Prof. Dr. Xhevdet Zekaj & Memo Çelaj: Profesor Lluka Nikollori – 90 vite jetë plot vlera dhe mirësi

Prof. Dr. Xhevdet Zekaj
Memo Çelaj

Vite më parë, kur punoja si mësues në Fierzë, isha pa asnjë suport dhe kërkoja në Ministrinë e Arsimit transferimin për Vlorë. Ishte një mision që dukej i pamundur, derisa një ditë të rastësishme u takova me Zotin Lluka Nikollori. Diskutuam për hallin tim dhe ai më premtoi se do të përpiqej të më ndihmonte. “Herën tjetër kur të vish në Tiranë, më tako mua,” – më tha. Dhe ashtu ndodhi.

Ai u bë për mua një mik, një mbështetje, një “kishë” apo “xhami” ku mund të falja shqetësimet e mia. Më 24 janar 2025, profesor Lluka Nikollori mbush 90 vjeç – një përvjetor që feston një jetë të mbushur me vlera, përkushtim dhe mirësi. Një jetë në shërbim të arsimit dhe njerëzve Lluka Nikollori lindi më 24 janar 1935, në fshatin Iliás të Vunoit, në një familje bregase me tradita të thella kulturore dhe arsimore. Familja e tij ishte një burim ndriçimi intelektual – me dy xhaxhallarë të arsimuar jashtë vendit, që ndikuan në formimin e tij dhe të brezit të ri. Pas përfundimit të shkollës 7-vjeçare në Dhërmi dhe Politeknikumit, dega mekanike, Lluka filloi studimet në inxhinieri mekanike, por pasioni për matematikën e drejtoi më vonë drejt kësaj fushe, ku u dallua si një profesionist dhe njeri i veçantë. Karriera e tij nisi në shkollën “Skënderbej” dhe Akademinë Ushtarake, ku për 22 vite profesor Lluka dha një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin e studentëve ushtarakë.

Puna e tij me nxënësit “Skënderbekas” la gjurmë të thella, duke frymëzuar breza të tërë. Pas transferimeve të detyrueshme të kohës, Lluka shërbeu si mësues dhe drejtues në shkollën e Baldushkut, duke dhënë një kontribut të vyer në zhvillimin e arsimit në atë zonë. Ai bashkëpunoi me figura të tjera të nderuara si Vladimir Bodeci dhe Isa Kurti. Në vitin 1980, Lluka u emërua shef i kuadrit në Ministrinë e Arsimit, një pozicion me përgjegjësi të madhe që e mbajti për gati 15 vite. Gjatë kësaj kohe, ndikoi në mënyrë të ndjeshme në përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe jetës së shumë mësuesve, duke qenë gjithmonë një pikë mbështetjeje për ta. Pas daljes në pension në vitin 1995, Lluka u kthye në fshatin e tij të lindjes, Iliás-Vuno, ku vijoi të kontribuonte në zhvillimin e komunitetit. Përkushtimi ndaj familjes dhe dashuria për tre vajzat, dhëndurët dhe gjashtë nipërit e mbesat e tij, janë dëshmi e një njeriu që shkëlqen jo vetëm si profesor, por edhe si baba dhe gjysh. Një shembull për brezat e ardhshëm Sot, në këtë përvjetor të shënuar, ne nderojmë profesor Lluka Nikollorin – një personalitet i rrallë, një njeri që ka ndriçuar me mirësinë e tij dhe një figurë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në arsimin shqiptar dhe zemrat e të gjithë atyre që e njohin. Urime për 90 vitet e tua të ndritshme, profesor Lluka! Jetofsh gjatë me shëndet dhe rrethuar nga dashuria e njerëzve që të duan dhe të respektojnë! Jetë të gjatë Lluka Nikollari!

NOA