom of Information Act” dhe që kanë gjetur hapësirë publicitare në faqet e “Subversives”, libër i gazetarit hetues të “San Francisco Examiner” Seth Rosenfeld. Është ky autor që ka parë dokumentet e deklasifikuara dhe ka treguar se Regan në vitet ’60, spiunonte kryesisht aktorët dhe studentët, në luftën sekrete të FBI-së kundër lëvizjes studentore të “Berkeley”. Drejtuesi i atëhershëm i FBI-së, Edgard Hover, trembej se mbas betejës për “liri shprehje”, qëndronte ndonjë “komplot komunist,” që infiltronte tek studentët për të shpërthyer rebelimi në Amerikë. Hover jo vetëm u kërkonte agjentëve të zbulonin komunistët, por dhe të bënin “truke të pista” dhe filloi një fushatë shpifëse kundër liderit të lëvizjes Mario Savio, me gazetarë fals, me gënjeshtra dhe mërmëritje diskreditimi dhe “lufta e papastër”, arriti të mbështesë e fitoi si guvernator i Kalifornisë, agjenti Ronald Regan, i cili do bëhej dhe President me ndihmën e FBI. Shtypi shkruan se, “që ditën që vuri këmbët në Hollivud, Ronald Regan zhvilloi më tej lidhjen me FBI-në, duke u bërë një informator i paguar. 54 aktorë rezultojnë të spiunuar, shkruan Rosenfeld,” si njerëz me bindje subersive komuniste”. Episodi më i rëndë është krijuar nga drejtuesi i FBI-së, Hover më 1965, kur bllokon hetimin ndaj Regan, për lidhjet e të birit, Michael me djalin e bosit mafioz Josep “Joe Banans” Bonanno. Regan vazhdoi bashkëpunimin si agjent gjer në vitin 1980 kur e ndihmuan të bëhej edhe president i Amerikës. Si është sot në Rusi, Putin. Si ishte dje, Tito ku vet KGB, në një libër të saj me këtë titull shkruan se “Tito ishte spiun i Anglezëve, “ndaj dhe Theçer shkoi në varrim të tij. Dhe më tej, kur pohohet po në këtë libër se dhe drejtuesi shqiptar, Koçi Xoxe, ka qenë agjent i UDB-së. Është i tillë në libër, pa thënë si e ndihmoi agjentura jugosllave, sepse të tjerat, i thonë edhe vet komunistet shqiptarë në dokumentet dhe fjalët e tyre,edhe pse mund të merren me pak rezervë. Shkojmë më tej: Deputeti i mirënjohur për kurajon e tij, Spartak Braho si dhe Drejtuesi i AKZ, Kreshnik Spahiu, kanë akuzuar edhe drejtues aktualë të shtetit shqiptar se janë në shërbim të të huajve. Asnjë dokument nuk hapet dhe nuk ka afate, me sa dimë, për hapje dhe “deklasifikim” dokumentesh, madje as përgjegjësi institucionale, nga  taksapaguesit shqiptarë, që paguajnë shërbimin dhe ju del ish agjenti kandidat i shpallur për President që projektohet dhe eliminohet shumë turpësisht, jo vetëm për personin, por për Shtetin që përflitet se ka agjentë të të huajve në kupolë të tij… Dhe të gjitha këto, kur dihet se dhe historikisht që nga Esad Pasha, Ahmet Zogu, (e deklaron me përbuzje këtë dhe Musolini), dil tek agjenti Koçi Xoxe, kanë punuar kundër Shqipërisë, në favor të të huajve, fqinjëve, kryesisht dhe me synim mosshkëputjen e shqiptarëve jashtë territorit, nga sundimi i të huajve. Nëse gjendet normale tek fqinjët, nuk ka përse të jetë mes nesh. Dhe nuk është thjesht për kundërpeshë në favor të opozitës, sepse është vet Millosheviç, përpara deputetit Braho që ka pranuar se,”financon 6 milionë dollarë në vit njerëzit e tij në Tiranë e Shkodër”, dhe së fundi edhe shtypi që deklaron tronditësen se, “në Ballkan UDB kishte dymijë agjent të paguar”, natyrisht me shifër të lartë në Shqipëri, Kosovë e mes shqiptarëve në Maqedoni e Mal të Zi. Amerika e bëri “zbardhjen”për ish presidentin e saj Ronald Regan. Dhe ishte agjent i fshehtë i shtetit në mes të studentëve dhe aktorëve të Hollivudit. Nëse, atëherë, dikush do e kish publikuar dokumentin e sotëm, ai nuk do të zgjidhej president dhe pse kish punuar fshehtas për shtetin.

Kjo historia e Reganit agjent na solli ndërmend kur Berisha riktheu në krye të SHISH, një njeri më një të kaluar të dyshimtë, emri i të cilit lidhet me ca kujtime të hidhura për shqiptarët. Emërimi i zotit Visha u bë nxitimthi dhe plot hije dyshimi. Por, mbi të gjitha, sepse emri i drejtuesit të ri mban mbi vete shëmtinë më skandaloze shqiptare të vitit të zi 1997. Këtu nuk është vendi për rikthim historie,që ka detyrë drejtësia ta ridimensionojë (në Itali është rihapur vrasja e gjykatësit Falkone dhe eskortës së tij sepse ka fakte që me mafien kanë bashkëpunuar segmente të vet shtetit…) Pra, do mjaftonte çështja Vlora (po e quaj unë), që ky segment SHIK-u atëherë, (thonë nënkryetar) të mos ripropozohej e ngjitej më lartë: të paktën përderisa drejtësia nuk ka zbardhur çështjen e provokimit, irritimit dhe ndëshkimit nga qytetarët vlonjatë të punonjësve të SHIK që edhe mjerisht u vranë. Shtypi shqiptar, për emërimin Visha ka lëshuar anatema momentale dhe nuk është ndalur aspak tek përgjegjësia e këtij personi që jo rastësisht sërish irriton opozitën, qytetarët vlonjatë që e shohin të frikshëm, dhe detyroi ambasadorin amerikan, të paktën institucionalisht, t’i kujtojë “të mos veprojë si atëherë!” Dhe, për përgjegjësi institucionale, ky “dajak”i hidhur nuk është pak, gjë që qytetarët vlonjatë i zbut nga përgjegjësia mbi vrasjet e ish- punonjësve të SHIK,të cilët kurrsesi nuk kanë vepruar ndaj studentëve vlonjatë pa urdhër sipëror. Të paktën kështu besohet nga vet hierarkia e sistemit të komandimeve ushtarake apo agjenturore. Në një shtet solid demokratik që është transparent dhe i përgjegjshëm ndaj qytetarëve që janë dhe taksapagues të tij; dorëheqja ose shkarkimi i drejtuesit të SHISH, pra e Vishës; me falje qytetarëve, do të ishte mundësi absolute e korrektimit demokratik, pasi në Shqipëri nuk mund të besohet të ketë shteruar mundësia e gjetjes së një njeriu plotësisht i pakomplikuar me ’97, e përgjakur, jugun e revoltuar që shpartalloi ushtrinë që shkoi për ta shtypur gjer me tanke (Arben Imami, sot ministër i Mbrojtjes së Berishës, u pa mbi tanke tek nisej drejt Tiranës, të rrëzonte Berishën) e avionë që përfunduan “dezertorë”, në Itali. Mbaj mend si në Berat, atëherë, nga Përmeti mbërritën ushtarë të shpartalluar, pa xhaketa, rripa, çanta e armë dhe qytetarët i morën në mbrojtje, me qortimin e duhur: “Kë donit të shtypnit? Dikush u tha që ju paralajmëruam, kur ju zumë rrugën e Përmetit, në lagjen “Goricë”, me zhavor lumi… Dhe, pasi u ndërruan rrobat, u dhanë të hanë dhe i nisën duke u prerë dhe biletat me autobusët e linjave dhe furgonët, për Tiranë… Kjo situatë kriminale e shtetit, atëherë, ku SHIK kishte, me siguri, detyrë shtypëse si ushtria, nuk është mbajtur parasysh në emërimin e ri të Vishës, as të tjera shtetësi që flitet se ka marrë. Dhe nëse Berisha e propozoi, për arsyet që është projektuesi dhe zbatuesi i njohur i ’97, presidenti i sapozgjedhur por dhe pa konsensus, nuk kish përse ta miratonte. Dhe nëse do bënte këtë, në popull dhe media do mbështetej, madje dhe opozitës institucionale, do i krijohej rasti se këtu veproi si president i të gjithëve, dhe nuk la të kalojë një i implikuar institucional i ’97; pra të vepronte si president plot shëndet! Kjo nuk ndodhi dhe, realisht, të paktën institucioni i SHISH, është rikthyer potencialisht në ’97, me siguri për të fshirë gjurmë antikushtetuese të Berishës së atëhershëm dhe këtij të sotmit të akuzuar; ose për të marrë hak! Një gjë e tillë nuk ndodhi dhe kjo tregon se edhe mësimet amerikane, kur ka sfond tjetër situata, nuk i adoptojmë, nuk i korrigjojmë; duke vazhduar kokëfortësinë e të qenit Zot. Zot i të gjithë shqiptarëve, kur edhe pa konsensus, marrim poste shqiptarësh!…

Për “Telegraf” nga Italia